Rama: Rajoni të marrë shembull nga ne, kemi ccuar para ligjit zyrtarët e qeverisë.
Kancelari Scholz godet “Ballkanin e Hapur”: Samiti i Procesit të Berlinit mbahet më 16 tetor në Tiranë
Gjatë një deklarate për mediat, Scholz deklaroi se integrim drejt Europës do të thotë që Shqipëria mos ketë probleme me krimin e organizuar, lirinë e mediave apo me sundimin e ligjit dhe drejtësisë së pavarur.
Më 16 tetor Tirana do të mirëpresë samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Lajmi u dha nga kancelari gjerman Olaf Scholz në konferencë me kryeministrin Edi Rama.“Jam i gëzuar që mirëpres kryeministrin Rama, Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij janë shumë të rëndësishëm për mua. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe pjesë e familjes europiane. Gëzohem që ti re dakord të ftosh në tetor samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Përgatitjet për këtë kanë filluar. Më 16 tetor do të zhvillohet samiti për herë të parë në kryeqytetin e një shteti të Ballkanit Perëndimor,”- u shpreh Scholz.
Kjo lëvizje e Gjermanisë duket se shënon edhe fundin e “Open Balkan”, një iniciativë serbe e mbështetur fuqimisht nga kreu i qeverisë shqiptare dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
Mediat e lira janë thelbësore për demokracinë
Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Berlin, u ndal tek anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE.
Sa i përket ecurisë së Shqipërisë, kancelari gjerman tha se në thelb mbetet sundimi i ligjit. Në fjalën e tij, Scholz vuri theksin te mediat e lira dhe të pavarura, duke u shprehur se janë thelbësore për një demokraci europiane.
Olaf Scholz: Mediat e lira dhe të pavarura janë pjesë përbërëse dhe thelbësore e demokracive tona europiane. Ndaj kemi nevojë për një mjedis ekonomik me siguri juridike dhe transparente. Integrimi i shpejtë i të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike.
Shqipëria nuk futet në BE me kriminalitet të lartë
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ia ka thënë në sy kritikat kryeministrit Edi Rama po ashtu edhe problematikat e Shqipërisë, që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian. Gjatë një deklarate për mediat, Scholz në krah të Ramës deklaroi se integrim drejt Europës do të thotë që Shqipëria mos të ketë probleme me krimin e organizuar, lirinë e mediave apo me sundimin e ligjit dhe drejtësisë së pavarur.
“Në janar ishte vendi i parë i rajonit që ratifikoi 3 marrëveshje. Ky ishte një model i mirë. Integrimi i shpejtë i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike dhe dëshirojmë t’i mirëpresim sa më shpejt si anëtar në BE. Thelbi i negociatave mbetet sundimi i ligjit, ndaj është mirë që anëtarë të rrjeteve kriminale dhe zyrtarë të rangut të lartë janë paditur dhe dënuar. Mediat e lira po ashtu është shumë e rëndësishme”, -tha Scholz.
Rama: Rajoni të marrë shembull nga ne. Njerëz të lidhur me qeverinë janë para ligjit
Kryeministri Edi Rama tha se vendet e rajonit duhet të marrin shembull nga Shqipëria për realizimin dhe efektet e Reformës në Drejtësi. Përpara kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Rama tha se Shqipëria e ka ngritur stekën e njerëzve që heton për korrupsion dhe shtoi se në Shqipëri, tashmë drejtësia ka vepruar edhe për njerëz shumë pranë qeverisë.
Përsa i përket samitit është kënaqësi, nder dhe shprehje besimi e qeverisë dhe kancelarit që samiti vjen në rajon dhe vjen në Tiranë. Nuk diskutohet që samiti i dhjetorit ka lënë një gjurmë të thellë te ne dhe kjo është barrë për të fituar respektin dhe për të thelluar rrugën tonë për të qenë një vend gjithnjë e më evropian. Një vend shembull në luftën kundër korrupsionit, jemi vend i vetëm në rajon që falë Reformës në Drejtësi e kemi ngritur stekën atje ku nuk ka qenë. Rajoni duhet të marrë shembull nga ne. Drejtësia nuk do të dijë për pushtetin. Ka ende shumë për të bërë, por ka ardhur dita që atë që nuk e besonte askush është bërë fakt. Është fakt që njerëz të lidhur me qeverinë shkojnë para drejtësisë. Këto janë shenja domethënëse të një rruge që vazhdon. Procesi i Berlinit është krijuar për ta shtyrë më tej këtë rrugë. Kombinimi i Procesit të Berlinit dhe kombinimi Francë-Gjermani për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e plotësojnë këtë kuadër. Optimistë për të nesërmen e rajonit.