Tatimet këshillojnë biznesin për kasat fiskale

342
Drejtoria e Tatimeve ka publikuar një material këshillues mbi detyrimin e tatimpaguesve për instalimin dhe përdorimin e pajisjeve fiskale në ambientet e ushtrimit të aktivitetit. Ligji “Për Procedurat Tatimore”, përcakton kushtet ligjore, që bëjnë të detyrueshëm instalimin e pajisjes fiskale dhe lëshimin e kuponit tatimor. Duke iu referuar legjislacionit fiskal bazë, përcaktohet se “të gjithë tatimpaguesit e shitjeve me pakicë, që shesin mallra apo ofrojnë shërbime në mjedise apo njësi të përhershme, të hapura për publikun, duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kuponë tatimorë, për çdo transaksion”. Më tej, sipas pikës 1 të nenit 55, tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, ose institucioneve financiare të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor. Gjithashtu bazuar në vendimin “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike, automatike, të deklarimeve financiare, sistemit të komunikimit, për procedurën e dokumentacionin për miratimin e tyre dhe për kriteret për pajisjen, me autorizim, të shoqërive të autorizuara për ofrimin e pajisjeve fiskale”, janë parashikuar përjashtimet nga detyrimi i lëshimit të kuponit tatimor për: 

a) tatimpaguesit, që paguajnë tatime mbi të ardhurat nga kryerja e veprimtarive për shuma të vogla të të ardhurave neto, me përjashtim të shoferëve të taksive; 

b) personat, që nuk janë tregtarë dhe e realizojnë qarkullimin e produkteve bujqësore dhe të papërpunuara mbi tezga, në tregjet e organizuara, si dhe jashtë markatove; 

c) individët, që lëshojnë me qira mjedise biznesi; 

ç) veprimtaritë, që ushtrohen në zona të larta malore, me popullim më pak se 300 individë dhe që janë të ndryshme nga vendet turistike.