Subvencionet: Qeveria dha 3 milionë euro ujësjellësve, shumica për sigurimet e punonjësve

190
Sigal

Ndërmarrjet e ujësjellës – kanalizimeve në një pjesë të mirë të tyre vijojnë të mbeten financiarisht të brishta duke akumuluar detyrime të papaguara në zëra të ndryshme. Faturat janë të majme sa i takon borxheve të energjisë për të cilat pati një angazhim në nivel qendror me një plan për shuarjen e tyre, por këto nuk janë të vetmet. Pagesa e sigurimeve shoqërore është një tjetër hallkë që përbën problem duke “kërcënuar” pensionet. Qeveria qendrore çdo vit akordon subvencione për këto ndërmarrje, të cilat në vitin 2022 shënuan vlerën 360 milionë lekë apo rreth 3 milionë euro. “Subvencionet e akorduara nga qeveria qendrore për vitin 2022, kanë qenë në vlerën e 360 milion lekë. Ky fond është shpërndarë në mënyrë të barabartë (nga 30 milion lekë secili ) vetëm për dymbëdhjetë Shoqëritë Rajonale të UK të krijuara sipas VKM nr. 302 datë 11.05.2022 “Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit UK”, raportoi rregullatori. Po ku kanë shkuar në fakt këto para që janë dhënë nga qeveria qendrore për ujësjellësit. Shumica sipas të dhënave kanë shkuar për pagesën e sigurimeve shoqërore të punonjësve rreth 40 për qind. “Për vitin 2022, subvencionet, janë akorduar për nevojat e shoqërive për të shlyer çfarëdolloj nga detyrimet e papaguara që kanë patur shoqëritë përbërëse të shoqërive të reja rajonale UK, pra ndryshe nga viti paraardhës ku ato ishin të dedikuara vetëm për kostot e energjisë elektrike. Raportohet se nga vlera totale e subvencioneve, 38.86% janë shpërndarë për sigurime shoqërore dhe shëndetësore të papaguara, 26.1% janë shpërndarë për kosto të energjisë elektrike, 13,56% janë për tatime e taksa të papaguara, 4.81% për paga të papaguara, ndërsa 16.67% janë shpërndarë për performancë të mirë vetëm për dy shoqëri UK Rajonale Korçë dhe UK Pogradec”,- thuhet në raportin vjetor të ERRU.