Tej fjalës së madhe, DIASPORË

493
Vangjush Saro

Për qytetarët shqiptarë që jetojnë në vende të tjera, janë përdorur disa terma. Mërgatë. Emigracion. Diasporë. Ministria e Diasporës, ngritja e saj, sapo është bërë me dije. Tash së fundi, kjo fjalë e “madhe” është konsumuar shumë, deri sa edhe po ndërtohet një ministri aso. Realisht, historia e emigracionit është e vjetër, shumë e vjetër. Janë të njohura inkursionet e vazhdueshme të qytetarëve shqiptarë drejt Perëndimit… Një gjendje dhe përvojë e përzier, me disa shtresa shtegtarësh, që nga mërgimi legal i para Luftës së Dytë Botërore, te arratisjet gjatë periudhës së Socializmit, emigrimi masiv pas vitit ’91 dhe pas atij ‘97, ai i Luftës në Kosovë, në fund të shek. XX, bashkimet familjare, e kështu më tej. 

Është e natyrshme që kjo masë e madhe qytetarësh shqiptarë, të shpërndarë në disa vende të Perëndimit, të ketë interesa dhe vështrime të ndryshme mbi jetën, mbi vendin dhe dukuritë në tërësi. Asesi, aktualisht, diaspora shqiptare nuk luan asnjë rol në zhvillimet në Shqipëri; ose ndihet fare pak. Ajo, diaspora, nuk ka asnjë ndikim të drejtpërdrejtë apo tërthorazi mbi ngjarjet. Asaj, diasporës, nuk ia merr dorën askush, edhe pse mund të jetë një pjesë e mirë (në të gjitha kuptimet) e kombit. Është folur për votë, është folur për të drejta, për regjistrimin (që personalisht më duket një marrëzi) për mbrojtjen e emigrantëve, për shumë gjëra. Heshtja i ka mbuluar të gjitha të thënat. Dhe veç kur dëgjon që është keqtrajtuar aksh shqiptar dhe është gjetur e vrarë filan vajzë, pastaj një familje që kthehet me lot në sy, etj. Kurse askush s’u del për zot…

Ani. Përtej lajmeve të hidhura, në të gjitha shtetet perëndimore ku jetojnë shqiptarë, ka emra dhe komunitete që ofrojnë tjetër pamje dhe që do të meritonin vlerësimin më ekselent. Duke qenë pjesë e një kulture e përvoje tjetër tashmë, por për shkak edhe të tharmit të formuar në shkollat më të mira shqiptare, shumë individë që jetojnë në vende të tjera, kanë bërë emër: në art, në shkencë dhe në sport. Në politikë e biznes, gjithashtu. Por sigurisht, pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë atje – në të gjithë botën perëndimore – bëjnë një jetë të vështirë, ndonjëherë në kufij të mbijetesës; kurse një shumicë, prej kohësh luftojnë ende për dokumentet, kartat si i thonë. Megjithëse ne (të gjithë pothuaj) përpiqemi ta përhapim fjalën diasporë, të ngremë edhe legjenda mbase, në tërësinë e vet, ajo është në një gjendje përgjumjeje, që të mos themi e çoroditur, e pambrojtur, e paorganizuar, vende-vende tejet e përçarë dhe me “liderë” që ‘bërrylojnë’ njëri-tjetrin; sikundër jetë e mot në Shqipëri. Lidhjet me atdheun e “parë” janë të dobëta, sipërfaqësore, fragmentare, të tilla që kujtohen vetëm në ndonjë festë fshatçe, ku impiantet të shurdhojnë veshët, aq sa pyet veten nëse vërtet je në iks vend perëndimor apo në ndonjë dasmë të lagjes më periferike… 

