Sigal

Një person është gjendur i vrarë me armë zjarri në Memaliaj të Tepelenës këtë të enjte. Mësohet se viktima është Alket Muho, 42 vjeç.

Muho u gjet i pajetë në Rabie, të Memaliajt, në fshatin ku edhe jetonte.

Dyshimet e para lidhur me ekzekutimin e 42-vjeçarit lidhen me një sinjalizim të bërë nga ai disa ditë më parë te organet ligj-zbatuese.

Burime pranë grupit hetimor thanë se rreth 10 ditë më parë, ai ka informuar SHÇKB-në e Tiranës lidhur me disa parcela me hashash. Sinjalizimi i SHÇKB-së së Tiranës është bërë pasi mendohet se 42-vjeçari nuk ka pasur besim te strukturat lokale. Pas kësaj, SHÇKB e Tiranës, më 4 shtator ka informuar policinë lokale, që ka ndërhyrë dhe ka asgjësuar 8 parcela me lëndë narkotike.

Ndërkohë, ditën e sotme, efektivët e kanë gjetur të pajetë. Nga këqyrja parapake e kufomës, ekspertët e policisë kanë vlerësuar se ai është qëlluar nga distanca.

Njoftimi paraprak i policisë lidhur me ngjarjen

Në afërsi të fshatit Rabie, Memaliaj në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A. M., 43 vjeç, banues në Rabie, Memaliaj. Menjëherë pas marrjes së njoftimit në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.