SPAK nis hetimin pasuror të ish-zyrtarëve të Policisë së Shtetit, që rezultuan në përgjimet SKY EÇ

38

Hetimet po kryhen edhe ndaj zyrtarëve që dyshohet se i shërbyen personazheve të njohur të krimit si edhe atyre të njohur në Call Centera.

Sigal

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit në Shqipëri, SPAK ka nisur verifikimin e pasurive të disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Policisë së Shtetit. Në disa operacione të ndërmarra nga SPAK emrat e disa punonjësve dhe ish-punonjësve të Policisë rezultuan si pjesë e hetimeve. Pasuritë e tyre duket se po hetohen nga SPAK, pasi rezultimi i emrave të tyre gjatë operacioneve kundër krimit dhe korrupsionit ngre dyshime për mënyrën e vënies së pasurive të tyre. Hetuesit, konfirmojnë se hetim pasuror po kryhet ndaj Oltion Bistrit, ish-drejtor i Forcave Operacionale si dhe ish-nën drejtorit të Policisë Erzen Breçani të arrestuar pak ditë më parë. Po ashtu edhe pasuritë që janë nën verifikimin e SPAK po hetohen edhe për ish-shefin e policisë së Kurbinit Dritan Metaj, si dhe ish shefit të krimeve në komisariatin nr.6 në Tiranë, Dedan Gjoni. Hetim pasuror po kryhet edhe ndaj ish shefit të krimeve kundër personit në Shkodër, Ardit Hasanbega. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit në Shqipëri ka edhe shumë emra të tjerë ish-punonjësish dhe punonjësish të policisë po ashtu edhe pasuritë e disa zyrtarëve të tjerë të policisë së shtetit dhe policisë lokale do të jenë nën hetim pasuror. Një mori emrash të policisë rezultuan në disa komunikime që përdornin grupet kriminale për të komunikuar mes njëri tjetrit në aplikacionin e inkorpuar në telefonin SKY EÇ. Për shumë prej tyre janë përcjellë letërporosi, për të marrë të dhëna shtesë që pritet t’i vijnë në ndihmë hetuesve. Sipas mediave në Shqipëri pritet që pas datës 22 dhjetor do dalin emra drejtuesish të Policisë së Shtetit që janë përfshirë në komunikimet e aplikacionit SKY. Dyshohet se asete të patundshme zotërohen nga persona të tretë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. Hetimi pasuror deklarohet se ka nisur ndaj ish-shefit të komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj, shfaqur në kamera sigurie në zonën e Patokut, duke u frekuentuar me të kërkuarin Gëzim Çela, një ish-polic i kthyer në narkotrafikant. Por hetimet po kryhen edhe ndaj zyrtarë të tjerë që dyshohen se u shërbyen personazheve të njohur sikundër edhe atyre të Call Center-ave.