Vllasova Musta
K R E D O
Ra dhe një gjethe
Shkoi dhe një tjetër
Koha gremiset në zgrip
Malli për njerëz,
Që po largohen
Zemrën ma ndrydh
E më pik.
Nesër mëngjesi
Diell të ri do të sjellë!
Ëndrrën do prek
Lart do e ngre
Si hark ylberi
Në qiell.
Jo, nuk e lë
Jo, s´e pranoj
Ditën pa tingull të tretet
Dhe nëse s´ka
Qoftë dhe një zë
Vetë do shkumoj
Gjithë detet!
Në heshtje s´rri,
Në heshtje s´rroj,
Dritën e dua gjithkund!
Për të, jam gati
Malet t´i zgjoj,
Gjëmimi të jetë
Pafund!
DITË DIMRI
Mëngjes i ftohtë në këtë dimër
Si e përgjumur erdhi dita,
Edhe pse ende s´kemi borë
E as mbi ujëra
S´pati ngrica.
Si m´u shpërfaqën këto pemë
Si duar njerëzish të stërlashtë
Sikur kërkojnë diçka në qiell,
Me duart lart,
Të gjitha bashkë?!
Nuk kanë gjethe, s´kanë ngjyrë
Vetëm një gri si e venitur,
Por unë e di,
Sa të ndërrojë stina
Do bulëzojnë
Për të rilindur.
Ahere, degët, do kenë gjethe
Do kenë ngjyrë, dhe cicërima
Do derdhin tinguj gjithandej
Sikur këndojnë dhjetëra
Violina…
NJË ËNDËRR
Kërkoj një ëndërr,
Kërkoj një ëndërr
Ta prek, të zhytem e të mos dal
Aty të mbetem,
Le të mbytem
Të ndjej si iki
Dalngadalë!
Kërkoj një ëndërr,
Kërkoj një ëndërr
Do ta gjej e do ta pres!
Një ëndërr ndrin
Një qiell të tërë,
Një ëndërr rrit
Një univers!
Kërkoj një ëndërr,
Kërkoj një ëndërr
S´kërkoj qiri
Apo një dritë
Dua të kem një flakadan
Që zgjon
E ngjall
Dhe perënditë!
RELIKTE TË VOGLA, TË BOTËS SË MADHE
Ruaj diku,
Në shtëpinë time
Një kutizë,
Që mban dy gjëra të rralla,
Ndër reliktet, që kam
Me sende të shtrenjta,
Janë dhe këto:
Dy pupa të bardha.
Me to,
Ime bijë mësoi të ecë
Rrëzohej ringrihej
E nuk ndalej dot!
Mes belbëzimash
Si cicërimë
Hapin mbështeti
Sëpari mbi tokë!
Si varkëza letre
Këto pupa të bardha
Të vogla, të vogla
T´i mbash në pëllëmbë
Prej tyre rrodhën
Udhët e gjata
Që globin e prekin
Me hap e me
Këmbë.
ELEGJI PËR DASHURINË
Ç´është kjo drithërimë
Që vjen varg pas vargu
Qiellit i them:
Ulu!
Tokës i them:
Hapu!
Ç´është kjo drithërimë
Që troket troshitur
Më përçarti stinët
Veç një yll
I ndritur!
Ç´është kjo drithërimë
Që gjumin ma prishi
Natës i dha dritë
Mjergullat
I grisi!
Ku ta gjej, ku mbeti
E përpinë retë?
Si një hënë e ngrirë
Tretet
Përmbi det…
*********
Basir Bushkashi
NATË DIMRI
Ulërijnë erërat nëpër natë,
Si shpirtra të zinj të mbledhur bashkë.
Zemëraku dimër vringëllin me shpatë…
Zotëron gjithçka e shfryn përjashta.
Dhe tund krifën e tij të bardhë,
Si për të thënë: Mendoni pak!
Mos harroni se unë kam ardhur
Frelëshuar nga caku në cak.
Shpezë e kafshë ndër guva, ndër pyje,
Përcjellin acarin me drithërimë.
Askush s`e ndjen, veç shpirtit të tyre
Pushtimin e akullt me tërsëllimë.
Si perandor që s`njeh të dytë
Hijerëndë, madhështor:
“Pushtetin tim s`ma merrni dot,
Ç`dërdëllisni, mor, të gjorë”…
Dhe shfryn tërbuar gjithë inate
Me egërsinë e tij të plotë.
E mardhur toka dridhet n`lëngatë
E ëndërron pranverën mbushur lotë…
Jep e merr toka me qiellin
Nëpër mistere të paskaj…
Është e pamundur t`ia ndalësh hovin
Betejës dimërore me huqet e saj…
KATJA, KATERINA
Mbesës italiane
Katja, Katerina
Si zog në shtëpi
Herë loz me një ketër
Herë me një ari.
Loz e loz e loz
Në dhomë bën rrëmujë
Pastaj merr një gotë
Kukullave tu japë ujë…
Zë e inatoset:
Kukullat pse nuk pinë?!
Pastaj e derdh gotën
Lëmsh e bën shtëpinë.
Eh, moj, Katja e vogël
Kukull përmbi kukull,
Kur ta njohësh botën,
Nuk është aq e bukur…
Plot njerëz përqark
Porsi egërsira,
Të keqen kanë në gjak,
Errësuar nga smira…
Me buzët e njoma
M’puth e m’përqafon
Gazi yt i çiltër
Shpirtin ma bleron.
Katja, Katerina!
E gëzofsh fëmijërinë!
Të pushtoftë e bukura,
Viteve që do të vijnë…!
BOTËN KAM PUSHTUAR
Kur t’i zura ato gjinj,
Mollë në kraharuar…
Thashi t’i kpus, ti marr me vete
Nga malli pushtuar…
Ti u drodhe… u përdrodhe…
Unë mollët në duar…
Rrofsh, moj rrofsh, ç’më lumturove,
Botën kam pushtuar…!
AJO MBRËMJE VERE
Ajo mbrëmje vere
E ngrohtë mbet ngaherë…
Viteve rinore
Plot zjarr e potere…
Krejt të drithëruar
U shtrimë në lëndinë.
Eh, në sa magjira…
Prekëm dashurinë!
Dhe heshti hëna
Dhe zogjtë në gëmushë.
Qielli na mbuloi
Me yjet e prushtë…
Vladimir Muça
Fëmijëria ime
Si gjethi i panjës në dyer pranvere,
Plotë fruta pylli duarve gjakosur;
Ujërave kaltëroshe, buzë Letinit
Fishkëllej dhimbshëm, i brengosur.
Mediton fëmijëria në krah ere mbetur
Si fërgëllim e një lindjeje, perëndimi;
Si një zog mbetur pendë ç’veshur
Si rreze e dritës nga verbimi.
Gurgullimat e ujit thellë shkëmbit
Si Syri i Kaltër më tundon,
Veç klithmë e tingullt e një sqepishe
Me vjen nga larg si një Grifon.
Një qiell i yjtë më zjenë në shpirt,
Në zgrip të jetës ç’më thotë një solstic?
Në Ostren, mbi shtëpinë e gjyshërve,
Mbi mure të vjetër nuk ka më dritë.
Përshpirtshëm më vjen fëminia ime
Me dimra enigmash, dhoma vetmitare;
Helmuar, vdekur nga viruse lajmesh,
Si një dasmë e dehur fiseve cigane.
Dridhet dritarja me menteshë të kalbur,
Lotët ndjell fëmijëri e largët
Pamje e varrezës dhimbshëm braktisur,
Ndodhi e zymtë pas shtrëngatës.
Veç kujtimet në eshtra enigme
Zgjasin dorën, si drapër i një hëne
Syri i zgjuar nga një ëndërr kozmike
Ringjall shpirtin në prag të një gjëme.
Ndryshoi faqe dynjaja
Bobo ç’më zu belaja,
Ndryshoi faqe dynjaja,
Vajzë e komshiut sa një okë
Mori rrugën për në Europë.
Vajzë e parritur në pak muaj
Na u martua me një të huaj.
Plakë i rreshkur, tullac për fare
Vegël ndryshkur në kandarë.
Sy e vetull në të perënduar,
Ah i ziu mend po luan!…
Me sy e buzë rreshkur fare
Tek shikon vajzën manare.
Pa na erdhi në vit të ri
Dhëndëri “i ri” në Shqipëri.
Ish pisqollë në të vërteti
Nga ato që si mban vendi.
E derdhi paranë lumë
Mbi defin me buzët shkumë,
Me sytë në të perënduar
Korrozi, krejt i verbuar.
Tromaksi gra e fëmijë
– Ç’na gjeti moj grua tani!…
Tha Shaqo komshiu ynë
– Na prishi mor burrë krushqinë.
Se dija kaq lodhur për fare,
E të mos ngrejë një koqe kandarë.
E hoqi Sanija vajzën mënjanë
– Ç’na bëre moj bijë, lemerise dynjanë!…
Ti ishe më e bukra në fshat
Vajte dhe more këtë plakë sakat
Nuk gjeje dot një burrë tjetër
“Kandarin mos të na e kishte të vjetër”?…
– Nënë! Jetoj në perëndim, në kohë tjetër
Harroje tëndën kohë, ajo ishte e vjetër.
Le të jetë dyfeku dhe “kandari” i metë
Un dua para dhe salltanet në jetë.
