Spitali i Bajram Currit, pa mjekë specialistë dhe në gjendje të mjeruar

869
Spitali i Bajram Currit është spitali qendror i rrethit, por mungesa e ofrimit të shërbimeve i detyron pacientët që te drejtohen fillimisht në spitalin më të afërt, atë të Gjakovës dhe më pas në Prishtinë ose Tiranë. Banorët e rrethit Tropojë kanë vite që po përballen me mungesën e një spitali ku mund të drejtohen për raste emergjente, pasi mundësit që ofron ky spital krahasohen me ato të një qendre shëndetësore. Edhe pse mjekët e familjes i dërgojnë të gjitha rastet për një shërbim më të specializuar, pacientët përballen me mos ofrimin e këtij shërbimi për shkak të mungesës së mjekëve specialistë, medikamenteve dhe kushteve. 
Në mjediset e brendshme të spitalit, rastet me pacientë të shtruar janë të rralla, pasi ata detyrohen t’i drejtohen spitaleve të tjera. Janë vetë mjekët të cilët detyrohen t’i drejtojnë të sëmurët për në spitalin e Gjakovës, Kukësit apo në Tiranë, për shkak të mungesës së kushteve për trajtimin e rasteve emergjente ose ndërhyrje kirurgjikale. Janë të shumta rastet personave të plagosur ose të aksidentuar të cilët pasi mbërrijnë në spital përballen me mos ofrimin e shërbimeve dhe më pas detyrohen që në kushte të vështira të transportohen drejt spitaleve të tjera më të afërta. Shqetësimi i banorëve të Tropojës ka mbërritur në redaksinë e gazetës “Telegraf” përmes telefonatave, ku theksojnë se në spitalin e Bajram Currit nuk mund të marrin shërbimet që ata kanë nevojë. 
Banorët thonë se në këtë spital nuk realizohet asnjë ndërhyrje kirurgjikale për shkak të mungesës së medikamenteve dhe mjeteve në sallën e operacionit. Ndërkohë situata bëhet edhe më e vështirë në stinën e dimrit ku për shkak të reshjeve të dëborës e kanë shumë të vështirë për tu drejtuar në drejtim të spitaleve të qyteteve të tjera. Sipas tyre situata me të cilën ata po hasen prej vitesh është bërë e papërballueshme, ndaj kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme nga Ministria e Shëndetësisë për pajisjen e spitalit me mjekë specialistë, shërbime dhe medikamente. Aktualisht në këtë spital mungon mjeku reanimator, pediatër, gastrohepatologu, etj. 
Sigal