Zhapiu

674
Nga qershori deri në fund të tetorit, ne djemtë e rritur 12-14 vjeçarë, shkonim në pyll për dru. Delnim nga shtëpitë herët, në orën tre a katër të mëngjesit, u hipnim hajvanëve dhe pas tre orësh soseshim në ndonjë brinjë të pyllit. Sa rrëzonim vlastarët, sa i shkurtonim, sa anosnim drutë dhe ngarkonim kafshët, kalonin dhe nja dy orë të tjera. Kur ktheheshim nga pylli ishim më të ngeshëm, se kafshët e dinin rrugën vetë, prandaj gjenim kohë të argëtoheshim duke mbledhur luleshtryshe, manaferra, çaj mali ose qëlluar ndonjë shenjë me gur. Disa herë nxirrnim edhe koçanë nga toka, të cilët i hanim, pasi u pastronim fletët me gjemba. Nuk ishin as të ëmbël, as të lëngshëm, as të brydhtë, po gjithsesi haheshin.
Secili zgjidhte shokun a shokët e vet dhe kësisoj krijoheshin grupime prej dy deri katër a pesë veta, po ato zakonisht kishin jetë të shkurtër, sepse përbërja ndryshonte vazhdimisht. Një verë shkova disa herë në pyll me Lilon. Ai qe nja shtatë a tetë vjet më i madh se unë dhe si më i fuqishëm merrte dy hajvanë. Mirëpo Liloja gjithmonë nxitonte. Kur shkonim në pyll u grahte kafshëve të arrinim sa më parë, kur ktheheshim u ngjitej kuajve pas bishtit duke i nxitur sa me të bërtitura, sa me fshikull: “Deee! Hajde Gjoz! Jepi Çil!” Po a durohej ky refren i Lilos tri orë me radhë?
E lashë Lilon sapo gjeta një shok si veten, të ngadalshëm e të shkujdesur, që ia kishte ënda të sorrollatej e që s’bëhej merak për asgjë. Ky ishte Jani i Sotir Paskal Janit. Pas emrit të tij përmendej babai, gjyshi dhe stërgjyshi, vetëm që të mos e ngatërronim me Janin e Telit dhe me Jani Kacidhen. Me të m’u poqën pipëzat për bukuri. Shokët tanë dilnin nga shtëpitë e tyre pak pas mesnatës, ne kur fillonte të zbardhëllehej; ata e hanin bukën kaluar a duke ecur në këmbë, ne shtroheshim pranë ndonjë burimi sikur kishim dalë piknik; ata ktheheshin në fshat para mesditës, ne në pisk të vapës, duke bërë banja dielli. Kundrejt kafshëve të ngarkuara tregoheshim të mëshirshëm duke i lënë të ecnin pas dëshirës, se ato e dinin rrugën vetë, prandaj s’kishte kuptim të lodheshe duke u bërtitur, a ca më keq duke i fshikulluar. Gjatë kthimit argëtoheshim duke ua fluturuar kokat në erë gjembaçëve me shkop duke, duke ngacmuar ndonjë kukumal milingonash që t’i shihnim si rendnin të alarmuara andej-këtej, duke kthyer ndonjë breshkë më kurriz që ta shihnim si rropatej të kthehej, me një fjalë gjithmonë gjenim me se të merreshim.
Nga mesi i gushtit shoqëria jonë u zgjerua, sepse Liku i Babes shfaqi dëshirën të bashkohej me ne, pasi shoku i vet iu sëmur. Tha se grupi ynë i pëlqente më shumë nga të tjerët dhe ne natyrisht e pranuam. Qe një gjatovilë me sy të gjelbër si kumbullat e pranverës dhe me flokë në ngjyrën e kashtës së grurit. Ishte pak mburravec e hileqar në lojë, sikurse e kishim vënë re me kohë. Kur shkarraviteshim në akull, ai vinte e përplasej me qëllim, të shtynte ose të rrëzonte, të shkelte dorën me këmbë dhe pastaj thoshte gjasme i penduar: “Oh, më fal se s’të vura re.” Sa herë kërkonte hua lapsin në klasë, i thyente majën, ose e kafshonte me dhëmbë dhe pastaj si pa gjë të keq thoshte se iu thye. Ne ia dinim këto dobësi, por megjithatë na pëlqente, se Liku gjithmonë mbante në çantë gjëra të mira për të ngrënë dhe çdo gjë e ndante me shokët.
Një javë na shiti mend duke treguar trimëritë e tij, aq sa u bë i mërzitshëm dhe ne s’po dinim si të liroheshim nga shoqëria e tij, po për çudi na ndihmoi një zhapi.
Një drekëherë, ndërsa po ktheheshim nga pylli, Jani tha se do të mblidhte çaj zalli, prandaj e la rrugën dhe mori poshtë zallit. Pas nja pesë minutash, kur s’kishte mbledhur veçse disa fije, na bëri shenjë me dorë t’i venim pranë.
– Mos na lodh, po eja edhe ti këtej! – e ftoi Liku i Babes.
Jani vuri gishtin te buza të mos bënim zhurmë. Aq u desh për të ndezur kureshtjen tonë. Çfarë kishte gjetur dhe pse po na lutej të rrinim urtë? Në zall kishte gëzhoja, fishekë gjysmë të ndryshkur, copra predhash të mbetura nga lufta, ndonjë fole zogu, po ato nuk nuk kishin këmbë të iknin, sikur të thërrisje sa të doje. Ai po na jepte shenja të ecnim ngadalë dhe me kujdes. Edhe ne, për t’iu përshtatur stilit të tij, po e pyesnim me shenja, si memecët.