Shiko si jargaviten ish shoqet lozonjare
Sytë shqyejnë djemtë hipur mbi gardhe
– Bah! Na u prish bota tha Shaqo mavrija,
U tundën themelet më zuri shtëpia
************************************
Enrieta Sina, shkrimtare
TË ANALIZOSH NË PRIZMIN PSIKOANALIST, FILOZOFIK DHE SOCIAL ZHVILLIMIN BASHKËKOHOR
– RRETH LIBRIT “FILOZOFIA E MARRËZISË”, e shkrimtarit BASHKIM ABAZI
Kushdo që do të mbante në dorë dhe do të lexonte librin “FILOZOFIA E MARRËZISË”, nuk do të shkëputej lehtë prej tij. Një hyrje e plotë metaforike dhe një zhvillim analitik që të sugjeron të mbash pranë fjalorin filozofik për të arritur të kuptosh atë që autori kërkon të përcjellë me aq kulturë e kurajo, shqetësimet e kohës. Një hyrje e mrekullueshme metaforike në figurën e qyqes dhe një trajtim kompozicional me tema e nën tema, ide dhe nën idetë, mesazhe dhe opsione për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen. I lodhur duke u mbajtur pas shkopit të pleqërisë, i Pari i Miletit hodhi me të shpejtë hapat e vështira dhe u mbështet tek parvazi i Dritares së Madhe. Jashtë ishte një gjysmerrësirë e trazuar. Veshi i stërvitur nuk i gaboi. Qyqja përsëriti refrenin me një interval të saktë:Ku-ku-ku…Si arritëm deri këtu.?Përse nuk habitem?.Është vetëm një faqe libri që do të përcjellë deri në fund të tij filozofinë e humbjes dhe të zhvillimit, përfshirë në të, individin, moralin, përpjekjet kundër ekzistencës së injorancës. Filozofia e marrëzisë, lajthitja e mendimit mbi bazën e instinkteve dhe neurozave si dhe kurimi i shpirtit, më shumë se sa çështje të mosbesimit apo kundërshtimit janë aspekte të Filozofisë dhe Psikanalizës. Kisha lexuar ndër vite pzikoanalistin që i reziston kohërave dhe na dikton progres, duke analizuar Humbjen Zigmund Frojd dhe psikoanaliztë të tjerë më pak të njohur dhe në këtë libër ndala me të njëjtin përkushtim dhe vëmendje për të gjetur risi të reja të përshtatshme për psikologjinë dhe filozofinë bashkëkohore dhe në shoqërinë tonë. Marrëzia dhe lajthitja janë sjellje dhe veprime prej të çmenduri, jashtë standardit etik në kundërshtim të plotë me arsyen njerëzore, na thotë autori. Dhe kjo përballur me realitetin bën që të qëndrosh të analizosh dhe të kërkosh atë që autori do ta shtjellojë në faqet në vijim të këtij libri, studimor, filozofik dhe psikoanalitik shumë të duhur për të gjithë. Individi dhe morali trajtohet me dimensione të vërtetësuara. Ku është bukuria e premtuar?Sinjalin e parë e jep ëndrra e mbajtur brenda kufizave të shtrënguara të shpirtit. Vetëm në pragun e vdekjes apo të një brenge të madhe, ëndrra shfaqet sunduese dhe e dikton shpirtin drejt altarit të rrëfimit. Ç’kam bërë, sa keq dhe sa mirë!Në ikje e sipër asgjë nuk pranohet të mbartet në botën e ëndërrimeve ende të pajetuara. Këtu nxjerr kokë filozofia morale. Duke rrëfyer para lexuesit diçka të përjetuar, autori tregon se si ndjellakeqësit, komunistë të rinovuar në Demokraci, servilë të destinuar për shërbesa, vendosin me vetëdije hakmarrëse ngujimin në kornizat e varfërisë, vetëm e vetëm për të kënaqur shijet e një morali të tjetërsuar me atë të Djallit. Të mjerët!Kanë harruar legjitimitetin e së drejtës dhe të së vërtetës. Por, tek njeriu me logjikë dhe me moral, të mos harrojmë për asnjë çast këtë radhitje të skalitur nga mendjendriturit-ekzistenca nuk e humbet asnjëherë arsyen. Mënyra kompozicionale se si i rendit autori esetë dhe mesazhet filozofike dhe psikoanalitike të tërheqin si me magnet për të zbuluar vetveten dhe enigmat e secilit prej nesh. Duke qenë një studiues i thelluar i filozofëve dhe psikoanalistëve të shumtë , autori përcjell tablo të së vërtetës dhe të pavërtetës bashkëkohore, të së mirës dhe të keqes, të mjerimit dhe të mundësive të zhvillimit duke vënë theksin në atë se askush nuk mund të pretendojë, ekzistencën e pashëmtuar dhe të pagjymtuar të qenies së merituar. Shpirti është koncept logjik i panjohur dhe brenda misterit. Për paraqitjen e funksioneve logjike të mendimit dhe varësinë e produkteve të arsyetuara ka një kufi, deri aty ku ato lejojnë aftësinë e përllogaritjes së vlerës dhe hapësirës për të thelluar më tej procesin e njohjes. Individi është i koklavitur bashkë me fatin social e politik. Arsyetimi i fatit kolektiv, ideja e përfitimit nga përvoja evropiane, aziatike dhe perëndimore, krijoji jo pak boshllëqe për shkak të shpirtit të pakultivuar mes nesh. Dinjiteti politik dhe autoriteti i individit janë të realizueshëm, në balancë me vlerat dhe kontributet sociale. Natyra, shkaqet, pasojat dhe qëllimi i qeverisjes përbëjnë thelbin semantik të filozofisë politike. Sferat e jetës nuk duhen cenuar apo i prekur nga politika. Tek kapitulli kryesor i këtij libri, “Marrëzia” janë të shtjelluara me një frymë transparente analitike probleme aq aktuale. Morali i katërpjesës. Morali shfaqet kërcënues:presion për politikën, frikë ndaj shoqërisë, korrupsion dhe kapje të instrumenteve të sigurisë dhe ligjit, paralizë të sipërmarrjes ekonomike dhe jetës së përditshme. Në secilin paragraf duhet të ndalesh dhe të analizosh qetësisht atë çfarë do të thotë autori me gjuhën e një fjalori filozofik. Duke u ndalur në filozofin Deni Didro autori na thotë:”Problemi i vërtetë i Didro dhe i kohës ishte demonstrimi i ndjenjave të vërteta; të dish të luash rolin për ta bërë atë sa më prekës për publikun. Këtu brenda mureve kufizues të referencës filozofike, mundohemi ta gjejmë sa më të plotë e të stërholluar fjalën dhe shkrimin, me tre dimensionalitetine tij: E para është tradicionalja, e dyta shkencorja dhe e treta modernja. Krijuesi, vazhdon autori i ka përjashtuar disa cilësi të ekzistencës hyjnore: përjetësia, përsosmëria, mbinatyrshmëria, gjithëfuqishmëria tek njerëzorja. Drejtësia në mendim, e barazuar me të vërtetën, bëhen objekt i debateve të dobishme kur korniza metodologjike e ligjësive apo rregullave të përgjithshme respektojnë interesat dhe shëndetin e shoqërisë. Edukata për tu shfaqur në mendim është unifikimi i shpirtit të trashëguar me vlerat e besueshme të mjedisit social. Autori kalon tek konkretja në vend. Çfarë duhet të ndryshojë në sistemin e drejtësisë: mentaliteti, legjitimiteti politik, instrumentet e kontrollit, profesionalizmi kundër injorancës dhe idhujtarisë, financë e pavarur e prokurorisë, paga unifikuese me rajonin, pavarësia, decentralizimi i prokurorisë apo rishqyrtimi paraprak i ligjeve me shumicë…Bazamentet e dijes janë ato që ngjisin shkallët e zhvillimit. Aftësia për të gjykuar rreket ndaj dallueshmërisë midis të mirës dhe të keqes. Përmirësimi i fatit të njerëzve është i vetmi objektiv i ligjshëm i shkencës dhe filozofisë. Në fillesë dhe në fund të gjithë kërkojnë të dinë arsyet e kushtëzimit të ekzistencës së tyre. Analiza logjike e njohjes shpirtërore nuk kufizohet vetëm në zhvillimin e proceseve psikologjike të ndjenjave por në studimin e kushteve që krijojnë strukturë autoritare dhe humane të karakterit individual. Një kapitull me mjaft interes është ai i titulluar:”Kujdesi për jetën!Në këtë kapitull autori përcjellë shqetësimet financiare dhe ato social-psikologjike. Qartësia e mendimit për t’u dhënë të vërtetën banorëve të planetit nuk përkon me vijueshmërinë e pashmangshme të progresit moral dhe intelektual. Midis tyre endet dukshëm misteri. Në një sfond historik, modelet dhe sistemet përjetojnë krizën. E endur midis një estetizmi moral dhe filozofik, dija e kohës i dha vetes atributet e kritikës, marrëzisë dhe madhështisë. Më shumë se sa i pëlqyeshëm, modeli i demokracisë u prezantua i virtytshëm, me vlera dhe standarde duke kërkuar të jap më shumë domosdoshmërinë për jetën dhe shëndetin e shoqërisë. Në nëntor të vitit 2012 në Tempullin e Ligjit, sekretarja e shtetit amerikan H.Klinton deklaron me kënaqësi të pafshehur: “Nëse dëshironi të shikoni një demokraci në veprim, shkoni në Shqipëri. Në një tjetër nënkapitull”. Të jetosh nuk është e lehtë, Sokrati mbetet filozofi i pashmangshëm, sepse artikuloi pritjen jetësore të gjetjes së modelit të dobishëm. Kuptimi për jetën rrok më shumë se sa një kornizë të rëndësishme të mendimit. Mjaft traktate filozofike i kanë shërbyer iluminizmit dhe kanë hedhur idetë e gjetjes më të mirë për t’i shpalosur të plota sigurinë dhe mirëqenien, lirinë ekonomike, drejtësinë sociale, të drejtat e individit dhe të grupit. Tek kultura e popujve, shteti, diplomacia zyrtare dhe politika gjejnë pa as më të voglin dyshim elementet më të fuqishëm të përbashkëta dhe lidhjet më të forta për të realizuar legjitimitetin e proceseve integruese për jetën dhe sigurinë ndaj ekzistencës së pritshme.
*************************************************************
Ermelinda Pashaj
Shpresa, meteori që përflak fjalorin e dhimbjes së përditshmërisë
Flutura e harresës përplasi flatrat, duke përhapur pluhurin e trishtimit në oazin ku fle ëndrra. U bënë muaj që zgjoj mëngjese nën refrene lutjesh të përsëritura… Si perëndi që respektohet ekstremisht, iu gjunjëzova ëndrrës, ku mbi qepalla të rënda mbështetet butësisht. Një qiri ndez për kohën vrastare ku sëmbon jeta…. Dita ra martire e ëndrrave, përthyer diagonalisht në mbështetje kotësore. Shikime verbuese mbi muzgun e xhamtë, në shtigjet ku ëndrra i tejkalon përmasat jetësore. Pentagramit qiellor, notat ngjyrosin melodinë ndjellëse te fletës së verdhë. Sa dhimbje kaluan, kalendari i di… Shpresa nuk i humbi shpresat duke e mbytur ëndrrën, por mbeti meteori që përflak fjalorin e dhimbjes së përditshmërisë. Qëndresë heroike mbi rrebeshe stuhish… Dhe ja ku sot, jemi të tre. Unë, shpresa dhe ëndrra… Silueta hapi dritaret e shpirtit ku aureola strehonte dëshirat e mbytura nga shpërfytyrime drejtësish. Start përndritje me farin xixëllues ku tik-taket pulsuese marrin trajtë dhe formë drithëruese. Shfaqet një blic hënor në vagonin e fundit të kohës ku priste përshpirtjen një adaptim njerëzor. Pluhuri, ku kyçur mbante dëshirat, u zhduk si re nëpër qiell. Krahëhapur horizontit përqafoj jetën diell… Koloritet si shtojzovalle rreth meje më ftojnë në vallëzim. E di… nëse ke shpresë dhe një ëndërr, ia vlen të frymosh në jetë për këtë qëllim.
**************
Izmir Todaj
U bënë ditë pa të shkruar,
Dhe besomë, malli më këput.
Ndonjëherë them:- Duhet harruar;
Por harrimi m’bën me vujt.
Naj herë them:- Pranoje vuajtjen,
Se do ta kesh mikesh në jetë.
E naj herë them:- Shporre lutjen,
Për një dashuri që s’të përket.
Naj herë them:- Duhet ta pres,
Derisa mendimet t’i qartësoj.
E naj here them:- Kjo është më keq;
Karma atë do ta shkatërroj.
Ja kështu, unë flas me vetën
Kur më këput malli për ty,
E marr lapsin dhe mbushi fletën
Nën melodinë që m’dhuron ky shi.
U bënë ditë pa të shkruar,
Dhe besomë, malli më tret;
Kur shikoj çatinë duke pikuar
Brenda dhomës time të shkretë.
U bënë ditë pa të shkruar,
U bënë javë pa të parë,
Ndonëse dua për të t’harruar,
S’të harron ky shpirt i vrarë.
************************
Xhensila Mirashi
– ME DASHT’
Me dashtë asht art ?
E me kanë art, artist duhet me le ?
E me le artist, kurrkush artin s’po ta kuptojke.
