Punësime nepotike në 17 ministri, 522 drejtori dhe 44 bashki

1262
Gazeta “Telegraf”, ka realizuar një investigim, lidhur me praktikat, cilësinë e punësimeve në zyra, aftësitë e të emëruarve si drejtues institucionesh e shërbimesh publike, lidhjet nepotike, krahinore, klanore e në interesa të atyre drejtuesve e zyrtarëve, të cilët të bashkuar në një “ushtri” prej 90 mijë nëpunësish që paguhen nga taksat e shqiptarëve, quhen “administratë shtetërore”! Këta 90 mijë nëpunës, afro 30% e të cilëve janë drejtues zyrash e institucionesh, kanë mbushur zyrat e shtetit në pushtetin legjislativ, ekzekutiv e pushtetin vendor, në çdo nivel. 
“Merimanga” e punësimeve nepotike në 15 ministri, 522 drejtori e 44 bashki
Dje publikuam skandalin dhe turpin që ka “mbërthyer për fyti” administratën shtetërore, nga kryeministria e deri në bashki, qarqe, drejtori qendrore, rajonale e lokale, agjenci shërbimesh shtetërore që kanë detyrime kontraktore me komunitetin, ku tregues është fakti, që 1100 drejtues të lartë qendror e lokalë të emëruar në krye të administratës shtetërore shqiptare, rezulton se janë “shkencëtarë” të diplomuar me nga “ 1 copë kartoni” në ish-universitetet kioska të mbyllura dhe në disa nga universitetet aktuale kioska që vazhdojnë ende të shesin me shumicë “kartone-diploma”, tamam si në treg domatesh! Pas publikimit të këtij skandal-turpi, ka pasur shumë reagime e denoncime edhe më skandaloze, të ardhura në redaksinë e “Telegraf”, lidhur me emërime analfabetësh, trafikantësh, diplomaxhinjsh universitar me 5 e 7 klasë shkollë, të cilët janë vendosur në poste zv/ministra, këshilltarë ministrash e deri kryeministri, ambasadorë, konsuj, ekspertë, drejtorë nëpër ministri, qarqe, në institucionet ligjvënëse, në prefektura, shërbime publike, individë që janë graduar deri edhe ministra të cilët nuk deklarojnë diplomat “perëndimore” që thonë se gjoja kanë përfituar nëpër botë kur kanë qenë emigrant shërbestarë restorantesh, metroje e mjedisesh publike! E po kështu, të tilla janë të zgjedhur edhe në krye të bashkive, të emëruar në administratën e pushtetit lokal, madje edhe si drejtues të njësive administrative! 
Ministrat dhe drejtorët, punësojnë familjarët e njëri-tjetrit në institucionet që drejtojnë
Sot po publikojmë një skandal, i cili në afkt është marifet i shtetërev, që tenton të fsheh dhe gjoja të “shmang” konfliktin e interesit në punësimet e bëra në administratë. Por që loja për gjoja shmangien e nepotizmit në administratën publike, e ka tjetërsuar administratën shtetërore në një familje të madhe me bashkëshortë, fëmijë, kunetër, mbesa, dhëndurë, krushq, nipër e të afërm të shtetarëve nga kryeminstria, deri në njësitë administrative të bashkive! Çfarë ndodh realisht? sipas investigimit të bërë, rezulton se ministrat, zv/ministrat, drejtorët, shefat e sektorëve, drejtorët rajonalë, prefektët, kryetarët e qarqeve, kanë punësuar familjarët e njeri-tjetrit në administratën dhe në shërbimet publike. Psh., ministria e arsimit, ka punësuar familjarët e drejtuesve të ministrisë së shëndetësisë, e kështu me radhë, në ministrinë brendshme janë punësuar familjarë të Ministrisë së Inovacionit e Administratës Publike, të Punës, të Mbrojtjes, të Financave, të energjisë, të kulturës, të administratës publike në institucionet që drejtojnë. faktet tregojnë, se gruaja e një ministri punon drejtore, shefe, këshilltare, eksperte në një ministri tjetër dhe anasjelltas. 

