Sot universitetet në protestë/ Viti i ri shkollor nis mes protestave dhe bojkotit të pedagogëve e studentëve. Prof. Gjok Vuksani: Ja motoja e protestës së pedagogëve. Rektori Arben Gjata: Risia me projektin e futjen e Mjeksisë në programet prioritare

163
Sigal

Viti i ri shkollor nis mes protestave dhe bojkotit të pedagogëve, studentët: Na tarifojnë për të mbajtur frymën me bukë

 E hëna nis me bojkot në universitete në të gjithë vendin, këtë ka njoftuar së fundmi sindikata e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë. Shkak I këtij bojkoti është bërë mospërfillja e kërkesave të tyre nga institucionet përkatëse. Varfëria dhe mjerimi po shpopullon vendin. Qytetarët po ikin familjarisht jashtë vendit duke marrë edhe fëmijët me vete . Kjo situatë dramatike është reflektuar në fillimin e vitit të ri shkollor, ku 58 mijë nxënës kanë lënë bosh bankat e shkollës, si kurrë më parë. Pedagogë, studentë dhe punonjës të universiteteve publike protestuan më herët përpara Universitetit të Arteve. Kjo është hera e tretë që ata protestojnë për të kërkuar rritje të pagave. Ditën e sotme ato kanë berë me dije se do të bojkotojnë mësimin në rast se nuk marrin përgjigje për kërkesat e parashtruara.

01-Protesta, sot pedagogët bojkotojnë mësimin

Viti I ri akademik që nis këtë të hënë , do të bojkotohet nga pedagogët, ashtu sikurse ata e paralajmëruan gjatë protestave të zhvilluara.

Nëpërmjet një deklarate, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë njofton se nga ora 10:00-12:00, pedagogët do të qëndrojnë në ambientet e jashtme të universiteteve në Tiranë dhe rrethe.

Në mungesë të një reagimi zyrtar nga ana e institucioneve duke filluar nga dita e hënë, datë 17 tetor 2022, nëpërmjet qëndrimit në ambientet e jashtme të çdo fakulteti (oborret e tyre), nga ora 10.00 – 12.00. Ky qëndrim lidhet me qëllimin tonë për të sensibilizuar institucionet/organet/autoritetet vendimmarrëse të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu, pedagogët në emër të sindikatës  I kanë drejtuar Institucioneve të Arsimit të Lartë një kërkesë, për të mbështetur nismën e tyre dhe për të mbledhur asamblenë e përgjithshme, ku të marrin pjesë edhe personeli ndihmës akademik/ administrativ, si edhe përfaqësues të qeverive studentore.

Dëshirojmë që në fokus të mbledhjeve të këtyre asambleve të jetë çështja e ecurisë/hapave që duhet të ndërmerren në funksion të realizimit të kërkesave të peticionit të datës 30 Gusht 2022, drejtuar Kryeministrit, Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe Rektorëve të Universiteteve Publike të vendit.

Protesta e pedagogëve e ka zanafillën në muajin shtator, ndërkohë kërkesat e tyre vijojnë të mbeten të papërfillura nga institucionet. Në themel të këtyre  kërkesave është rritja e pagave për pedagogët dhe e fondit për kërkime shkencore.

02- Studentët mbështesin protestën e pedagogëve: 3 kërkesa për Ministrinë

Pas lëvizjeve studentore, pritet që protestat studentore të tanishme të zgjerohen, pasi mesa duket në fushëbetejë është dhe mbështetja e pedagogëvë , të cilët u bë e disata herë që protestojnë. Unioni i Këshillave Studentorë ka njoftuar se është mbajtur një takim me organizata rinore dhe përfaqësues të tjerë të universiteteve. Studentët po e mbështesin protestën e pedagogëve dhe kanë gjithashtu disa kërkesa për Ministrinë e Arsimit.

Unioni i Këshillave Studentorë kërkon nga MASR:

-Rritjen e përqindjes së dedikuar për arsimin në buxhetin e shtetit në normën 4%

-Ulje e tarifës së studimit për të gjitha nivelet e studimit duke indeksuar tarifat në nivelin dyfish të normës aktuale të inflacionit

– Mbështetje për kostot e akomodimit dhe artikujt shkencorë, libra shkollorë duke bërë funksionale uljet prej minimalisht 20% nëpërmjet kartës së studentit si dhe ofrimin e shërbimit dhe aksesit në Bibliotekës Online.

