Tre ditë afat për t’u regjistruar/ Aplikimet për në universitete, thirrja e fundit për maturantët

170
Sigal

Maturantët e rinj e të vjetër që nuk kanë arritur dot të plotësojnë formularin A1/A1Z, pa të cilin nuk kapërcejnë dot në hapin e dytë, aplikimin në universitete, kanë edhe një shans në fundit.

Duke nisur nga nesër, për tri ditë me radhë, deri në 9 korrik, ata mund të bëhen pjesë e garës duke plotësuar formularin.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ishte ajo që njoftoi rihapjen e portalit të maturës, pas interesit të shumë të rinjve që për arsye nga më të ndryshmet nuk kanë arritur dot të aplikojnë në afatet e paracaktuara.

“Pas kërkesave të shumta të të interesuarve që kanë përfunduar maturën dhe ende nuk kanë plotësuar formularët A1/A1Z, i ftoj të shfrytëzojnë edhe një mundësi të re për të kryer këtë aplikim në datat 7 deri në 9 korrik 2021”.

Ky formular, përveçse u hap rrugë aplikimeve në universitete si domosdoshmëri për të vijuar rrugën, përmbledh të gjitha të dhënat e kandidatit, ato personale dhe të tjera që lidhen me shkollën dhe provimet.

Aplikimi bëhet në rrugë elektronike, në mjediset e gjimnazeve ku kandidatët për në universitete kanë përfunduar shkollën e mesme me ndihmën e një mësuesi që luan rolin e mbikëqyrësit, për të cilin në fund edhe firmos duke mbajtur përgjegjësi për hedhjen e të dhënave.

Vetëm pas këtij hapi, të rinjtë janë të lirë të plotësojnë formularin A2 të aplikimit në universitete, i cili do të realizohet nga 29 korriku deri në 3 gusht.

Por më parë duhet të kenë paguar një tarifë që prej vitesh mbetet e pandryshuar, në vlerën e 2 mijë lekëve të reja. Ankthi i maturantëve për degën e fituar merr fund në ditën e fundit të muajit gusht.

Gjithnjë, në rast se fakultetet nuk zgjedhin t’i publikojnë fituesit më herët, siç edhe ka ndodhur shpesh.

Pavarësisht përpjekjeve për të ndryshuar fazat e aplikimeve, edhe sivjet skema e aplikimit dhe regjistrimit në universitetet publike e private mbetet e njëjtë.

Tri raunde me nga përkatësisht shtatë, pesë dhe tri faza regjistrimi 48-orëshe.

I vetmi “ngushtim” që iu është bërë universiteteve lidhet me përshtatjen e kuotave brenda programeve të të njëjtit fakultet, e cila nuk do të bëhet më në përfundim të të gjitha raundeve, por pas të parit dhe të dytit.