Me dashtë’ asht luftë’ ?
E në luftë’ shigjetar i mir’ duhesh me kanë !
Shigjetën bash n’loçkë t’zemrës me e lanë.
Me dasht’ asht me u tranu ?
Me u tranu krejt…
Syni me pa Hanë e Diell t’përqafum.
Me pa borë t’përflakun n’zjarr.
**********************
Greta Çullhaj
– Nisu nga “Ti”
Ti fal… Falja fisnikëron shpirtin. Fal heshtjen kur kërkove zhurmësi. Fal mjerimin kur kërkove dashuri. Fal fjalën që të lëndoi. Fal veprimin që të dëshpëroi.
Ti hesht… Heshtja tregon mature. Hesht kur s’ke asgjë për të thënë. Hesht kur je larg nga ” e thëna në të bërë “. Hesht kur fjala s’të vlerësohet. Hesht që mendimi yt të thellohet.
Ti fol… Ti thuaj ” Të dua ” Ti thuaj ” Faleminderit ” Fol me veten për veten dhe jo për të tjerë. Fol dhe në minutat e tua më të errëta. Shprehe shpirtin tënd me fjalë. Nëse lëndon ti thuaj ” Më fal “.
Ti dhuro… Dhuro dashuri pa e pritur në këmbim. Dhuro një vakt ushqim.
Ti lufto… Lufto me veten për veten për tu bërë më i mirë. Lufto dhe kur jeta është e vështirë.
Ti buzëqesh… Buzëqesh pas lotëve të rënë. Buzëqesh dhe kur s’ke motiv. Buzëqesh se pas shiut dielli lind sërish.
Ti shpreso… Shpresën kurrë mos e humb. Shpresa të keqen një ditë e mund.
Kështu bëj unë. Kështu bëj dhe ti. Për njerëz më të mire. Nisu nga TI.
*******************
Xheni Kapllani
–Gështenjë
Kërcëllin acari
Ma fort se dhamt e mia
Vjellun ka era tërbimin e saj
Plasaritës deri n’deje ,
Dimrue po kam unë në strofullën time
Kallama akullin prej lotëve ,
Ushqye në vatër
Me ndjenjën e bame thërrime .
Shoh hijen tanë në at’ mur të plasaritun
A ti je babë ? S’vonove dhe më erdhe ?
Çpaske sjell o bab ? A gështenja a ?
Apo thjesht gështenjat e dimrit të shku te sollën ty ?
Fryn o bab jashtë
E unë përmallim po shqepem tu i hëngër ,
e buke me nostalgji gështenje ly .
Se nuk është’ ma vjeshtë’
Siç qe dikur
Atëherë kur shiu kërciste me nge
Qanim dhe atëherë’ ma shumë se kurrë
Por, ma pak se tashti
Shumë më pak
Se me nostalgji qemë mbuluar
E tash që kjo batanije m’ka ma mbet mu, rreckë e vjetër
Hajde o babë se jam t’u fërgëllu !
Po ti nuk vjen…
Dhe unë pjek gështenja
Dhe unë pjek kujtime
Në zjarrmin e shpirtit tem.
Milazim F. KADRIU
PLISI
Plisi
Është lashtësia jonë
Është gjuha jonë
Është historia jonë.
Duke ruajtur plisin
Ruajmë kujtimet për të parët tanë
Ruajmë kujtimet për babën,
Gjyshin,…të gjithë me radhë.
Që nga ilirët e pellazgët
Plisi brez pas brezi
Qëndroi me shumë krenari
Si kala madhështore.
Mbulesë tradicionale
Në kokat shqiptare
Plisi dhe Flamuri
Janë komb e fe për ne!
Në të gjitha kohët
Trimat me shumë krenari
E bartën nëpër beteja
Bashkë me Flamurin Kuq e Zi.
Plisin tonë të bardhë
Do ta bartim gjithmonë
Gjersa të ketë
Shqipëri e shqiptar!
FLAKË VULLKANI PËR LIRI
( Adem Demaçit )
Akrostik
Baca qysh i ri ngriti zërin për liri
As s’u tretë e as nuk humbi
Cijatje gjarpërinjsh silleshin rreth tij
Ëndrrën e kamotshme e bëri realitet
Simbol qëndrese mbeti për jetë
Atdheun e kishte mbi të gjitha
Digjej si qiriri, që të tjerëve tu bëjë dritë
Edhe pse 28 vite kaloi në burg
Mbeti mendje e lirë
Duroi shumë dhe kurrë s’u nënshtrua
Edhe para egërsirave kokën lart, në sy duke i shikua
Me ditë, muaj e vite pa mbarim
Ai gjithmonë eci vertikalisht
Çlirimin e vendit herët e projektoi
Ishte dhe mbeti flakë vullkani për liri
Të gjitha tokat shqiptare, një Shqipëri!
YJET E KOSOVËS QË NUK SHUHEN KURRË
(Kushtuar Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës)
Ju zgjodhët vetëm një rrugë
U flijuat për Kosovë – Përherë bëni Dritë
Simbole përjetësie do tu kemi gjithnjë
U vrau dora gjakatare e Serbisë
Fjala dhe vepra juaj mbeti në histori
Kush ju vrau iu thaftë dora
Atdheun ende nuk e bëmë si ju deshët
Duhet hequr robërinë thatë, vendi meriton LIRINË!
Rinia shqiptare lirinë solli por ende ka punë
Ishit dhe gjithmonë do jeni mes nesh
Betimi juaj ishte i qartë
Askush s´mund t´na ndalë,vetën kombit ia kemi falë
Rrugës tejet të mundimshme shkuat, ne ju pasojmë
Dhe prapë rritemi,dhe prapë luftojmë
O ka Nënëlokja Sokola prapë Kosovës Zot për t´i dalë
Shtriga famëkeqe këtu më kurrë s’ka për të ardhur
**************************
LULJETA PASHOLLARI
UNË E DI QË TI MË DO…
Zemrën e plagosur askush nuk ma ngroh,
Vetëm ti, i dashur, në hapësirën bosh,
S’e paskam ditur sa mirë më ke edukuar,
Erdha te ty e vogël, s’më le për të gabuar.
Mësimet e tua, i kam vënë në jetë përherë,
Po për jetën time pse s’mendove njëherë?
Fëmijët u rritën, në çerdhet e tyre cicërojnë,
Kafazi im ka mbetur pa ty përgjithmonë…
Ditët ikin, muajt dhe vitet fluturojnë,
Zemra ime dhe ndjenjat ty të kërkojnë.
Unë e di që ti më do, këtë unë mirë e di,
Po detyrën që të lashë mbaroje në dashuri.
Dashuria jote e zjarrtë me djeg si vullkan,
Afrohu, i dashur, të të kem gjithmonë pranë,
Nga kjo botë mizore, dua të më shpëtosh,
Se njerëzit janë bërë ujqër dua të më mbrosh.
Kur këto vargje të lexosh, s’dua lotë në sy,
Dashuria jonë të jetojë gjer në përjetësi.
Mbase jam e lodhur e ty te kërkoj gjithmonë
Të më shtrëngosh fort, të ndezim zjarrin tonë.
.Ç’SHEMBULL DO JAPIM TEK BREZI QË VJEN…
Ike shumë larg, por prej meje s’largohesh,
Unë çdo ditë end për ty pëlhurën e bardhë.
Zemrat tona më shumë po dashurohen,
Stërkala vullkani shpërthejnë në çdo skaj.
Ik, po kokën pas mos kthe në këtë katrahurë,
Kur në piedestal të pamoralshmen po ngrenë.
Minat i kanë venë gjithë artit në çdo punë,
Nuk di ç’shembull do japim te brezi që vjen.
Lexoja dhe syve të mi nuk po u besoja
Thashë mos vallë jam qorruar, o miqtë e mi,
Apo mos në shkrim janë ngatërruar shkronjat,
ose numri i syzeve më është ndryshuar tani?…
S’ka si vendi ynë por duhet te ndryshojë,
Si të merren pushtetarët me punët bosh,
Ne presim shumë punë nga ata, jo vetëm gojë,
Dhe të krekosen nëpër ekrane si gjelkokosh…
Të mori lumi, o vendi im, si arritëm në këtë pikë?
Ah, sikur të frynte një tajfun, e mbeturinat t’i tresë.
Në vend të forcojmë familjet, divorcet rriten përditë,
Shoqëria u kalb, mes të gjallëve që jetojnë me ves.
Larg dua të degdisem e veshët t’i zë me pambuk,
Të jetoj në planet tjetër, mos dëgjoj çudira të tilla.
Hallet që kemi si komb, s’i zgjidhim dot me të butë,
Se janë shtuar sherret dhe hajdutët ndërtojnë vila…
****************
POEZIA E NXJERRË NGA DHIMBJA NJERËZORE
Gëzim Llojdia
1.
Nëse lexon poezinë e autorit Dalan Luzaj nuk ke nevojë të vërtitesh rreth qëllimit për të cilën autori shkruan në vëllimin e fundit poetik:”’Vargje që udhëtojnë”.Poezia e nxjerr prej dhimbjes njerëzore është si mushti,produkti që del nga shtrydhja e rrushit që prodhon dhe të ëmblën verë. Poezia e autorit D.Luzajt dhe e krijuesve e të tjerë ,që kanë dalë të traumatizuar prej diktaturës së një shteti është dhimbje,pasqyrë e saj dhe nëse ajo nuk shfaq ndenja prej të cilës rrodhi nuk është në të vërtetë poezi. Unë e di se mjaftë prej strofave të poezisë së Dalan Luzaj janë ndjenjat e tij të lënduara, kur askush nuk ka mundur dot ta ndihmojë në kohët e trazuara .Shqipëria pas luftës së dytë botërore ishte protagoniste e një regjimi të ashpër klasor ku dhimbja njerëzore mori mjaftë nga jetët. Horizonti ishte një sistem i frikshëm i luftës së brendshëm dhe të jashtme. Dalan Luzi shprehet se pas këtij rrënimi,pra rrëzimi i mureve të diktaturës,shpërthyen ndjenjat emocionet, që u pasqyruan në veprime dhe dëshira të shprehura gjithandej. Mes mijëra librash,krijimesh të zhanreve të ndryshme,si një pikë uji,rinisa të shkruaj edhe unë poezinë time të cilën pata nisur herët,por që u struk në thellësi të ndërgjegjes sime prej dukurisë më barbare,të ashtuquajturës:Lufta e klasave’,që çuditi botën. Këto janë ndjenja, që ne të gjithë i kemi në jetë tonë diku ose në një tjetër çast . Në shumicën e herëve ne fshehin këto ndjenja dhe përpiqemi të bëjnë të dukemi sikur ne jemi të lumtur. Unë gjykoj se ne të gjithë mund të shohim këto se jetët tona janë bërë nga veprimet në jetën tonë. Mirë apo e keqe do të ndodhë. Pra si dhe qysh shqyrtohet që ju nuk hapët zemrat tuaja për të sëmurët dhe të varfrit dhe tu tregojmë se ne i kuptojmë problemet e tyre në këtë jetë. Dhimbje në jetën time në kohë është aq e thellë kjo më bën të ndihem sikur nuk mund të lëviz. Diktatura ishte në të vërtet një makinë e çmendur. Dhe emocionet, që sjell një poezi nuk është vetëm në lidhje me autorin,por kjo është një pjesë e të gjithë njerëzimit. Një koleksion e poezive origjinale që kanë të bëjnë me temën e dhimbjes është shkruar me aq pasion, në çdo fjalë dhe rimë. Dhimbshëm poezia nga poeti- që i cili kanë derdhur përvojën e tyre dhe formulohen çdo ndjenjë me një ndjenjë të thellë të mallit. Poezi për dhimbje ndodh kur zemra mund të konsumojnë më shumë dhimbjen, dhe poezi të tilla të dhimbshme bëhen kryevepra. Poezi për dhimbjen. Ajo ishte vetëm një plumb. Një plumb që ndryshoi gjithçka që e bëri tokën me lot në një mijë, milion lotët që rrëshqasin menjëherë në mijëra zemrat të mbushur me pikëllimin të palodhshme. Duke përjetuar poezitë e ndjera të nxjerra nga vëllimi ’Vargje që udhëtojnë” të poetit shqiptaro-amerikan Dalan Luzajt po hedh disa fjalë poetike :Në detin e heshtjes, është një mbeturinë e së vërtetës se thelbi, mbretëron zemrën. Një luftë në heshtje të qëndrueshme, e një kujtim i vetëm, me një ndjenjë intensive. Qielli ka u kthye ngjyra ishte e kuqe; Megjithatë ndjenjat në zemrën time nuk janë të vdekura. Dielli është gati të rritet. Unë nuk mund të harroj ato sy të bukur,ngase edhe unë njeri isha dhe sytë kullosnin lehtë përmbi atë bukuri femërore. Unë kam qenë i fortë, siç kam menduar se kjo do të jetë. E vërteta nuk mund të çlirohet. E vërteta është lider i vetëm për të përkulesh para. Dhe lutu:I nderuar Zoti më ke mbajtur nga rreziku. Më ruante nga e keqja. Më mbaj nga mëkati i nderuar Zoti im,më vunë zjarrin në zemrën time. I nderuar Zoti im, kaloje frymën tënde në fytyrën time, më ruaj nga djalli,kështu që unë mund të bërtas në paqe.
