Siguri e lartë në gjykatën e Lezhës: Ish-i dënuari për vrasje del para gjyqit për dy vrasje të tjera

217
Sigal

Mbërrin nën masa të rrepta sigurie në Gjykatën e Lezhës, Edmond Përdoda, autori i dytë i dyshuar për vrasjen e Kol Murranit dhe Preng Simonit në Lalm të Vjetër më 27 prill 2020. Përdoda do të njihet me masën e sigurisë.

Të dy vëllezërit, Aleksandër dhe Edmond Përdoda, janë autorët e dyshuar të vrasjes së dyfishtë.

Burime të sigurta pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autori e ka pranuar autorësinë e krimit duke bashkëpunuar me Policinë dhe Prokurorinë, duke treguar dhe vendin e ngjarjes ku kishte fshehur  armët e krimit, dy kallashnikovë.

Më 11 shkurt 2022, Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, njoftoi se në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ka mirorganizuar punën për kapjen e tij.

Image

Në këtë kuadër është finalizuar me sukses operacioni policor “Lalm i Ri”, si rezultat i të cilit është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Edmond Përdoda, 39 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale “Vrasje” dhe në Shqipëri, për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, sepse dyshohet që në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin A. P. (i arrestuar me parë), kanë vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.