Petrit Vasili: Qeveria po merr qorrazi masat kundër Covidit

279
Sigal

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka kritikuar qeverinë për mungesën e masave kundër përhapjes së Covid-19 dhe për zbatim të keq të atyre pak masave që ka marrë.

Në një komunikim për mediat, ish-ministri i Shëndetësisë Vasili tha se për sa kohë numri i viktimave me Covid po rritet, masat e qeverisë janë të dështuara:

“Masat që nuk krijojnë rezultate, janë të dështuara. Numrii i vdekjeve është rritur me mbi 60 për qind. Komiteti i Ekspertëve duhet të merrte masa më të mëdha, jo të njëjta siç ishin. Kemi sistem masash të adoptuar gabim.”

Vasili përmendi rastin e Francës e Italisë, ku vendosja e kufizimeve të forta solli ulje të numrit të të infektuarve, e për pasojë dhe të viktimave.

Lidhur me akuzat e opozitës për manipulimin e numrit të viktimave me Covid-19 nga qeveria, Vasili tha se nuk mund të kalohet me deklarata politike:

“Çështja e të vdekurve nuk mund të kalohet me deklarata politike. Duhet parë mënyra si aplikohen protokollet. Të rriten vdekjet me më shumë se 60 për qind është shumë e rëndë dhe kërkon analizë të hollësishme, sepse ka të bëjë me jetë njerëzish. Është situatë shumë e rëndë në të gjithë territorin e kjo kërkon veprim të menjëhershëm.”