2.
Dalan Luzaj u formua si poet ,vetëm kur muret e herëta ranë në dhjetorin e rinisë. Poetët janë rebelë për një arsye kryesore, e cila është absolutisht thelbësore: është gjuha e tyre , më e rëndë se shpata dhe që vret më tepër se pushka. Letërsia që kishte lexuar D.Luzaj dhe të tjerë ishin një farë soji me atë çfarë shkruante Vid,(Universiteti i Mariborit,Slloveni) se:Pas revolucionit të tetorit në Rusi, qeveria sovjetike ka filluar zbatimin e një ideologjie të re të quajtur “realizëm socialist” si standard zyrtar për artin dhe letërsinë. Sipas propagandës së re ideologjike, vepra letrare duhej të lartësoj përmirësimin e jetesës për shoqërinë komuniste në Bashkimin Sovjetik, për të rritur punëtorin e përbashkët duke paraqitur jetën e tij, të punës, dhe rekreacion si të admirueshme, si dhe për të paraqitur një pamje negative të mjerueshme nga jeta e punëtorëve dhe fshatarëve në vendet kapitaliste. Me fjalë të tjera, qëllimi i saj ishte për të edukuar njerëzit në qëllimet dhe kuptimin e komunizmit. Art i prodhuar sipas realizmit socialist është dashur të jetë realist, optimist, dhe heroik. Praktika e saj është shënuar me respektimin rigoroz ndaj doktrinës partiake dhe të teknikave konvencionale të realizmit. Nën udhëheqjen e Stalinit, shkrimtarët shërbyen si “inxhinierë të shpirtrave njerëzore” dhe romanet e prodhuara, tregime, artikuj, editorialeve, kritikat, dhe satirat brenda një kornize të kufizuar në të cilën ata u përpoqën ta lavdërojnë shoqërinë Sovjetik dhe socializmin. Kështu ngjau edhe te ne gjithsesi kjo ishte formulë për gjithë vendet që kishin aspiruar socializmin. Dalan Luzaj edhe por të kishte kërkuar të bëhej poet në atë kohë askush nuk do ta merrte parasysh ngase ai mund të shkruante të hiqte mënjan kohë të vyera dhe nga produkti i shpirtit të tij të prodhoheshin vlera të vërteta, që do të zhvillonin këtë impuls personal dhe emocional ,mirëpo ky produkt shpirtëror ,mund të merrej pothuajse në drejtim të kundërt ajo e një përdorimi krijues që të vuajnë vetë,nga produkti i tij si instrument i luftë së klasave,nga biografia e të atit ,një filozof me përmasa botërore dhe i vlerësuar nga president të disa shteteve. Ndonjëherë jeta vë njerëzit në situata ku zgjedhja është e qartë: ose për të jetuar në paqe me veten e tij, ose për të negociuar një jetë më të mirë kompromentuar me ndërgjegjen e tyre shkruan, Héctor R. Romero për Raúl Riveron. Edhe rasti i Dalan Luzaj ngjet duke zgjedhur si alternativë,do të flas koha edhe pse koha priti dhimbshëm më gjatë se kurrë për tu shfaqur si poet në moshën e tij të tretë një kohëzgjatje të tillë ka është gdhendur shkrimet në lëkurën e shpirtit, duke pritur shuarjen e diellit të Atlantidës në akujt e jugut. Vet autori për këtë periudhë shkruan:Kur komunizmi dha shpirt i sëmurë ne shtratin rus, ishte rrjedhoje edhe për lindjen e mbarë, që kanceri i kuq s gjeti me gjak te ushqehej gjer te ne. Pas këtij rrënimi, shpërthyen ndjenja e emocione që u pasqyruan ne veprime dhe ne dëshira te shprehura gjithandej. Mes mijëra librash, krijimesh te zhanreve te ndryshme, si një pike ujë, rinisa te shkruaj edhe unë poezinë time, të cilën e pata nisur herët, por qe u struk në thellësi të ndërgjegjes sime prej dukurisë me barbare, të ashtuquajturës “lufta e klasave”që çuditi boten. E fillova herët me shprese se do thosha fjalën me zjarrin e shpirtit, me bukurinë dhe sinqeritetin e çdo te riu, por koha tha diçka tjetër, qe shqiptaret s’do ta besojnë ne breza. Ëndërroja për qiell e drite, për fjalën e ndjenjës se kulluar, por zhgënjimi fshiu te gjithë të ardhmen time dhe bashke me jetën dhe atë grimce talenti qe priste te rritej. Pra edhe unë u shfaqa mes turmës se shkrimtareve për të thënë atë, që mund të thotë një zë i ndrydhur, mes kësaj stuhie dhe s “dihet se cili do te ketë forcën për ti qëndruar erozionit kohor, që është konkurrenca më e ashpër mes krijuesve. S ‘janë shprehjet e miqve dhe shokëve vlerat e një libri apo poezie, ato janë me tepër pengesa, qe te ndalin, vlera e vërtetë e një krijuesi do te duket vone, edhe kur te mos jemi ne. Autori D.Luzaj shprehet se poetet e vërtetë janë shume pak, të privilegjuarit e Zotit, që koha është e pafuqishme për t i’ hedhur në harresën e saj. Dëshira është ndryshe, e vërteta është më e besueshmja, të tjerët do ti lexojnë poetët e vërtetë, kur stuhia do ti nxjerrë në anë dhe ata do të kenë te drejtën e jetës, pa mundur që tua heqë askush privilegjin që u dha Zoti. Lidhur me kohë,frymëzimin e tij autori D.Luzaj thotë:Në qëndresa të veçanta, shpesh te çuditshme dhe të pa besueshme, më ka gjetur muza dhe i kam marre mjaltin dehjes se saj, kam shkruar ndonjë varg i dashur lexues se erdhi dhe … nuk te vjen me!Jam i gëzuar dhe i privilegjuar kur më lexon lexuesi i çdo moshe, se pas leximit lind gjykimi dhe pas gjykimit bëhet vendimi në sallat më të bukura dhe të ndritshme, të shpirtit atje ku zemra dhe truri në njësinë hyjnore bëhet një dhe poeti qëndron apo flaket jashtë. Bënë një ndarje të saktë autori kur shprehet rreth krijuesve të poezisë. Poetet janë dy grupe, te zemrës dhe te mendjes! Çdo grup ka vlerat e tij dhe simpatizantët e tij. Çdo gjë e thënë nga shpirti e ka te hapur rrugën për ne shpirt të lexuesit, është e besueshme sepse është e vërtetë. Kam shkruar poezinë e ardhur, kurrë s ‘e kam kërkuar, se ajo as gjendet, as kapet. Kam shkruar poezinë e zemrës, jo të trurit që shpesh behet prozë poetike dhe e mërzitshme. Është i vërtetë postulati se poezia është bija e parë bukurisë hyjnore dhe për të ngjitur do shkallë për atje duhet të gjesh të gjitha udhët por ato udhët e zemrës janë edhe ato udhë mistike.
**********************
MEVLUD BUCI
BALADË: TRIMI I RRALLË I LIRISË
(Kushtuar birit të Lurës, ish-ushtarakut të nderuar të kombit, Dulejman Loka, ish-partizan i Brigadës së 4-ët Sulmuese, gen i burrërisë dhe vëllazërimit lurian e kombëtar)
1
Shkreptimë e kreshtës
Zë i tabanit
Kurorë e bjeshkës
Kullë e Lurianit
2
Kullë e Lurianit
KU barot mbin toka
Trim i mejdanit
Dulejman Loka
3
Dulejman Loka
Ku të ka Lura ?
Të nderon epoka
Burrë përmbi burra
4
Burrë përmbi burra
Shpirti i lirisë
Azgan të ka Lura
Provë e trimërisë
5
Provë e trimërisë
Shqipe me flatër
Bir i Arbërisë
N’Brigadë të katër ….
6
O zë kushtrimi
O duf shtrëngata
Të ndriçon betimi
Dhe plot dekorata
7
Dhe plot dekorata
Gjoksin t’hijeshojnë
Fjalët e zjarrta
HOVIN shqiponjë
8
HOVIN shqiponjë
Lurian vllazërie
Brezat s’të harrojnë
O prijs lirie
9
O prijs lirie
Nuk të tret toka
Sokol Arbërie
Dulejman Loka
10
Dulejman Loka
Gen i burrërisë
Rron në epoka |
Trim i Lirisë
…
11
O zë vetëtimë reje
O gen bir Luriani
Me kushërinj dritë beteje
Si Bajrami e Asllani
12
Si Bajrami e Asllani
Nuk iu tutën Nemcelisë
SI luan xhaxha Xhetani
Mejdan i burrërisë
13
Mejdan i burrërisë
Porsi shqipja me fletë
Përballë Nemcelisë
“E tanë Lura 108-të”
14
“E tanë Lura 108-të”
Në këmbë për lirinë
Të tanë porsi anteu
Bash binjak me stuhinë
15
Bash binjak me stuhinë
SI viganët nëpër shqota
Për atdhenë , për lirinë
Luftoi ky Dule Loka
16
Luftoi ky Dule Loka
Luriani i mirësisë
Burrë i thjeshtë në epoka
Trim i rrallë I lirisë .
KRENARI JETE …
Eci i qetë
Si pëllumbi
Në beharë
Për gati
Gjysmë shekulli
Mësova
Nxënësit e mi
Të ndritur
E krenar ..