Për “Telegraf” studentja Eri Rajta shprehet : ” Na tarifojnë për të hyrë në shkollë, na tarifojnë për libra e materiale mësimore, na tarifojnë për të mbajtur frymën me bukë, na tarifojnë për një copë strehë, na tarifojnë për pak ngrohje, na tarifojnë për një vërtetim. Me një fjalë, pushtetarë politikë dhe burokratë universitarë na kanë shndërruar në shënjestrën e vendimeve të tyre të mbrapshta. Studentja përmend edhe faktin se gjatë vitit pandemik paguan tarifa pa shkuar në shkollë. Ajo thotë se është kriminale fakti që rritja e rrogave të bëhet dhe nga të ardhurat e tarifave të studentëve. “Shteti të na mundësoj shkollim falas”, përfundon Rajta.

Paratë e studentëve në pandemik shkuan për  karburant dhe luks

Qytetarët paguajnë me taksat e tyre rrogat e administratës së universiteteve, dritat, ujin, mirëmbajtjen e godinave, ndërkohë që familjeve të studentëve u kërkohet nga fakultetet një taksë shtesë e cila arrinë në shifra marramëndse prej 65 milion USD çdo vit.

Një vit pandemie ka një realitet absurd. Reth 130 mijë euro më shumë shkojnë për ruajtje godinash, në një shumë totale 1,9 mln euro.

Ndërkohë shifrat tregojnë se drejtuesit e universiteteve nuk ia kanë hequr ofiqet vetes edhe kur mësimi ishte online dhe kanë shpenzuar karburantin e shtetit. Për karburant automjetesh janë shpenzuar 121,5 mijë euro .Për dieta dhe udhëtime në një vit ku bota ndali universitetet kanë shpenzuar 147 mijë euro, kurse shpërblime dhe honorare 3,2 mln euro me një rritje prej 723 mijë euro nga viti paraardhës . Të gjitha këto fakte të dokumentuara i shtojnë dyshimet për të kuptuar se çfarë ndodh me paratë e studentëve. Është e qartë se me to abuzohet.

Futja në programet prioritare e Mjeksisë, shtysë që mjekët e rinj të kontibuojnë në Shqipëri

 Rektori i Fakultetit të Mjekësisë, Arben Gjata ka folur për largimin e mjekëve, duke bërë dhe një sqarim publik. “Para disa ditësh në një intervistë në Euroneës mu bë një pyetje për largimin e mjekëve nga Shqipëria dhe përfshirjen e Mjekësisë në Programet Prioritare, që sigurojnë përjashtimin e studentëve nga tarifat e studimit dhe marrjen e bursave prej tyre, proces i cili shoqërohet me lidhjen e një marrëveshje nga përfituesit për të punuar për 3 vjet në Shqipëri, sipas nevojave që ka sistemi!

Ky model është i ngjashëm me atë të specializimeve, që funksionon prej vitesh, ku ata që paguhen nga M. Shëndetësisë duhet të punojnë 3 vjet në spitalet ku nevojitet shërbimi i tyre, apo me modele të ngjashme nga SHBA në BE!

Natyrisht që futja në programet prioritare e Mjeksisë, për mendimin tim mund të ishte një shtysë që mjekët e rinj, të cilët me vullnet të lirë do të pranonin përfitimet që ofrohen, do të punonin të paktën 3 vjet në Shqipëri, do të njihnin nga brenda sistemin dhe mund të vendosnin të jepnin kontributin e tyre profesional në Shqipëri, por në asnjë rast nuk kam deklaruar që studentët që mbarojnë Mjeksinë të detyrohen të qëndrojnë në Shqipëri, aq më tepër që përfshirja e Mjekësisë në Programet Prioritare nuk është vendimarrje e Universitetit

Titujt në rrjetet sociale që “Rektori Mjekësisë kërkon detyrim që mjekët të qendrojnë në Shqipëri” nuk reflektojnë bisedën, dhe janë bërë besoj për të rritur klikimet!

Shpreh keqardhjen për të gjithë ata që pa dëgjuar intervistën bëjnë anatemime të llojeve të ndryshme, pa ruajtur asnjë sens etik, sidomos kur janë kolegë apo ish kolegë!”

