Skandali/Manipulohen pikët fituese të testimit të infermierëve

505
Sigal

Portali “Infermierë për Shqipërinë”, i cili u krijua me synimin për punësimin me meritë të infermierëve duket se po bën pikërisht të kundërtën. Një denoncim i bërë publik nga kreu i Shoqatës së infermierëve, Elson Jaçaj, tregon për manipulimin që ky portal bën në përzgjedhjen e fituesve të testimit, duke ndryshuar pikët dhe listat. Infermierëve aplikues iu janë ndryshuar pikët për të mos qenë fitues. Jaçaj ka treguar edhe për presionin ndaj infermierëve për të mos bërë publike këto çështje. Më konkretisht pas publikimit të pikëve të grumbulluara në testim, portali “Infermierë për Shqipërinë” ka fshirë listën e parë duke publikuar më vonë një listë të re, ku të testuarit rezultonin me më pak pikë. Infermierët kanë treguar se procesi nuk është transparent dhe janë shprehur të shqetësuar. “Ditën e parë doli një listë fituesish dhe pas disa orësh u ndryshua lista e fituesve, duke nxjerrë të njëjtët persona por me pikë më të ulëta apo persona të tjerë që nuk figuronin në listën e parë që edhe vetë aplikantët na kanë deklaruar që nuk i kishin parë në dhomat e testimit.” -tha Elson Jaçaj. Kreu i shoqatës, tregon se infermierët janë të frikësuar për të bërë publike shqetësimet e tyre, pasi shumica kanë pasur presione të ndryshme. “Ata thoshin që po na bëhet një presion i madh. Ndërkaq atyre iu thoshin gjithashtu, se do keni prapë kohë për të aplikuar, se janë probleme që ndodhin. Është një frikë tek këta aplikues, pasi rrezikojnë të ngelen pa punë.” Përveç ndryshimit të pikëve një tjetër problematikë e hasur nga ky portal ka të bëjë me lënien në listë të infermierëve që presin prej më shumë se dy vjetësh për t’u punësuar.