S’më hëngrën
Smogu
I ministrive
Marrëzitë
E partive..
Eca e eca
Pendë vigan
Udhëve
Të fisnikërive …
Mirësitë
Më rrezatojnë
Si I thonë :
Me pashë
Karrieristët
Partiakë
Ngjyracakë
Shpifacakë
Në shenjtërinë e tyre
I lashë …
Nuk më mposhtën
lanet
As lanetë
Si Runja ime
Kam
Krenari jete …
KAM MALL…
Kam mall, malli më djeg në sy
Të përmallohem me ty , me ty
Kam mall, malli më ndez flakë
Të të vendos te flokët një zambakë
….
Kam mall dhe malli më fisnikëron
Të të flas me zjarr si gjithmonë
Kam mall, malli më jep gëzime
Besnikja, e zgjuara gruaja ime
Ti rrezaton çiltërsi të rrallë
Për ty kam mall, kam mall …
EPOS…
Sa tinguj të kristaltë
Ngrenë honet
Kur oshtijnë
Si ortekët në shpatet
E kumbueshme
Si retë kur vetëtijnë …
Peizazhet që nusërojnë
Grykave
SI kaltërsi
Detesh …
Përcjellin madhështi
Dhe plot ninulla
Djepash …
GENI DHE DËSHIRA IME …
S’ kam shkruar kurrë
Për tre gjyshat
E mi
Që ranë për atdhe
Për flamurë
E për liri
Nën RUNJË
Lukanjak
Jam krenar
Se nip më ka
Luznia
Me Luznak …
Për nga gjyshet
E mia
Qe ishin si lisnajat
Në shpat
Jam stërnip
E kastërnip
Në Mat …
Një ëndërr
Një përmallim i lashtë
Dy Dibrat
E mia
Ti shoh bashkë …
Në mote
Në këngë
E në jetën time :
Këto janë geni
E dëshira ime …
FAT PËR MUA
Jetoj i qetë
S’më mposhtin
dallgët
As rrufetë …
As të pabesët
E meskinët
Me mend
Si flutura
As llafollogët
Me fjalët e bukura…
Me dëlirësi
Eci
Në bardhësinë
E ditëve
Gdhendi veç mirësi
Si bir i Katër –Grykëve …
Nuk u bëra
Ortak me shejtan
Nuk u ngjita
Ministrive
As në parlament
Si pordhithikan …
Se ndërroj
Me botën
As me parajsën
Runjën
Sinonim jete
Kam:
Dritën
Mirësitë
Pendën
Punën
O njerëz të shpresës
M e shpirt fort u dua
I thjeshtë
I pamposhtur
Udhëve të djersës
Fat për mua …
Dragua Shehu
O Mete për vete
Ky slogan është ca i hershëm
Atëherë një Mete kishte
Po tani ne si t’ja bëjmë?
Të gjithë janë “Mete për vete!”
Amrin Drago
Një “Mete” për vete njihja
Sa shumë “Mete” në Shqipëri
“Emrin Drago” unë e kisha
U bëra “Mete” Tani
Rralloi rakinë
Shoku im rralloi rakinë
Bëri një grafik të ri:
Një ditë një, të dytën dy
Dhe të tretën s’kish raki
Shes ujë
Ceni shet ujë nga përroi
Ç’bën o Cen, s;është ujë kroi
S’ka gjë thotë Ceni i metë
Se kështu kam pirë dhe vetë
Pensionisti
Më thotë shoku: Ke kapital?
Ku e gjeta, në pension jam!
Të shikoj që vjen vërdallë,
Në punë s;jam, por shumë punë kam
Gjahtarë
U mblodhën shumë gjahtarë
Garantuan çobanët në mal
Se s’do mbetet ujk pa vrarë
Por dhe qentë mbani për mall!
Përparime
S’jemi ne siç kemi qenë
Përparime kemi bërë
Shkencë dhe universitet plot
Çudi s;prodhojmë një gozhdë
Korrupsioni që bën punë
Korrupsioni fjalë e re
Që nuk e përdorim shumë
Në çdo cep tani e ke
Gjë e keqe… që bën punë??!
******************************
Nga Kujtim Mateli
Dashuria dhe njeriu i dashuruar në poezinë e Anila Krutit
Anila Kruti, pas dy vëllimeve poetike “Përtej skajeve me ëndrrën” dhe “Psherëtima e gjethes” del para lexuesit me vëllimin e tretë poetik “Qielli s`pranon arna” e cila të befason me gjetjet e saj artistike, një poezi origjinale që ka dalë nga përjetimi i thellë i realitetit të sotëm. Elementi kryesor që përbën shtyllën kurrizore të poezisë së Anila Krutit është dashuria. Kjo ndjenjë njerëzore që e çon njeriun të kuptojë jetën dhe mjedisin njerëzor ku jeton, është e shkrirë organikisht në poezitë e këtij vëllimi.
Në lirikën e Anila Krutit është njeriu i ditëve të sotme, i mbushur me Dashuri në realitetin në të cilin jetojmë. Kjo dashuri nuk e ka një cak në planetin Tokë. Ajo ndjehet në çdo cep të tij. Është dashuria për njerëzit e këtij mijëvjeçari, që nga Japonia në Lindje e deri në kontinentin amerikan në Perëndim. Të gjitha këto krijesa njerëzore të planetit Tokë, dashurojnë njësoj, kanë shqetësime e problematika të njëllojta, sepse në radhë të parë duhet të ruajmë dhe të duam planetin në të cilin jetojmë, pastaj kontinentin, pastaj shtetin e më në fund atë vendlindjen që cilido e ka të shtrenjtë e të dashur.
Kjo mënyrë preceptimi e poezisë së Anila Krutit e bën atë një poete të ditëve të sotme, që e ka vulosur profilin e saj poetik me mesazhet që përcjell ky Mijëvjecar i Tretë i erës sonë. Ndaj poezia e saj do ta zhvendosë ndjenjën e dashurisë që përjeton njeriu i këtij mijëvjeçari në të gjithë hapësirën e planetit Tokë e përtej tij.
Tek poezia e këtij vëllimi: “ Po zgjohen ëndërrimet”, njeriu i ditëve të sotme jeton momente përtej realitetit të planetit Tokë.
“ Mbi prehrin e virgjër të hënës,
fle qënia ime….
Sytë e mi takojnë sytë e tu mes yjesh”
Kjo ëndërr njerëzore për të zbuluar botën shpirtërore të njeriut të planetit Tokë dhe ëndrrën e tij për të depërtuar në misteret e universit, kanë zënë vend artisitikisht në poezinë e Anila Krutit. Janë dy nga drejtimet e njeriut të Mijëvjeçarit të Tretë. Njerëzit e këtij planetit, pavarësisht se ku ndodhen, pavarësisht se cilit besim i përkasin, jashtë çdo gjyre e shkalle zhvillimi ekonomiko-shoqëror, kanë në fokus disa të përbashkta që i lidhin fort me njëri-tjetrin. Të duam njëri-tjetrin si krijesa të këtij planeti, të duam njëri-tjetrin si qënie njerëzore që jetojmë në një epokë të caktuar. Ta vulosim këtë epokë me dashurinë tonë për njëri-tjetrin. T`i ndodhemi njëri-tjetrit në krahë në çdo moment të vështirë. Një komb, sado i përparuar që të jetë, sado ligje të përsosura që të vendosë, nuk mund të ecë përpara pa pjesën tjetër të botës.
Poezia e Anila Krutit sjell para lexuesit pamje të mrekullueshme ku brenda natyrës së bukur lëviz një shpirt njerëzor që e bën më të gjallë pamjen, i jep jetë. Teksa lexon poezitë e saj ndihesh optimist: jeta duhet jetuar. Jo i vetëm dhe i izoluar, por në një mjedis shoqëror.
Në poezitë e këtij vëllimi jeta përjetohet në të gjithë larminë e saj, veçanërisht jeta në çift. Në poezinë ” Pa ty ndodh apokalips” trajtohen marrëdhëniet bashkëshortore. Jeta njerëzore jo gjithmonë ecën ashtu siç e ëndërrojmë. Një kombinim i asaj që përgatisim vetë dhe i asaj që na është paracaktuar. I asaj që dëshirojmë dhe i asaj që na ka caktuar fati. Në këtë ndërthurje mistike, endet jeta njerëzore. Për të depërtuar në këto të fshehta që shoqëria njerëzore i ka patur që nga fillimet e saj, autorja i drejtohet antikitetit. Edhe njeriut të sotëm Zotat ia kanë shkruar orakullin. Edhe njeriu i sotëm, ashtu si tre mijë vjet më parë, i drejtohet të dashurës së tij me fjalën “prit”. Dhe pritja nganjëherë është e gjatë. Autorja i drejtohet simbolit të kësaj pritjeje që është ajo e Odiseut dhe Penelopës. Ndërsa Odiseu i kohëve të sotme vazhdon të përmbushë misionin e zgjedhur prej tij dhe të paracktuar nga fati, Penelopa e ditëve të sotme vazhdon pritjen e saj. Dhe ndodh që në këtë pritje ajo sakrifikohet deri në ekstrem dhe i drejtohet bashkëshortit të saj se:
” Unë si pulëbardhë
vdes tek ti”.
Po njeriu i sotëm nuk është ai i Mijëvjeçarit të Odiseut. Kohët i kanë dhënë të tjera përmasa jetës. Tek poezia”Kumbullat po qajnë” kemi një tjetër pamje. Femra e ditëve të sotme e braktis fatin që edhe asaj i ishte shkruar si Penelopës. Miti i pritjes së gjatë është shembur. Femra e ditëve të sotme është veçse një zanë. Tani, thotë poetja:
“Shpresat e reja me një fjongo të kuqe yjesh
më çojnë rrotull shtëpisë,
Te kumbullat e mia të fëmijërisë”.
Ky kthim tek vendlindja nuk është stacioni i saj i fundit. Nga aty ajo nis një rrugëtim të ri, shikon përtej vetes. Prej aty i drejtohet botës së madhe:
“Shqep një cipë të kohës
dhe vë syrin jashtë”.
Bota që na rrehton nuk është e huaj. Ajo është pjesë e jona.
Poezitë e këtij vëllimi pasqyrojnë estetikisht lidhjen organike të njeriut me natyrën që e rrethon, përtej planetit tonë me universin e gjerë, prej nga lindin përjetime të fuqishme filozofike, mbi jetën dhe vdekjen, si pjesë të pandashme të çdo qënieje njerëzore. Në këtë segment të jetës njerëzore që është njëkohësisht dhe segment i shoqërisë në të cilën jetojmë, njeriu kërkon të lërë gjurmën e tij, atë gjurmë të zhndritshme që do të dëshironte të ndriçonte së pari vendlindjen e vet, pastaj më gjerë: krahinën dhe atdheun, dhe pse jo, të bëhet pjesë e universit të vlerave botërore.
***********************
Nga AGIM JAZAJ
KLONET…
Krevatin e hapa përmbi detin,
Detin e zotëroja unë dhe peshqit,
Mesnata më përplasi në një kthinë,
Edhe ujit gjeniu i ka vënë kufi,
Peshqit si përfillin klonet dhe doganat,
Ata e zotërojnë detin, me tapi!