Kur i vajtëm pranë, na rrëfeu me gisht një zhapi goxha të madh që po shullëhej në diell mbi barin e gjelbër. Dy ditë më parë pati rënë një shi i ftohtë, që e kishte ulur temperaturën mjaft, megjithëse ishte gusht. Si duket zhapiu kishte dalë të rrezitej që t’i ngrohej gjaku dhe t’i shpiheshin gjymtyrët. Zhapinjtë duken si krokodilë të vegjël, por bishtin e kanë të rrumbullakët dhe nuk futen në ujë me dëshirën e tyre. Ne ua kishim frikën atyre zvarranikëve me këmbë, se që nga kohët e lashta përsëritej gojë më gojë se po të kafshoi zhapiu, nuk të lëshon derisa të pëllasë gomari i zi! E parafytyroja atë skenë të tmerrshme që të kallte datën: zhapiun që ngulte dhëmbët në mish duke i mbajtur nofullat shtrënguar derisa të dëgjonte pëllitjen e një gomari të zi. Gomerë të murrmë e bojë hiri, nga ata kishte plot fshati ynë, po të zinj nuk shihje askund, se ishin shumë të rrallë edhe në krahinë. Megjithatë kurrë s’kishim dëgjuar të ngjokej ndokush prej zhapiut, apo të pësonte ndonjë cen. Edhe pse mësuesi thoshte se ata nuk kanë helm si gjarpërinjtë, askush nuk e besonte. Përgjithësisht zhapinjtë trembeshin nga çdo lloj zhurme dhe sapo ndjenin rrezikun më të vogël, vraponin të fshiheshin ku të mundeshin, por as kjo nuk ua hiqte frikën njerëzve.
Jani u përkul dhe ne pamë një gur në dorën e tij. E kuptova se donte ta vriste zhapiun me një të qëlluar që të tregonte aftësitë e tij si shënjues, por Liku e ndaloi. Ky veprim nuk pritej nga ana e tij, se e dinim që nuk i vinte keq për asnjë lloj gjallese, e jo më për një zhapi, mirëpo ai kishte tjetër qëllim.
– Aman, lerma t’ia shtyp kokën me këmbë, – i pëshpëriti Janit në vesh. – Shikoni ç’store do të jetë!
Ne mbetëm të çmeritur, se na u duk kuturisje prej budallai të guxoje ta shtypje zhapiun me këmbë. Po sikur të zgjohej dhe ta kafshonte?
Liku iu afrua, pa u ndierë, si mace. Zhapiu, për fat, ende dremiste me sytë pulitur. Liku i vajti thuajse mbi kokë, ngriti këmbën e djathtë lart dhe pastaj e lëshoi sipër zhapiut, mirëpo në vend të këlthiste zhapiu, dëgjuam pallmën e Likut të Babes. Ai u përkul menjëherë përmbys duke shtrënguar me të dy duart kofshën e majtë.
– Ç’pate? – e pyeti Jani.
– Zhapiu! – ulëriti Liku . – M’u fut në brekë. Obobo! Obobo! – dhe vazhdimisht vinte rrotull mbi një këmbë.
Zhapiu për t’i shpëtuar goditjes, u fut në këmbën e pantallonave të tij, ndoshta ngaqë e pandehu guvë. Jani dhe unë të tmerruar po shihnim rrotull mos kushedi na kapte syri ndonjë gomar të zi.
– A të ka kafshuar? – e pyeti Jani.
– S’ndiej gjë akoma… – qe përgjegja e Likut.
Sikur u lehtësuam pak. Mbase qëllimet e zhapiut nuk ishin aq të këqija.
– Hiqi duart dhe lëre të ikë! – e mësoi Jani.
– Jo ore!? Po sikur të ngjitet më lart? – pyeti Liku.
Më lart rreziku ishte më i madh dhe sado që situta ishte dramatike, ne filluam kukurizmat kur menduam ç’mund të ndodhte.
Liku vazhdonte ta mbante kofshën shtrënguar me të dy duart që zhapiu të mos lëvizte. Sipas mendjes sime ai duhet ta kishte kokën lart, ashtu sikurse qe ngjitur.
– Ktheja kokën poshtë, – e këshillova unë – dhe zhapiu do të ikë vetë.
– Ku e di unë se nga e ka kokën… – protestoi Liku, ndërsa ata sytë e vegjël si kumbulla pranvere i shkonin sa andej këtej.
Këshilla ime s’vlejti dhe unë nuk po dija si ta ndihmoja më tej.
– Hiq pantallonat, nëse do të shpëtosh prej tij! – i sugjeroi Jani.
Liku e pa pjerrtazi se mos shoku i tij po tallej, po shpejt u bind dhe vetë se ajo qe zgjidhja më praktike. Hoqi një dorë nga kofsha, liroi rripin e pantallonave dhe me shpejtësi prej akrobati doli jashtë tyre duke u prapsuar nja dy metra. Zhapiu, sapo e ndjeu që ra në tokë, doli nga pantallonat me vrap dhe rendi drejt përpara. Likut iu duk sikur po e ndiqte ndaj theri me vrap tatëpjetë zallit pa kthyer kokën prapa.
Ne po qeshnim me lot duke shikuar Likun që po vraponte gjysmë lakuriq.
Pas kësaj ndodhie, Liku s’erdhi më me ne për dru.
Sigal