Skandali, zyrat e gjyqtarëve si merkato, ku shiten dhe blihen troje, pallate dhe vendime antiligjore

537
Sigal

Gjykata e Elbasanit, qindra dosje të pronarëve me vendime të dyshimta

Në Gjykatën e Elbasanit duket se hallexhinjtë nuk kanë shansin të marrin ndonjëherë të drejtën sipas ligjit. Institucioni i drejtësisë ligjore, siç quhet ndryshe në gjuhën juridike, prej vitesh është kthyer në vatër korrupsioni, ku sapo futesh tek dera e derisa mbërrin tek zyrat dhe sallat e proceseve gjyqësore, do të përshëndetesh me sekserë që të drejtojnë drejt fitores apo humbjes së një vendimi të mbështetur ose jo në ligj, por në varësi të njohjes apo ryshfetit të dhënë. Bazuar në denoncimet dhe deponimet e qytetarëve, (madje dhjetëra prej tyre ndodhen edhe në organin e akuzës) vendin e parë e mbajnë gjyqet penale dhe menjëherë pas tyre vijnë ato të pronave, ku pazaret nuk rreshtin së rrituri dita-ditës. Pas shumë denoncimeve në media, duket se qytetarët hallexhinj mendojnë se duhet të jetë KLD ajo që duhet të vendosë, jo paralajmërime, por masa konkrete ligjore ndaj atyre që po u pinë gjakun dhe u po u zhvatin lekët madje me ligj.

Rasti

Kështu, një pjesëtar i familjes e njohur si pronare e qindra hektarëve tokë dhe objekteve të tjera në disa prej lagjeve më të vjetra te qytetit, M.M. ka denoncuar për “Telegraf” zvarritjet dhe sorollatjet e bëra nga gjyqtaret e Gjykatës së Elbasanit (por edhe të Apelit në Durrës ) dhe kjo për të treguar dhe kërkuar një të drejtë legjitime, për të marrë pronën e të parëve, babait dhe gjyshit të saj. Ajo quhet M.M. dhe banon në lagjen “Dyli Haxhire Myzyri”, ku mbi një pjesë të vogël toke të mbetur “gjallë” pas grabitjeve ka ngritur një banesë modeste. Por qytetarja M.M. tregon se, “sorollatjet në dyert e Gjykatës dhe Hipotekës, për mua kanë nisur prej 12 vitesh. Në zyra nuk gjen zyrtarë, por sekserët e tyre, ku fjala e parë është pazari, të tatojnë pulsin dhe madje edhe të bëjnë presion, duke treguar se, “jemi të plotfuqishëm dhe të paprekshëm”. Trojet e babait tim sot i kanë pushtuar njerëz anonimë, “të fortë”, të cilët duke kompromentuar Hipotekën, KKKP dhe gjyqtarët, kanë arritur të firmosin dhe vulosin Vërtetime-Pronësie”. Skandalet e familjet elbasanase, që llogariten në afro 1460 të tilla, kanë vite që qarkullojnë në korridoret dhe sallat e Gjykatës së Elbasanit. Pazari për marrjen e pronës tënde varion nga 10 deri 50 mijë euro dhe kjo shifër bëhet më e lartë kur trualli që kërkon ka mbivendosje në më shumë se 3 familje. Kështu ish-pronarët elbasanas akoma duhet të vuajnë pasojat e marrëzisë dhe korrupsionit që lanë pas ish-drejtuesit e ZRPP dhe KKP. Janë 406 vendime të firmosura nga ish-drejtuesit e ZRPP dhe KKP, që sot po sfilitin qindra familje ish-pronarësh nga Elbasani, pasi mbi të njëjtin truall, janë dhënë vendime për 2 apo 3 familje te tjera. Pjesa më e madhe e ish-pronareve që morën trojet e tyre pas shortit të hedhur në shtator 1996, sot akoma po vuajnë pasojat shkatërrimtare të veprimtarisë korruptive të ZRPP, KKKP dhe gjyqtarëve. Qindra vendime qysh nga viti 2002, kanë bërë “pronarë” persona të panjohur, duke zhvatur troje të ish-pronarëve. Qindra vendime të paligjshme kanë futur në sherre të pafundme ish-pronarët e vërtetë me pronarët e rinj, të cilët janë bërë të tillë pas dhurimit të ndonjë apartamenti në bregdet 200 metra katrorë, apo benzi të fundit. Kjo shpjegon luksin e gjyqtarëve, të cilët duke përfituar nga imuniteti i profesionit, kanë kthyer zyrat në merkato ku shiten dhe blihen troje, pallate dhe vendime antiligjore. Zinxhiri i korrupsionit që ka përfshirë prej vitesh ZRPP, KKKP, Gjykatën e Elbasanit si dhe mungesa e reformave radikale në këtë institucion, duket se do ta vërë para një dileme të madhe KLD-në dhe Ministrinë e Drejtësisë. Madje kjo e fundit pas kontrollit të ardhur muajt e fundit, ka relatuar se, “situata në Gjykatën e Elbasanit mbetet alarmante, masat duhet të jenë urgjente, kemi zbuluar shkelje flagrante tek gjyqtarët, kemi denoncime dhe fakte për korrupsionin e tyre”.