Natën me hënë fluturova mbi hapsirë,
I rashë kryq e tërthor qiellit,
Qielli është i imi dhe i zogjëve,
Era diku më struku në një kthinë,
Shpendët shkelin pa viza gjithë qiellin,
Dikush bërtiti: Kthehu, aty e ke kufinë!
Toka, deti dhe ajri të parceluar,
Tutje nuk futë as majën e thoit,
Si t’u ngrejmë tatime e dogana,
T’u ndërrojmë emrat dhe fenë,
Pa përjashtim; peshqve dhe zogjve,
T’i paisim me viza Shengen!
BRENDA SHPIRTIT
Kam përmbledhur 28 mijë km katror,
Ruaj brënda njerëzit, delet dhe malet,
Të mbjellë në shpirt, rriten në kraharor,
Presheva, Ulqini dhe Gostivaret !…
Këngët, dasmat, tingujt e culës,
Në shpirt më rrojnë, çelin bisqe,
Aroma e trëndelinës më kutërbon udhës,
Nga djemt e rinj, që s’kanë vënë brisqe !
Brënda vijës së “vredhë” shpirtërore,
Shtëpi të ngrejnë serb e maqedon pa cak,
Ata që mbjellin palma e pisha halore,
Ata që s’vijnë – era gjak!
Si mina kërkues, shpirti hunguron,
Ndjen mashtrues, kriminel e alabak,
Të gjithë, të gjakut e sojit si veçon,
Të pa udhëve, su jep kurrë hak.
Rrotull shpirtit shlodhen njerëz pa sqimë,
Të ç’do rrace, me fe dhe pa fe,
Këto mi la paraardhësi trashëgim,
I ruaj me “tapi”, Testament i le!
LIRIA REFRENI….
Liria Shpirt,
Liria Zemëra,
Liria më rrit,
Liria ëndërra!
Liria dritë,
Liria art,
Liria ditë,
Liria natë!
Liria at,
Liria nënë,
Lira fat,
Liria hënë!
Liria këngë,
Liria muzë,
Liria rëngë,
Liria në buzë!
Liria mit,
Liria jetë,
Liria syt,
Liria dert!
Liria diell,
Liria shpresë,
Liria qiell,
Liria vesë!
Liria gaz,
Liria lot,
Liria maraz,
Liria Pot!
Liria Verë,
Liria Novruz,
Liria Ferr,
Liria shpuzë!
Liria brengë,
Liria e para,
Liria peng,
Liria e qara!
Liri ipotekë,
Liri tempull,
Lira pek,
Lira mjegull!
Liria zemëra,
Liria gjaku,
Liria femëra,
Liria meraku!
Liri të rri,
Liri të shkoj,
Liri të vij,
Liri të vuaj?
Liri të lodha,
Duke lexuar,
Ndoshta të shlodha,
Duke kënduar!…
******************
Tyran Prizren Spahiu
Jemi të një gjaku
Gjuhe Ilire të bukur…
Tani më ndëgjoni
Vëllezër
Dhe ju motra të Nderuara
Ne
Frymojmë në tokën e Etërve
Përbashkëta i kemi dasmat
Ceremonitë fetare
Vdekjen…
Jemi
Nën qiellin tonë
Edukuar më pastërtinë e bjeshkës nënë
Të respektojmë njeri tjetrin si Gralin e Shenjtë
Vetëm ashtu
Në ardhmërinë e sigurtë do lundërojmë
Ate të Lidhjes së Prizrenit…
Heshtur qetë në paqe beteja lufta
Mësuar kemi shumë mësime
Duruar erupcionin e urrejtjes
Tani
Jo më themi ndalu
Nuk do ndodhë Titaniku
Vëllazëruar jemi me drejtësinë
Nisur shtegut të shtetpërjetësisë
Dhe një ditë
Do ngjallemi në tokën e Etërve.
ELEGJI PËR POPULLIN
Mos vajto populli im i mjerë
Ishim pa fat posi e pafuqishmja erë
Shumë hero janë prerë
Në historinë tonë të gjatë përherë.
Me shekuj të shkelur na sunduan
Shumë herë edhe na masakruan
Ditëve të gjata hienat na torturuan
Netëve pa fund të dimrit na dhunuan.
Qëndruam stoik në prag me nder
Atdheut dolën besnik shumë krerë
U flijuan gjeneratat pandërprerë
Trimërisht armikut dolëm në derë.
RRUGA E KËNAQËSISË
…mëngjesi i hershëm më pret
Mbledhur janë pllumbeshat e Lumbardhit
Nën sqetullën e majtë kam ushqim
Janë mësuar më urojnë mirëseardhjen.
Matanë lypësi në moshë është
Më dhuron mirënjohje të ngrohtë
Përshëndes me dorën e shtrirë
Kënaqur të dy themi kalofsh mirë.
Rezervuar janë dy karriga tek Corneri
Gazeta ditore dhe libri me poezi
Prof- si zakonisht kafe pa plumb
Të lutem them me shumë mirësi.
Sytë pareshtur nën tymin e cigares
Enden poshtë te shpezët lundërues
Ushqyer mirë largohen të kënaqur
Pëshpëris shihemi sërish nesër.
Fjalët e poetit drejtohen mbretëreshës
O Zot them je shumë sfiduese
Erupcioni pret pashpërthyer shikjimin e saj
Që vullkani im mistresën bjonde të mbuloj.
**********************************
Valter Dauti
MOSHË E ÇMENDUR
Unë shuhem… brenda buzës tënde,
Tulatem,vdes…dhe më, s’marr frymë,
Ma more moshën dhe ma çmende,
Më ndeze brenda veç furtunë.
Si dreqin është kjo punë kështu?
Po ti,nga hyre,nga ç’derë,nga ç’ cep?!
Unë te kam puthur…mbi retë flu,
Të kam ngacmuar,s’di në ç’planet.
Krejt kot, çapkënçe, ta shkela syrin,
Reflekset bionde, ishin ngacmim.
Ti,si nje xhind, derdhe veshtrimin,
Dhe më përpive, si një xhind.
…Tulatem brenda buzës tënde,
dhe drithtërohem, nuk nxjerr dot zë…
Ma more moshën dhe ma çmende,
Dhe se kush jam, s’e gjej.. dot më…
PIKOJNË LULET
Pikojnë lulet dëshira të ëmbëla,
Nga petalet e brishtë, që po i preke,
Çvirgjërohen dhe harlisin ëndërra,
Të vdekura deri në përtejvdekje.
Pikojnë lulet mjaltë nusëror,
Nga veli i pëshpëritjeve të fshehta…
Ti,etja e pashembullt e nepsit njerëzor,
Honet e nënvetes,i ke puthje të lehta.
Pikojnë lulet. Çelje –vyshkje, pikojnë.
Pakstinën e tyre e zhveshin nudo.
Ashtu…të hijshme, shumëdritash lodrojnë,
Zhvirgjërinë heshtje-vdekje ,kanë kredo.
DHIMBJA E ULLINJVE
Kanë ulur kokën,
heshtin ullinjtë e mi.
S’janë as Muhamet,
s’janë as Moisi…
Prej dhimbjes,
nga sytë,
u kullon lëng floriri
që thërrmohet në tokë,
deri në bërthamë,
Të ndezin pak magmë
me lotë….
Kanë ulur kokën
e fërfërijnë,
pak erë
nga malet Nablis,
në Palestinë…
(që andej nga vijnë!)
Në trup
kanë Topuzin e Herkulit,
Krevatin e Penelopës,
Syrin e Polifemit,
‘’Kantikën e kantikave’’
Dhe…
Zjarrin e Diellit.
Kanë ulur kokën
ullinjtë e Planetit tim…
Dhe Paqja qan…
Si sheikë të lashtë:
-mjekrën derdhur
drejt qëndrës së botës,
dhe Turpin
Në ‘’Mouse du Louvre’’,
Në teatrin ‘’Bataklan…’’
Në restorantin’’Rue Albert’’,
‘’Le Korillon’’,
një francez,
dhe një negre,
Vinin
kurorë martese.
U përgjak kurora,
Gjethe ullinjsh,
u rrëzuan përdhe
Të vrara…
U shkërrmoqën
Dishepujt e Jezusit,
Ulliri në malin e Sinait,
mallkoi ullinjtë,
Rënkoi me të qara.
Hyjneshat Irenë dhe Athina,
I fikën llambat,
që digjnin lëng të florinjtë,
Parisi përgjakej nga nata…!
…në bulevardin ‘’Volter’’,
Presidentët e shteteve ,
duartrokisnin paqen
dhe,
Shtypnin ullinjtë nën taka…!
SARA FUGA
Eci në rrugët e tua të lagta
Vesa e mëngjesit,
i ka spërkatur
Gjethet e fundvjeshtës
kudo jan përhapur
Tapet gjethësor i verdhë i tejpjekur
Me bishtsyri vështroj
Tek tuk ndonjë e portokalltë e ndezur Këtë fundvjeshte e adhuroj
Pëllumbat bardh e zi ulen e ngrihen në pakëz bar të mbetur
Një zymtësi e thelluar Kalanë e ka mbështjellur
Është hera e par Elbasan vargje të shkruaj
Në gjirin tënd, s’e ndjej vehten të huaj! Sot…
Të pash te zhveshur, siluet e një femre lakuriqsuar
Ti në vetvehte je i heshtur
E bukurinë ta kan harruar!
Psherëtin si një plak moti,
mbi shpin shumë shifra mban
Belbëzon si engjëll zoti
Era rrethuese lotët t’i than
Sot u bëre muza ime
Shpesh të kam shar e mallkuar
Mbi rrugët e tua, më rrahin plot kujtime
Jo nga sytë s’kan për t’mu shuar
Eci sërisht duke shkuar në destinacionin tim
Për t’u rikthyer nesër sërisht,
tek ti Elbasan!
“PËRGJIGJE PA TINGULL”
Bie të fle
E syt fort shtrëngoj
Për ty pyes se ku je
Kam një jet që të kërkoj
Syu i tha ëndrrës
“Regjizor vendose
Të njëjtin film sërisht
E adhuroj aktorin kryesor
E dashuroj marrëzisht
Buza i tha kohës
“Mike kthehu pas ca muaj
Të ndjej në lëkurën time
Buzën që zjarrin arrin
Të më shuaj
E kraharori i tha zemrës
Mjaft u drrodhe nga i ftohti
Nuk kam ftoht mor shok
Mua i ftohti s’më gjen gjë
Drridhem siç përdridhet
mbi qerpik loti
Për një dashuri që
Nuk jeton më!!
SI LULJA E BUKUR”!
Do të vij një dit
I vetëm ke për tu zgjuar
S’do të kuptosh kurrë
arsyet përse jam larguar
Do të përjetosh një ëndërr
Qe s’do të doje ta shihje kurr
Përkrah meje dhëndër,
do të mbetet veç një diçitur
E me vehte do të thuash
Ç’pati që shkoi?!
Iku si një flutur e më harroi!
Gjithçka bashkë kaluam
Do të të mbeten i vetmi kujtim
Sa herë të më kujtosh,
të ndjesh mallëngjim
S’do të ndjesh më puthjen time ditëve me shi
S’do të ketë ‘më ka mar malli’
S’do te kete me ‘une dhe ti’
Do të të mungoj prania ime
Nervat e të miat xhelozi
Do të kërkosh karakteristikat e mia,
tek një tjetër njeri
Si lulja e usta Myzyrit,
do të kthehem nostalgji
Do të fillosh gotat,
një nga një me pi
Ate dite do të jem,
për veten duke menduar
Duke u mar me ty,
veten e kisha harruar
Do të zhduket egoizmi
Do të të bie krenaria
E në vetmi do të thuash
‘Sikur të ishe në krahët e mia’…!