Fëmijët, gratë, burrat, mbesat, kunatat, vëllezërit, krushqit dhe nipërit e atyre që drejtojnë tatimet, doganat, arsimin, shëndetësinë, energjinë, ujësjellësit, bashkitë, qarqet, prefekturat, ambasadat etj, punojnë tek institucionet e njeri-tjetrit. Mjafton të hapësh listat e të punësuarave dhe konstaton, se kemi të bëjmë me administratë familjare e miqësore, pa harruar faktin që në çdo ministri e drejtori shërbimesh, madje deri në kryeministri 70% e drejtuesve e nëpunësve janë nga i njëjti qark, rreth, qytet e madje edhe fshat nga është titullari i institucionit. Ndërkohë që 30% të administratës së çdo niveli ka si drejtues e zyrtarë krushq, dhendurë e nuse të njeri-tejtrit. E po kështu, skandali thellohet kur edhe brenda një ministrie, drejtorie, prefekture, këshilli qarku, baskie e shërbimi publik 4)% e administratës përbëhet nga familjarë e të lidhur në krushqi në formë “merimange”! Madje lidhjet, janë aq skandaloze e shqetësuese për funksionim e administratës, sa në 45% të rasteve, ndodh që drejtori ka vartës krushkun, mbesa ka vartës dajën, nipi ka shef xhaxhain, nusja është shefe e vjehrrës, motra është vartëse e vëllait. E gjithë kjo “merimangë” administrative e lidhur në fije e nyje familjare dhe krushqie, ortakërie, e krahinore, ka krijuar bazën e plotë të një aktiviteti korruptiv që zhvillohet, mbulohet, nuk ndëshkohet e madje zhduket si veprimtari krimi ekonomik-financiar, duke u arkivuar me urgjencë me urdhër të shefave, që janë “fija dhe nuja” e parë e thurrjes së kësaj “rrjete merimange nepotizmi”! Sot gazeta “Telegraf”, do të publikoj shifra konkrete, që provojnë se administrata shtetërore është kthyer në kryeministri, ministri, drejtori, ambasadë, bashki e prefekturë me përbërje familjare. 
Ja numri i punonjësve me lidhje familjare e nepotike në 17 ministri
1. Kryeministria: 530 punonjës, 217 me lidhje nepotike
2. Ministria e Shëndetësisë: 3482 punonjës, 2645 me lidhje nepotike
3. Ministria e Mbrojtjes: 9248 punonjës, 4876 me lidhje nepotike
4. Ministria e Transporteve: 430 punonjës, 360 me lidhje nepotike
5. Ministria e Brendshme: 14. 177 punonjës, 7986 me lidhje nepotike
6. Ministria e Jashtme: 506 punonjës, 389 me lidhje nepotike
7. Ministria e Arsimit: 31.186 punonjës, 19.359 me lidhje nepotike
8. Ministria e Punës: 2835 punonjës, 1872 me lidhje nepotike
9. Ministria e Ekonomisë: 586 punonjës, 398 me lidhje nepotike
10. Ministria e Bujqësisë: 2265 punonjës, 1987 me lidhje nepotike
11. Ministria e Financave: 3118 punonjës, 1353 me lidhje nepotike
12. Ministria e Kulturës: 1014 punonjës, 893 me lidhje nepotike
13. Ministria e Integrimit: 104 punonjës, 52 me lidhje nepotike
14. M. Zhvillimit Urban: 516 punonjës, 325 me lidhje nepotike
15. Ministria e Drejtësisë: 4816 punonjës, 2348 me lidhje nepotike
16. Ministria e Energjisë: 428 punonjës, 271 me lidhje nepotike
17. Ministria e Mjedisit: 959 punonjës, 487 me lidhje nepotike
Sigal