Skandali me pronat, janë grisur regjistrat 100 vjeçarë

1335
Sigal

Kusuret e ish-regjistruesve, që sot kanë zyrë avokatie, po i vuajnë ish-pronarët e familjeve të mëdha dhe me emër të Elbasanit

U zëvendësuan me regjistra të rinj, pa miratimin e DPZRPP shkruar dhe mbushur me stilolapsa me lloj-lloj ngjyrimesh.

Tashmë çdo ditë opinion publik po njihet me skandalet e zyrave hipotekore të pronave, të cilat kanë sjellë problematika të mëdha ligjore, ngërçe dhe përplasje mes pronarëve të vjetër dhe atyre të rinj. Veç mbivendosjeve të pronave, grabitjes së tyre dhe regjistrimit nën emra të rremë, falsifikimit të dëshmive dhe dokumenteve qysh nga koha e Turqisë dhe më pas e Zogut, tashmë kanë lindur probleme të tjera, që realisht përbëjnë skandal. Në ZRPP e Elbasanit, javët e fundit, është zbuluar grisja e regjistrave të vjetër, që kishin të regjistruara pronat e elbasanasve qysh nga viti 1922, 1937, 1953, dhe regjistrimet e fundit në vitin 1976, të cilat kanë pasur specifikat e tyre, si boja e zezë, apo edhe detaje të tjera teknike shumë të sakta. Ato regjistra janë zëvendësuar me regjistra të rinj, shkruar dhe mbushur me stilolapsa me lloj-lloj ngjyrimesh. Ky  veprim është bërë përgjatë  viteve 2009-2013, duke konsumuar kështu vepra të rënda penale, si falsifikimi, apo edhe shpërdorimi detyrës nga ish-drejtuesit e ZRPP vendore. Pas  sinjalizimeve dhe denoncimeve të afro 1300 ish-pronarëve elbasanas në shkallë Qarku , DPZRPP dhe Ministria e Drejtësisë, si dhe KLSH kanë nisur verifikimet, duke dërguar ekipet e kontrollit. Fakti është se pas raporteve ende të para, ka rezultuar se veç shkeljeve të konstatuara nga ish-regjistruesit, dhe largimit nga detyra edhe e ish-drejtorit të ZRPP Elbasan, Klevis Kosova, u gjetën dhe u faktuan edhe regjistrat e “rinj”  të  regjistrimit  të pronarëve  të  vjetër  të  elbasanasve. Zëvendësimi i regjistrave të vjetër me ato të rinj, bëhet vetëm me një urdhëresë  të veçantë nga Ministria e Drejtësisë, DPZRPP, dhe në prani të një komisioni specialistësh, të cilët prej vitesh kanë munguar në ZRPP Elbasan. Problematika e pronave në qytetin e Elbasanit, ka një tematikë të gjerë, dhe zinxhiri i abuzimeve ka nisur nga zyrat e ZRPP e zgjatet deri në Gjykatë, ku aktorë, qoftë edhe dytësorë, janë edhe  avokatë dhe noterë. Zhdukja e regjistrave të vjetër, që datonin qysh para 100 vitesh, por që ishin për t’u pasur zili për rregullsinë  dhe qartësinë e shkrimit dhe të dhënave teknike, dhe zëvendësimi i tyre me regjistrat e rinj, mbetet një shkelje e rëndë e ligjit. Kjo padyshim ka sjellë abuzimet me pronat, sorollatjet  e qytetarëve dhe odisenë e gjatë të tyre nga ZRPP tek Gjykata, nga Kadastra tek KKKP. Ajo që ka ndodhur me pronat e elbasanasve, vërteton plotësisht, atë që ka deklaruar ish-këshilltari Presidentit të Republikës Afrim Krasniqi, se “vetëm nga Elbasani ka mbi 3 mijë ankesa dhe denoncime për abuzimin me pronat”. Situata pavarësisht verifikimeve dhe raport-kontrollit nga KLSH dhe DPZRPP, mbetet ende e pazgjidhur edhe për shumë kohë, pasi abuzimi dhe pasojat me pronat dhe trojet e ish-pronarëve të vjetër në këtë qytet kërkon masa të forta ligjore ndaj shkaktarëve. Shoqata e Ish-Pronarëve Elbasan, kërkon nga DPZRPP dhe Ministria e Drejtësisë, “të ndëshkojë shkaktarët e kësaj katrahure, që është bërë me pronat dhe trojet e tyre, të atyre që para se  të largoheshin  morën licencën  e avokatit  për të  siguruar paprekshmërinë, dhe ndëshkimin ligjor  të  çdo ish-zyrtari që  ka autorësi në këto abuzime dhe shpërdorime flagrante”. Kusuret e ish-regjistruesve që sot kanë zyrë avokatie në Elbasan, po i vuajnë ish-pronarët e familjeve të mëdha dhe me emër të Elbasanit, të cilët pavarësisht se kanë denoncuar dhe akuzuar përgjegjësit e skandaleve, mbeten sërish zyrave dhe korridoreve të gjykatave me dosje në duar, duke shpresuar se do të bëhet drejtësi. Mjafton të përmendim se për çdo truall, apo pronë objekt, që me dokumentacion ligjor (tapi në turqisht apo edhe e kohës së Zogut) i përket pronarëve të vjetër, ka e pakta 2-3 pronarë të rinj, të bërë të tillë nga regjistrat e rinj, të mbushur me stilolapsa ngjyra-ngjyra.