Çerçiz N.Myftari
-Fjalë të urta-
• -Njeriu dhe Natyra zbukurojnë dhe shëmtojnë njëri-tjetrin.
• -Mbresamendjet e njeriut janë shumatorja e jetës.
• -Vendlindja është vatër malli me mbresa jete që prushit sa më larg të ndodhesh dhe sa i moshuar të jesh.
• -E vërteta nuk është gjithmonë e mirë.
• -E mira nuk është për të gjithë.
• -E bukura mund të mos kuptohet.
• -Qumështin e prodhon lopa,vlerësimin e merr mjelësi.
• -Njeriu lind nga dashuria dhe në jetë mjekon urrejtje.
• -Ditëlindja përcaktohet,por kurrë ditëvdekja.
• -Nderi dhe paraja nuk i besohet çdokujt.
• -Gjuha që flet përpara mendjes,përqeshet.
• -Femra dhe ara zbukurohen nga ara.
• -Trupi i femrës është sy dhe zemër.
• -Të kesh detin mbi krye,rron me shqetësimet e tij.
• -Nëse ecen vetëm në rrugën e traditës,vjetërrohesh.
• -Zogjtë nuk ndërtojnë çerdhe në degët e pemës së tharë.
• -Pemës i shihet shtati,por rrënjët nuk i dihet sa i zgjat.
• -Gjethet e rëna ia zvogëlojnë hijen pemës.
• -Lumi rrit shtat kur mbyt përrenj.
• -Kur ndërrton shkollë,spital,burg,mendohu sa i bën për vete.
• -Jetëgjatësia e njerëzve është si bari i çairit të pjekur ku vende-vende i gjelbërojnë disa tufëza.
• -Fara mbillet me sqepin e zogut.
• -Burri lëvizet,muri gremiset.
• -Dielli,ajri dhe uji japin jetë dhe vdekje.
• -Askush nuk kujtohet për shpikësit e karrocës,po për atë që e vë në përdorim.
• -Çajnë plumbat nga urrejtja ,lulet shkojnë për dashuri.
• -Qeniet e gjalla,rriten sa rriten,plaken.Plakja,për të ndërruar jetë,bën përgatitjet.
• -Të jetosh do të thotë të ikësh,të lësh art,do të thotë,vjen.
Vjollca Koni
JAM FSHATARE
Sa krenohem për origjinën time. Atje ku u linda e u rrita deri sa mbarova 8 Vjeçaren, sa gjëra të mira mësova dhe sa krenare e sa mirë ndjehem me veten time. Ndjehem mirë me dashurinë për njerëzit,për natyrën, për kafshët, për çdo gjë. Tani të gjithë ata që shkruajnë e hedhin vargje i quajnë Poet, Poete dhe mua kështu më thërrasin, më pëlqen ky emërtim, po dua të them se para këtij emri jam grua, nënë e motër, hallë e teze, mike e shoqe. Kur shkruaj diçka i them nga shpirti, kam qef ti përmbahem etikës dhe kulturës që kam arritur të marr nga aty ku u rrita e linda.Shqipëria ka Shkrimtarë e shkrimtare, ka Poetë e poete që na bëjnë krenarë për çfar jemi .Dua të them që një Poet ka kujt i thur vargje, i thuart ë bukurës, të hijshmes , bukurisë së zanës Hireve të saj, faqeve si pjeshka, buzëve si Qershi, Shtatit si Selvi harlisjes si hardhi. Po ashtu dhe Poetet kanë kujt i këndojnë, bukurisë së mashkullit, fisnikërisë së tij, trimërisë shtatlartësisė si Lisa. Të dy gjinitë kanë kujt ti thurin vargje Dashurisė, trishtimit, Historisë, lotit, buzëqeshjes, dëshmorëve që dhanë jetën dhe u sakrifikuan për Liri , ti qasen të tanishmës, aktualitetit ,korrupsionit , dhunës në familje sa shume ka për të thënë e për të shkruajtur. E po me siguri kam lënë edhe shumë gjëra pa thënë e pa përmendur ? Mbase si fshatare që jam kaq di !? Ta hajë dreqi po jetoj prej vitesh në shtetin me kulturë qytetare më të lartë në Europë e skam mësuar të shkruaj diçka ndryshe ! Them ndoshta më mirë që po ngel mbrapa nga ky modernizim apo lajthitje ku janë Futur disa që shkruajnë me emicione të harlisura e te pa kontrolluara. Po të bëjmë një analizë Njeriu si u krijua e dimë, dhe tani duam te zbulojmë atë qe dijmë. Të gjitha gjërat e bukura Zoti i la dukshëm të shihen, disa i vendosi atje ku nuk mund të shihen leht e kollaj.Them kështu mbase pas mëkatit që u bë me Adamin &Evën! A do të dukej bota më e shpifur se sot nëse ai mëkat nuk do kishte ndodhur ? Dua ju që e lexoni këtë shkrim të më jepni një përgjigje ??? Unë për vetë e kam një mendim, ashtu si kam dhe mendimin që të ruhet Etika në shkrime. Sa bukur është kur i këndohet dashurisë.
Dil njëherë të shoh
Se më mori malli,
Lule Shqipërie
Mbirë rrezê atij Mali
Ose kur i këndon natyrës:
Eh ato çahire mbushur me tërfil,
Bilbilat këndojnë Thellezat bejne sehir.
Rigoni ka çelur, rreth e rreth ka mbledhur
Fluturat edhe bletet për ta përkëdhelur.
Po kështu kendoj vetem unë më duket! Nuk zhvishem dot nga “fshatarizmi” Po di të kendoj dhe ndryshe. Di ta mbeshtjellë dashurine me petkun e artit poetik:
Dil të puth pak buzën
Se më dogji malli,
E ti mė puth gushën
Të sjellim Beharin
. Ose;
Manushaqe e bukur,
Që më çel ne prill,
Nga sevdaja jote
Kendoj si bilbil.
Mirëpo te ne po ndodhln gjërat pak ndryshe. Pse ? Të tërheq ajo Egoja sa gati të hedh në humnerë e ti se kupton. Mjafton të krijosh një bum mediatik në shoqëri Mbase kjo ndodh te disa njerëz që duan vëmëndje qoft edhe jashtë etikes morale të kohës apo shoqërisë ku jetojmë. Unë me disa gjëra që si fshatare që jam do i quaj të neveritshme të turpshme se çfarë ndodh midis dy të dashuruareve të gjithë e dinë. Iku ajo kohe ku e dinim qe bebi lindte nga sqetulla apo lejleku! Etika duhet të mbizotqrojq në çdo shkrim. Si fshatare që kam ngelur, më mirë ti kushtohet vëmëndje shtresës se Ozonit dhe “vrimës së zezë ” që është fenomen për shkencën dhe interes për të ardhmen dhe njerzëimin, se është jeta e të gjithëve.
*****************
*************************************
ELEGJI PËR DRAGOIN E KËNGËS LABE
(Kujtim MICI i Tërbaçit)
nga Albert R. HABAZAJ
– “Shqipëri, nuse bregdeti”
Pse të shoh me lot në sy?
– më ka ikur i vërteti,
Kujtim Mici, që s’kam dy…
– Këngë moj, ç’ t’u bë Kujtimi?
Profesori yt me firmë,
Folkorin kapi trishtimi,
Pikëlloi polifoninë.
Djal’ të vetëm e pat’ Nëna,
Yll të bukur; s’kish’ të dytë,
Zot të vetëm e pat’ Kënga,
Këngën e desh’ si dy sytë…
Kënga u ngjye në bojë
Dhe vuri shirit të zi,
Si zambak të bardh’, të njomë
Thur me lot një elegji.
Dragoi i Këngës Labe,
Kujtim Mici i Tërbaçit,
Në krah’ të një shtojzovalle
Shpirtit i gjeti ilaçin:
Thur me mjalt vargje me yje,
Nektar për t’i pirë në kupë,
S’bëri këngë, po thuri himne
Me trëndafila të kuq…
Në Universin e Mallit –
Diamant sinqeriteti,
Dragoi këngë na fali,
Bëri Hartë Dinjiteti.
Me një profil burrëror
(dhe për koh’ me suferinë)
Si Konstelacion yjor,
Firm’ e tij qe vetëtimë.
Div i Këngës, që s’vjen më,
Si meteor u këput,
Mbi rrudhat e lisit flë,
Ka ikur vetëm si trup…
Vigan hijerënd’ me dritë
Qe një jetë e ashtu mbeti,
Mbajti peshë…që një kreshnik
Do dridhej si zog, i shkreti…
E shushatur Kënga Labe
Dhëmbur, mbajti tri ditë zi,
Për Kujtimin “hane – hane!”,
Testamentin për Liri.
Burrat e mëdhenj të Këngës,
Si Kujtim Mici me shokë
Janë burra të lartë kuvendi,
Ngjajnë si male me borë.
Janë dafina me kurorë,
Shkëlqimtarë që në ngjizje
Ngjajnë si male me borë,
Ngjajnë si male në lëvizje.
Burrat e lartë të Këngës
I përkasin Paharrimit,
Me lotët e nxeht’ të zëmrës
Kujtoj Ëngjëjt e Kujtimit…
…Rruzuj kristali më shkasin
Kur marr udhën drejt Kujtimit,
Janë lotë që dinë të flasin,
Janë lule pikëllimi…
ELONA GREMI
PSE U TURPËRUA ALBANA DHE MAMI I SAJ…?!!!
Nën rrezet e diellit të mëngjesit pranveror piklat e vesës u jepnin petaleve të të luleve përpara shkollës një dritëzim mahnitës ngjyrave, por nxënësit e një klase qenë indiferetë ndaj kësaj pamjeje. E kishin mendjen te testimi i gjuhës angleze që do të zhvillohej orën e parë. Nuk vonoi dhe zilja i ftoi të hynin në klasë. Në të zotëronte një gjendje e rendë, flisnin grupe-grupe dhe sa vinte shqetësimi rritej. Zëri i Irenës çau ankthin – Pse, sot e gjeti mësuesja të bëjë testimin? – Kam dëgjuar se është shumë i rëndë,- foli dikush aty pranë.
-Boboo, kushedi si do të dalë!- foli Albana që dukej më e shqetësuar se të tjerët. Fjalët zhurmonin si gurët që rrukullisen dhe nuk dinë se ku do të ndalen. Zilja tingëlloi prapë dhe nxënësit dihatën me ankthe. Mësuesja u fut në klasë me shpejtësi, i përshëndeti. Nxënësve zemra u rrihte me shpejtësi, kuse Albanës i dukej se do t’i dilte jashtë kraharorit. Hapat e mësueses drejt tabelës sikur mbanin peshën e provimit. Në fjalët e bardha që endeshin në tabelë, nxënësit mundoheshin të zbulonin fshehtësinë e pyetjeve. Mësuesja ndali shkumësin dhe iu drejtua klasës me fjalët: – Këto janë pyetjet. I shtjelloni saktë dhe bukur!
