Auditimi i KLSH-së: Dështon “Shkolla e Administratës Publike”

1048
Sigal

Në kuadër të përmirësimit dhe standardizimit të administratës shtetërore sipas ndryshimeve në proceset e punës, qeveria ndërmori krijimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, e cila do të shërbente për trajnimin e punonjësve të institucioneve shtetërore. Megjithatë duket se ky institucion nuk po e bën si duhet detyrën e tij. Në fakt sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, vlerësohet se nuk ka asnjë përshtatje të trajnimeve që kryhen me prioritetet dhe ristrukturimet që kanë pësuar institucionet ndër vite. “Megjithëse, në trevjeçarin e fundit, struktura dhe detyrat funksionale në institucionet publike, kanë pësuar ndryshime të shumta (si rezultat i ristrukturimit apo reformave qeveritare me qëllim konvergimin me institucionet publike evropiane), programet e trajnimit të nevojshme për t’i mbështetur ato (të ofruara nga ASPA, apo vetë institucioni publik), nuk kanë pasur të njëjtin trend në numër apo llojshmëri. Të patrajtuara mbeten jo vetëm nevojat e paidentifikuara, por dhe ato të identifikuara e të synuara për t’u trajtuar brenda 2017-s” thuhet në auditimin e KLSH. Më tej Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin e performancës së këtij institucioni gjatë 3 viteve të fundit, deklaron se ASPA është një institucion me një buxhet gjithmonë e më të cunguar dhe statusi i saj, si institucion qendror trajnimi është i paqartë. Cilësia e programeve aktuale të trajnimit, të ofruara nga ASPA, është e ulët dhe me risk të lartë. Sipas KLSh, ASPA nuk ka procedura të miratuara për vlerësimin e kandidatëve për trajner, apo për rekrutimin e tyre. “Formatet e kontratat që ASPA ka lidhur gjatë kohës së funksionimit të saj, janë të pa miratuara me ndonjë akt apo urdhër të brendshëm, për të siguruar kështu konsistencën dhe standardizimin e tyre. Grupi i auditimit nuk mundi të identifikojë procedurat që ndiqen nga ASPA për të bërë thirrjen për trajner, për të realizuar aktivitetin e hartimit të kurrikulave, përditësimin e tyre, apo vetë procesin trajnues. Është e paqartë se si janë tërhequr nga ASPA, ofertat më cilësore për realizimin e këtyre aktivitete, gjatë viteve të funksionimit të saj”- vlerësohet në raport . Nga ana tjetër, edhe pse janë kryer trajnimet, audituesit nënvizuan se nuk është bërë ndonjë sistem vlerësimi për mënyrën sesi kanë ndikuar trajnimet e bëra në performancën e punonjësve në vendin e tyre të punës.