Shtëpitë 51% më shtrenjtë se në 2013/ Vetëm gjysma e banesave blihen nëpërmjet kredive bankare

58
Sigal

Nuk ndalet shtrenjtimi i çmimit të banesave. Në pjesën e parë të vitit çmimet e apartamenteve u rritën me 6.7% më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë sipas bankës qendrore.

Por, në raport me vitin 2013 që përkon me periudhën bazë të vrojtimit çmimet e banesave janë shtrenjtuar me rreth 49.4%, ku rritja më e madhe është konstatuar në kryeqytet.

Sipas të dhënave në Tiranë çmimet e banesave krahasuar me 2013-ën gati janë dyfishuar pasi janë rritur me 51.7%, më shumë se mesatarja kombëtare. Kjo tendencë e shtrenjtimit të pronave në kryeqytet sipas vrojtimit është vërejtur jo vetëm në qendër, por edhe në periferi e zona jashtë qytetit.

Tregu i pasurive të paluajtshme ka njohur rritje të vazhdueshme duke mos u ndikuar as nga kriza e pandemisë Covid-19 dhe agjentët e shoqëritë e ndërtimit të anketuara janë optimiste për ecurinë e tregut të pronave edhe për të ardhmen teksa presin rritje të mëtejshme të çmimeve.

Sipas agjentëve imobiliarë dhe aktorëve të tjerë të tregut, sistemi bankar ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës dhe ofertës në këtë sektor, ku gjysma e pronave për banim dhe për qëllime tregtare pohojnë ata janë blerë me hua bankare.

Ndërkaq, shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në pjesën e parë të vitit portofoli i kredisë për blerjen e pronave nga individët arriti në 120 miliardë lekë, duke u rritur me rreth 13% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, sipas agjentëve imobiliarë dhe operatorëve të tregut të intervistuar rritje kanë shënuar edhe çmimet e qirave për apartamente në pjesën e parë të këtij viti, teksa kërkesa për prona me qira nuk ka pësuar ndryshime.