Disa mbetës si të ngrirë me sytë në tabelë, kurse Albanës iu duk sikur ai shkumës hodhi borë të ftohtë mbi të. Kaluan druajtet e para, si t’i merrte me vete ai fllad pranveror. Shumë filluan të shkruanin fjalët që u vinin, disa po mendoheshin, kurse Albana me vështrim të mbërthyer mbi fletë, zgjaste dorën ngadalë të hapte librin. Mësuesja e pa rreptë dhe ajo e largoi dorën që mundohej të vidhte fjalët. Minutat kalonin, por asaj s’ po i kujtohej asgjë, Ishte e turbullt, nga hutimi apo…, koha ecte, ajo s’e ndalte dot dhe tingëllimi i ziles që lajmëronte mbarimin e ores, iu duk më i fortë se herët e tjera. Në klasë dëgjohej zhurma e lehtë e stilolapsave që shpejtonin, për të hedhur vërshimin e mendimeve, që përgjigjet të ishin sa më të plota. Mësuesja u cua dhe filloi nëpër rreshtat e tavolinave të mblidhte fletët. Ja, erdhi dhe radha e Albanë. Asaj filloi t’i dridhej dora, sikur po mbante një copë akulli. Me krahë të mpirë ia zgjati fletën mësueses, e cila, pasi i rregulloi fletë, i futi në çantë, përshëndeti klasën dhe u largua. Klasa zhurmonte nga pyetjet që nxënësit i bënin njeri-tjetrit, kurse Albana qendronte e veteme dhe nuk fliste. Sytë i kishte të përlotur. Në orën tjetër të mësimit, pas testimit,nuk po ndihej mirë. I mori lejë mësueses së historisë se nuk mund të qendronte dot në mësim. Iku në shtëpi duke ngashëryer. Aty i tregoi mamit të vet gjithçka që kishte ndodhur, Ajo e qetësoi duke i thënë se do të shkonin në shtëpinë e mësueses në darkë të dyja, të bisedonin, sepse njiheshin me të. Kjo sikur i dha zemer Albanës Në errësirë u nisën për në shtëpinë e mësueses. E ëma i ranë ziles, mësuesja hapi derën dhe i ftoi brenda, por ajo i tha se do të vinte njëherë tjetër për vizitë, por tani erdha të pyes: -Si e ka bërë Albana sot testimin?
Mësueja sikur u ndje pak ngushtë, por shpejt e mori veten dhe iu përgjigj:
– Tani po i korrigjoja, ajo s’ ka bërë asgjë!
Kjo përgjigje ra si bombë përpara Albanës dhe mamit të saj, e cila iu drejtua mësuseses me zë të dridhur:: – Ju lutem, shikojeni edhe njëherë!- Dhe mundohej ta bindte mësuesen, e cila qendronte e vendosur në mendimin e saj… Atëherë mami i Albanës i zgjati dorën për t’u përshëndetur me të dhe i la në dorë një 1000 lekësh. Mësuesja u skuq dhe pak e nervozuar i tha: – Zonjë, unë nuk shes nota, jap dhe vlerësoj dije! – Hodhi me shjpejtësi 1000 lekëshin në tokë dhe mbylli derën. Njëmijëlekëshi qendronte te këmbët e tyre dhe akuzonte… Lanë pas shtëpinë e mësusese dhe ecnin të heshtura në rrugë bashkë me kalimtarët e tjerë drejt shtëpisë. U dukej vetja sikur mbanin një peshë të rëndë në ndërgjegje. Ndoshta e kuptuan se padituria e Albanës çoi në një sjellje të papëlqyera dhe se mësuesja nuk ishte një lulemimozë që gënjehej nga dy ditë të ngrohta në janar…
………………………
Donika Hamitaj
TRËNDAFILI MES DËBORËS
Trëndafil i kuq me fleta,
ç’bën aty në acar vetmuar?!
Në dritare e hutuar mbeta!
Kur të pash me borë mbuluar…
Shoh ca degë si janë lëshuar,
nga dëbora mbi gjethet ngrirë,
s’mundem unë për të ndihmuar,
nuk çaj dot është e vështirë…
Por ty fletët si dielli t’ kuqojnë,
brenda zjarrin, e kanë ndezur,
ngricën, akullin ato përçmojnë,
mes petaleve duke buzëqeshur
NEPËRKA PIKA PIKA
Moj nepërka pika, pika,
i këndove, a të kënduan…?
Dhe pse në eshtër ngulet thika,
zvarritdhimbjet janë përshkuar!…
Moj nepërka lëkurë ndritur,
shigjetë helmi, gjuhë e bukuria,
buzët e tua eshtrat kanë ngritur,
djep ku mbërthehet viktimë fëmija.
Nëse mes ferrash je “pagëzuar”
do e përçmosh tempullin e vërtetë,
dhe kur të lindësh a t’ kesh dështuar,
ferrash do ngjishesh, mbuluar ndër fletë…!
Petrit Ruka…
KOHA E SAJ ËSHTË PJEKUR…
Mbresa për librin poetik “Intuitë e bluar gruaje” të Liliana Shkodranit (Baçit)
Duket sikur luginës së Vjosës nuk do t’i shteren kurrë poetët … Zakonisht në numër më shumë burra. Po kësaj radhe, si për të ndrequr delikatesën e saj me këtë parregullsi, nga kjo hapësirë vjen një grua. Ka pritur gjatë, me drojën që kanë gratë e mençura për të marrë “radhën e këngës” në këto treva, ku në të gjitha “dasmat” merret leje për të kënduar dhe, tani që është bindur, e ka kërkuar hapur vendin e vet pa kurrfarë kompleksi modestie:
“Lini hapur portën,
Të hyjë koha ime
Hija i është pjekur.
Para se të kthehet drita,
Që verbon dyshimet
Se në parajsë strehohen gëzimet…”
(Nga poezia “Lini hapur portën!”)
Sa bukur! Jo vetëm që koha e saj është pjekur, por asaj i është pjekur edhe hija, (e kohës) duke ndenjur “në hije”. Poetja që kërkon “të marrë radhën e këngës” quhet Liliana Shkodrani (Baçi), një bijë e Tepelenës për nga nëna dhe përmetare nga i ati. Po vjen me librin e saj të parë, duke patur durimin e bekuar të presë gjatë e gjatë, edhe pse ka shkruar e botuar tek-tuk qysh në rininë e saj të hershme, aty nga mesi i viteve ‘80. Ka zgjedhur një moshë të artë për të botuar librin e saj të parë, një moshë që vështirë se mund të përcaktohet më mirë se sa e bën ajo për veten e saj me dy vargje befasuese si këto më poshtë:
“Mbaj mbi shpinë gruaje
kofinat e vjeljes së sharmit”.
Por kjo është vetëm mosha e saj e botimit, nëse mund të gjenim një term të tillë, ndërsa si moshë të poezisë ajo nuk harron të na i kujtojë vetë gjithë finesë:
“Jam ende një fëmijë,
që vizatoj rrudha mbi faqe…”
Ndonjëherë, me pak shembuj të spikatur, një libër mund të flasë vetë pa patur nevojën e askujt që t’i bëjë “kortezinë” e prezantimit, edhe pse zakoni e do, që një libri dikush t’i thotë i pari: mirë se erdhe!
Rasti më ra mua dhe, veç gëzimit për poezinë e saj të bukur, të thellë dhe mjaft origjinale, më shtohet edhe tjetri, që ajo vjen prej viseve të mia të dashura. Në poezinë e Lilianës të godet befasia e një këndvështrimi krejt vetjak, paksa “i çuditshëm” në gjuhë e në mjetet poetike që përdor, ajo “çudi” e domosdoshme artistike, që duhet të ketë një krijues ndryshe nga tjetri dhe që përbën tharmin e vet artistik. Dallimi nuk ndodh në tematikën e poezive, po më shumë në thelbin e tyre, në ngjizjen dhe shpirtin që u jep me ndjenjat dhe fjalët krejt vetanake po atyre ndjenjave që ka çdo zemër njeriu në këtë botë. Liliana shkruan për gjërat e saj dhe larg pozave stereotipe të poezive gjoja të mëdha, patriotike, moraleve të përsëritura, bërtitjeve. Sepse për të kjo lloj udhe, këto “stola”, ku ulen dhe pushojnë të gjithë, ajo nuk i pëlqen dhe, siç e thotë diku, kjo lloj toke nuk e josh fare. Ose e thënë krejt poetikisht:
“S’është lulishte për nuhatjen time”.
Më shumë se sa realiteti që shihet me sy të lirë, poezia e saj është një poezi që vështron së brendshmi, e prirur më shumë prej ëndërrimit dhe meditimit se sa jetës së gjallë, rutinës së përditshme. Ashtu siç ngjan gjithmonë me poezinë e vërtetë, që vjen më shumë prej zemrës se sa prej mendjes. Aty lindin sythat e poezisë së saj:
“Kjo frymëmarrje, kjo liri gëzimi
më ngatërron në sythet brenda vetes.
Po sythet duhen përkëdhelur,
E unë s’kam rreth meje tokë për t’i mbjellë”.
Dhe për më tepër me të drejtën që kjo poezi vjen nga zemra e një gruaje, ku siç thotë ajo:
“Krihen fantazitë në mistere ëndrrash,
të ngopura me shtime mungesash”.
Sepse me poezinë e saj, Liliana kërkon të vërtetën e mistershme brenda, thellë shpirtit, aty ku dikur në rini:
“Puthjet ishin e kuqja në peizazhin tim rinor”.
E më vonë si grua vijnë peizazhe të tjera shpirtërore:
“Lënda e parë e anktheve të mia,
është shpresë e lundrimeve në ujëra të hutuara”.
Derisa një ditë e ndjen se si nënë, tashmë gruaja brenda saj është bërë një institucion, por një institucion drithërues, që nuk ze dot vend njëherë e mirë në tokën e paqes deri sa të vdesë:
“Kështu u formua institucioni grua
Me frikë të brishtë e intuitë të bluar”. Rrallëherë në poezi mund të gjesh të vërteta kaq të bukura, rrallëherë gjen që një poezi të jetë e tëra prej gruaje dhe ku stinët femërore të vijnë kaq mrekullisht të vizatuara; në rini me “peizazhe krejt të kuqe puthjesh”, si grua “shpresë e lundrimeve në ujëra të hutuara” e si nënë “me frikë të brishtë e intuitë të bluar”. Një poezi e kursyer në fjalë, metaforike, e sinqertë deri në befasi, e ngrohtë dhe e dhembshur,
“Për mua janë diamante orët që natës i paraprijnë
kur mbërthej pizhamet e dridhen pafajësitë.
Mbyll në kyç ditën e shpirtin, dorëzoj në pëqi të fantazisë.
Gjaku thith ajër aventure
unë i lutem t’më strehojë sekrete.
S’dua t’më dëgjojnë se si rinovohen brenda mureve
ca ëndrra të ndaluara.”
( “Ç’shkëlqim kanë ato orë!”)
Solla me dëshirë mbase shumë shembuj, “i frikësuar” se fjalët e mia mund të mos besoheshin në këto kohë kaq inflacioniste për peshën e humbur të fjalës. Desha të sillja “prova” përmes vargjesh, që të besohesha e të gëzonit prej tyre.
Çfarë të mbetet tjetër kur takon një poezi dhe një poeteshë të tillë, veçse të gëzosh, të gëzosh dhe përsëri të gëzosh.
Unë sapo të lexova, ndër të parët, Liliana!…
Mirë se erdhe “tepelen’-sja ime!