Mund të mos na vijë mirë, por gjendja shpirtërore dhe kulturore e krejt diasporës duhet dhe mund të shikohet në një tjetër fokus; dhe pra, diçka më pozitive dhe më e udhës mund të përftohet nga një marrëdhënie e re. Ndonjëherë pjesëtarë të saj, për shkak edhe të largësisë nga vendi e të halleve që kanë, nuk e gjejnë veten në një ndjesi sa më normale e të kulturuar; ata ose gjuajnë ekstremet, bie fjala merren me “gojëdhëna” për politikën dhe historinë e Shqipërisë, ose i vënë një kryq çdo raporti që do t’i afronte në komunitetin përkatës, me detyrimet dhe vëmendjen e duhur. Është për të ardhur keq, por një pjese, po t’u flasësh për libër, po të zësh me gojë shkollën, s’dëgjojnë nga ai vesh; madje, as edhe ata që shtiren si më të qytetëruar. Por nëse bëhet fjalë që të duket andej pari ndonjë këngëtar/e kabareje a ndonjë artist/e mediokër – nga këta që po bëjnë “hajër” falë shijeve të pa kultivuara të shumicës dhe në kurriz të artit e letërsisë serioze – i ke të gjithë aty, me kuç e me maç, aq sa po i mësojnë keq e në tallava edhe fëmijët e të rinjtë. (Nuk shpresoj shumë, por megjithatë lus që kjo gjendje të ndryshojë një ditë.)

Përtej këtyre kritikave, mendoj, ka ardhur koha që diaspora të jetë më mirë dhe më shumë e pranishme në zhvillimet dhe në fatin e vendit-amë. Mundësitë e sotme teknologjike janë të pafundme; ato hedhin poshtë çdolloj justifikimi për marrëdhëniet e cekëta dhe për mungesat në ndikimin dhe praninë e diasporës në çka u tha më lart. Janë të gjitha mundësitë që ajo të jetë pjesë e atyre zhvillimeve që mundojnë vendin dhe që të përcjellë opinionin e saj, parimet dhe përvojën e botës së qytetëruar për sa i takon ecurisë politike, votimeve, ngjarjeve kryesore të vendit, deri edhe menaxhimi i marrëzive të politikës së sotme, një sherr e shamata njerëzish të përkëdhelur e të pandëshkuar, anipse e kanë bërë baltë me abuzime. Bie fjala, nëse ka ardhur koha që ajo të votojë, kjo s’mund të mbetet më peng i mungesave të qena e të paqena në të tërën e shtetit shqiptar. Janë të gjitha mundësitë që diaspora të kërkojë pjesën e vet të përgjegjësisë dhe të vendimmarrjes, në politikë dhe në administratë, duke u shprehur nëse është për stabilitet apo për rrumpallë, duke u shprehur nëse duhet të vazhdojmë të shohim se si kacafyten e ndeshen gjelat e atij vend të pafat në emër të klaneve e të psikopatëve që paraja dhe pushteti i kanë tërbuar, apo duhet të ndjekim shembullin e demokracive më të përparuara… 

Mendoj se është detyrë qytetare e kujtdo të bëhet pjesë e kësaj panorame, ku duhet vënë dorë. Është detyrë e çdo qytetari me origjinë shqiptare e këtij komuniteti, pjesërisht me vlera dhe me përkushtim real, të kujdeset për gjuhën, për traditat, për kujtimet më të mira nga atdheu, por gjithnjë duke përcjellë paqe e mirëkuptim në vend të destabilitetit, etj. Në këtë udhë, mund të ecin edhe vetë shoqatat, që në shumë raste bëhen vetëm pjesë e tallavasë, o burra të hidhemi e të bërtasim, sa për të treguar që jemi… Ndoshta edhe ministria në fjalë dhe drejtuesit e saj mund të mos e fillojnë me maskë, me buzëqeshje të shtirura, me patetizëm (përfshi patriotizmin fals) duke u treguar shqiptarë vetëm në tavolina e në kërcime si për të humbur mendjen; por duke punuar në mënyrë konkrete dhe me programe për përfshirjen e diasporës në jetën shqiptare. 

Në të kundërt, e gjithë kjo tullumbace mund të pëlcasë si shumë të tjera, duke na lënë me sytë në qiell dhe me një ndjenjë të përhershme fataliteti, në përditshmëri dhe në krejt vijën e deritanishme të jetës. Mundësitë janë të përmirësohet ky bilanc, këto marrëdhënie dhe të shikojmë me seriozitet përtej demagogjisë dhe fjalës së madhe DIASPORË.