Tregtarët e Korçës: Nuk shkojmë te Tregu i Ri, nëse atje nuk vijnë të gjithë

570
Sigal

Tregtarët rrezikojnë falimentimin nga konkurrenca e atyre që shesin në mënyrë ambulante

Së shpejti në qytetin e Korçës do të vihet në funksionim Tregu i Ri i fruta-perimeve dhe i peshkut. Pjesë e këtij tregu do të jenë edhe tregtarët që vijnë nga zona e Prespës. Aktualisht tregu ka përfunduar. Gjithsej janë 100 vende tregtimi. Kushtet te merkatoja e re janë shumë më të mira në krahasim me merkaton e vjetër. Deri më tani kanë aplikuar për një vend tregtimi 95 tregtarë. Pritet të bëhen edhe aplikimet e fundit dhe ndërkaq të kryhet zhvendosja. Aktualisht tregtarët ushtrojnë aktivitetin e tyre te një treg privat. 

Tregtarët: Nuk shkojmë tek Tregu i Ri

Megjithatë, tregtarët e Korçës, të gjithë bashkë, kanë bërë të ditur se nuk do të shpërngulen nga tregu i vjetër në rast se Bashkia e Korçës nuk i çon të gjithë tregtarët te Tregu i Ri, pasi deri më sot një pjesë tregtarësh ishte lënë të tregtonin në mënyrë ambulante, ku ata gjenin mundësi, praktikë kjo që vijon edhe sot e kësaj dite. Në rast se kjo kategori tregtarësh do të lihen të lirë të tregtojnë ku të dëshirojnë ata, pa paguar asnjë lloj tarife, atëherë asnjë prej tregtarëve nuk do të shkojë te Tregu i Ri, sepse duke qenë të konkurruar nga tregtarët ambulantë do ta kenë të vështirë të mbijetojnë dhe falimentimin do ta kenë të sigurt. Pra, kjo është arsyeja e vetme që i pengon ata të marrin iniciativën për t’u zhvendosur në një treg tjetër, qoftë edhe më i mirë nga ai që kanë pasur deri më sot. Pavarësisht nga numri i aplikimeve të kryera, askush nuk do të shpërngulet, nëse nuk do të sigurohen kushte të barabarta biznesi për të gjithë tregtarët. Kjo është deklarata e tregtarëve, të cilët mendojnë t’i qëndrojnë të gjithë bashkë deri në fund vendimit të tyre.

Për tregtarët e Prespës, pagesë ditore

Për gjithë tregtarët që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre te Tregu i Ri do të kenë një pagesë mujore në varësi të llojit të aktivitetit tregtar që do të kenë. Nga pagesa mujore do të përjashtohen vetëm tregtarët e peshkut që vijnë nga zona e Prespës, pasi për këta të fundit do të aplikohet pagesa ditore prej 500 lekë në ditë, sepse të ardhurat që sigurojnë prej tyre janë të vogla. Megjithatë pritet të shihet, nëse edhe kjo kategori tregtarësh do të shkojë te Tregu i Ri apo do të tentojë, si gjithnjë, të shesin duke kaluar nga një lagje në tjetrën, duke konkurruar kolegët e tyre që ushtrojnë biznes të rregullt sipas të gjitha kërkesave, pa iu shmangur as detyrimeve financiare. Kjo do të thotë që jo vetëm tregtarët e fruta-perimeve por edhe ata të peshkut ndihen të pasigurt dhe të trembur nga konkurrenca e pandershme, e toleruar nga personat përgjegjës që nuk duhet të lejojnë atë.

Bashkia të na njohë me tarifat

Gjithashtu, tregtarët kanë edhe një kërkesë tjetër: T’u bëhet e ditur gjithë tregtarëve sa do të jetë tarifa, e specifikuar për të gjitha llojet e aktiviteteve tregtare, pasi deri më tani nuk janë plotësisht të qartësuar, që të dinë nëse përfitojnë më shumë të qëndrojnë te privati apo të shpërngulen te tregu i Bashkisë. Deri më tani u është thënë se për tregtimin e fruta-perimeve do të ketë një tarifë mujore deri në 10 mijë lekë, ndërsa për tregtarët e mishit dhe peshkut do të ketë tarifa më të larta, të cilat variojnë nga 19-20 mijë lekë në muaj. Gjithsesi, pritet që gjithçka të sqarohet në ditët në vijim. Por kushti kryesor i tregtarëve nëse do të shkojnë te Tregu i Ri apo do të qëndrojnë te tregu i vjetër, duket se do të mbetet lejimi apo mos lejimi nga ana e Bashkisë i një grupi tregtarësh “të privilegjuar”, të cilët tregtojnë ku të dëshirojnë dhe pa paguar asgjë.