 

Zhgënjimi i maturantëve që konkurrojnë për shkollë të lartë

Nga Jak Simoni

Ndonëse procesi i konkurrimit dhe i regjistrimit në programet e studimit të nivelit I të shkollave të larta është mjaft i gjatë dhe të lë përshtypjen e një serie sitash që ndajnë një herë e mirë  “millin” sipas cilësisë, në të vërtete tek maturantët, një pjesë e mirë e tyre tashmë studentë dhe aspirantë që vijojnë konkurrimin, nuk mungon zhgënjimi. Ky zhgënjim ka të bëjë me dyshimin e arsyeshëm se kjo seri sitash nuk bën shpërndarjen e maturantëve sipas meritave reale  në programe studimi dhe lë jashtë një herë e përgjithmonë (përjashto arsimin profesional tashmë të shumëkërkuar, sepse shndërron qenien “e padobishme” njerëzore në një qenie të automatizuar mjaft të dobishme) ata nxënës që nuk kanë mesataren e vendosur me Vendim të Këshillit të Ministrave.  Me këtë vendim qeveritar përcaktuese në këtë proces konkurrimi është mesatarja e shkollës së  mesme, ku dhe mënyra se si llogaritet është parashikuar në  këtë vendim: 50% të vlerës e përben nota mesatare e provimeve të maturës.  A është tregues real i aftësive të maturantëve kjo mesatare? – Përgjigja është jo, sepse ka nota që janë marrë me kurse të jashtëligjshme, me mik, apo dhe duke kopjuar, ky i fundit është  përhapur në masë kudo. Shikohet dhe një pasojë tjetër e kriterit të mesatares si prag për të vijuar studimet e larta si më poshtë: duke iu referuar statistikave, vihet re se nga viti në vit ka më pak studentë që regjistrohen, kryesisht në disa degë të mësuesisë dhe në degë të tjera të rëndësishme të drejtimit agrar, veterinar etj. Për të qene korret, ky zvogëlim i numrit të studentëve ka dhe arsye të tjera si tkurrja demografike, emigrimi etj. Meqenëse u përmend emigrimi, shtoj se pengesa për të studiuar në vendin e tyre përbën një  argument  më shumë për të  rinjtë që kanë të  rrënjosur në mendje idenë e largimit nga vendi. Para se të vendosin për te ikur le të kenë dhe një mundësi të rivendosin veten në provën e zgjerimit të njohjeve shkencore në veçanti, të dijeve në përgjithësi dhe të integrimit shoqëror dhe në vendin e tyre, ku trashëgojnë dhe kanë akumuluar eksperiencat e para të jetës që kushedi mund t’u vlejnë në ndonjë rast gjatë jetës. Për sa i përket të drejtës për të studiuar, paradoksalisht, disa prej tyre e kanë më të lehtë, së paku për të filluar studimet e kushedi ndoshta dhe për t’i mbaruar, në universitetet perëndimore. Le të shkojnë kush ka dëshirë dhe aftësi, por mos të jenë të detyruar.

Nisur nga të gjitha këto nuk me mbetet gjë tjetër vetëm të bëj thirrje: hiqeni këtë  kriter përjashtues të notës mesatare për të vijuar studimet dhe lëreni të studiojnë ato që kanë apo u lind dëshira për të studiuar. Në Itali diplomohen tetëdhjetëvjeçarët, këtu universitetet nuk pranojnë tetëmbëdhjetëvjeçarët dhe se kuotat janë.

Ministria le të kontrollojë rregullsinë e procesit të konkurrimit dhe shpërndarjen e studentëve në shkallë vendi me anë të kuotave. Në ato programe ku numri i konkurrentëve është i madh le të bëhet test pranimi si në shumë vende perëndimore, por serioz jo si këtu. Siç është thënë shpesh, universitetet le të funksionojnë si një hinkë me bazë të gjerë dhe të kontrollohet më shumë dalja dhe fati i tyre në shoqëri sesa hyrja.

Motoja e protestës së pedagogëve  ishte: “E duam Shqipërinë si Kosovën”

