“Situatë alarmante me zjarret në vend”/ Meta thirrje Ministrisë së Mbrojtjes: Të merren masa urgjente, shtimi i vrojtuesve…

123
Sigal

Kreu i shtetit Ilir Meta ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në disa qarqe të vendit, duke e quajtur alarmante dhe me pasoja të rënda në pasuritë tona natyrore.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se po shkrumbohen sipërfaqe të mëdha pyjesh dhe nuk po merren masat e duhura, duke i bërë thirrje kështu Ministrisë së Mbrojtjes për të ndërhyrë menjëherë.

Postimi i presidentit:

Me shqetësim jam njohur me situatën alarmante të përhapjes së zjarreve në disa Qarqe të vendit, me pasoja tepër të rënda për pasuritë tona natyrore.

Në zonën e Krastës së Krujës po shkrumbohen mbi 10 hektar pyje dhe nga informacionet paraprake rezulton se vetëm dy zjarrfikëse janë në operacion për fikjen zjarrit, që po përhapet me shpejtësi për shkak të erës që ka filluar në orët e pasdites.

Vatra zjarri me përmasa të mëdha ka dhe në rajonin e Lezhës, në zonën e Torrovicës dhe Mal-Kolaj.
Ndërkohë në të gjithë territorin e vendit kanë filluar vatra zjarri që pritet të marrin përmasa serioze për shkak të erës.

I bëj thirrje Ministrisë së Mbrojtjes, Agjencisë për Mbrojtjen Civile dhe institucioneve të tjera përgjegjëse qendrore dhe vendore të marrin të gjitha masat e duhura efektive për të ndaluar përhapjen e zjarreve, fikjen e tyre dhe mbajtjen në gadishmëri të strukturave operacionale, për ndërhyrje të menjëhershme.
Me shumë rëndësi është gjithashtu vlerësimi i parashkimeve të hershme të IGJEUM, si dhe shtimi i numrit të vrojtuesve në zonat me risk të lartë, sidomos në Zonat e Mbrojtura.