 Prof.Asoc.Dr.Gjok Vuksani

Pedagog në Univeritetin Bujqësor të Tiranës

 Motoja e protestës së pedagogëve  ishte: “E duam Shqipërinë si Kosovën “, pra, pas 32 vjetësh kemi hequr dorë  nga thirrja e dhjetorit ’90: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Kërkesat e pedagogëve janë fare minimale dhe realiste, sepse po kërkojnë që për 2 vite paga e tyre të barazohet me pagën aktuale të kolegëve kosovarë, pa llogaritur këtu se qeveria atje ka premtuar së fundi  rritje të pagës së tyre. Qeveria dhe komentatorët e paguar prej saj janë munduar që t’i stigmatizojnë profesorët si njerëz lakmitarë që kërkojnë “qiqra në hell” dhe që pretendojnë më shumë sesa meritojnë. Një pedagog i ri arkitekt, inxhinier, ekonomist, paguhet me një pagë prej 55 mijë lekësh, e cila është e pamjaftueshme për të jetuar, jo më për publikime shkencore në revista me IF  apo të marrë pjesë në konferenca shkencore jashtë vendit,  ku asnjë shpenzim nuk mbulohet nga Universiteti. Ndërsa kolegët e tyre që punojnë në sektorin privat, paguhen 3-4-fishin e tyre. Prandaj është praktisht e pamundur që universitetet publike të thithin elitat. Shumica e pedagogëve janë të detyruar të bëjnë një punë të dytë apo të tretë për të plotësuar nevojat e familjes së tyre, në kurriz të përgatitjes së leksioneve apo të kërkimit shkencor. Pra, pedagogët protestojnë jo vetëm për vete, por edhe për universitetin e për studentët, që rinia të shkollohet në vendin e tyre dhe jo të marrë arratinë. Duhet të theksohet fakti se përveç kërkesave për pagën, nga Sindikata janë artikuluar edhe kërkesa për transparencën e financave të universiteteve. Është emergjente që ato pak para që jepen për universitetet të miradministrohen, duke i adresuar për studentët,  përmirësimin e kushteve të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe jo për rojet e policisë private apo lyerje dhe shtrim pllakash çdo vit. Unë mendoj se pedagogët po protestojnë në njëfarë mënyre edhe për të gjithë shtresat, të cilat gjenden në një situatë somnabul mosreagimi, duke kryer detyrimin e tyre intelektual të liderit për shoqërinë shqiptare. Kërkesat zyrtare të trupës pedagogjike drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrit kanë qenë të kahershme (nga viti 2018)  dhe gjatë kësaj periudhe janë realizuar 3 tubime sensibilizuese, por asgjë nuk ka ndodhur. Prandaj bojkoti me datën 17 tetor është një përshkallëzim logjik, bazuar në “të drejten e punës” për plotësimin e kërkesave të ligjshme të pedagogëve dhe stafit ndihmës. Unë nuk jam në mendjen e Kryeministrit për të parashikuar veprimet e tij, sepse ai është vetë qeveria, ministria, gjithçka, por pedagogët janë të vendosur të kërkojnë të drejtën e tyre, jo vetëm  për vete, por edhe për studentët për të cilët shpresojmë shumë që edhe ata do të na bashkohen ditën e hënë. Qasja e deritanishme e “QEVERISË” është aspak serioze ndaj njerëzve të dijes, madje të krijohet bindja se disa politikanë të rastësishëm, “të paditur”, që drejtojnë vendin, kanë një lloj xhelozie ndaj profesorëve, pikërisht për faktin se ndihen keq për injorancën e tyre,  por besoj se ky nuk është faji ynë. Dituria është burimi më demokratik i fuqisë. – Alvin Tofler Janë ngritur në këmbë “i gjatë dhe i shkurtër”, kryeministri, ministrat, rektorët, dekanët, disa shefa të departamenteve, me qëllim që të shuajnë protestën e pedagogëve. Ata i kanë premtuar kryeministrit se negociatorët e vetëm për univeristetet janë ata, të tjerët nuk duhet të llogariten fare. Marrëveshja është e tillë: “Ju na lini të përfitojmë të gjitha benefitet që sjell pushteti në universitete dhe ne do të shuajmë çdo protestë të studentëve, pedagogëve, stafit ndihmës”, madje janë të gatshëm të shërbejnë edhe si zjarrfikës për realizimin e qëllimit. Këto njerëz të vegjël kanë harruar votën e kolegëve të tyre,  kanë harruar lutjet dhe jargavitjet e tyre, kur ishte koha e zgjedhjeve dhe tani kanë organizuar skaljonet e tyre për të markuar çdo pedagog apo student rebel. Koha do t’i gjykojë ato si grevëthyesit më të përbuzur dhe pas përfundimit të “udhëheqjes së tyre” nuk do të kenë qoftë edhe një shok për të pirë kafe (ka shembuj plot në UBT).  Në qoftë se do të ishte në pyetje se cilat kushte duhet të plotësojë qeveria në mënyrë urgjente, unë mendoj se duhet të plotësojë të gjithë paketën, sepse e tëra realizon një ringritje të Universiteteve nga këneta ku gëlojnë. Prandaj unë shpresoj se me qëndresën e vendosur të studentëve dhe pedagogëve, gjithçka është e realizuaeshme. Pavarësisht të gjithave, ne u ngritëm dhe guxuam. Nuk përkulëm kurrizin për të  lypur lëmoshë. Përballë së drejtës, të heqësh dorë prej saj, tregon mungesë guximi. (Konfuci)