Shqiponja e flamurit të Malit të Zi mbi kokat e policëve shqiptarë

1086
Sigal

Robert Përmeti

Është një absurditet i paparë, sepse jemi i vetmi vend unik në botë, që tallemi me simbolet tona kombëtare e në mënyrë të veçantë, me shqiponjën e flamurit tonë kombëtar. Nuk mundet njeri të tallet apo të bëjë lodra me shqiponjën e flamurit gjerman, polak, rus, serb, etj, sepse përgjegjësia është aq e madhe sa mund të të kushtojë edhe jetën. Kurse ne? Për të ardhur keq që është krijuar terren nga njerëz që nuk dihet se për kë punojnë e kujt i shërbejnë, por që qartësisht tregojnë se duke fyer simbolin tonë kryesor, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse përbaltin dinjitetin kombëtar. Jemi dëshmitarë të daljes në qarkullim të lloj – lloj shqiponjash, aq sa të duket sikur bëhet garë se kush mund ta talli më shumë “Shqiponjën”, që prej shekujsh qëndron në flamurin e shqiptarëve. Dhe kuptohet që këtë maratonë të shëmtuar të njerëzve, që i shërbejnë nën rrogoz antishqiptarizmit, kanë përkrahjen nga pushteti e qeveritarë të gjitha ngjyrave. 

Prezantimi i shqiponjës në 100-vjetorin e Pavarësisë
Në 100 – vjetorin e Pavarësisë shqiponja jonë u prezantua si dy ushkurë në ngjyrë kuq e zi, thuajse po të jetë kuq e zi, autori që fshihet pas saj është patriot njëzet e katër karatësh. Gjykata kushtetuese që mbron Kushtetutën, edhe pse e ka të shkruar në Kushtetutën që ajo duhet të mbrojë, se cila është shqiponja shqiptare, na shpalos një tip tjetër shqiponje që përfaqëson këtë institucion si mbrojtës të së drejtës shqiptare. E po të vazhdosh akoma me thellë do të shohim se është krijuar një fermë shqiponjash që konkurron çdo lloj pularie të kohës. Por ajo që është më shqetësuese është se institucionet tona përfaqësuese edhe jashtë vendit tonë, siç është Kryeministria, Ministria e Punëve të Jashtme etj., nuk i referohen Kushtetutës tonë që ka ligjëruar flamurin aktual, por përfaqësohen me nga një tip shqiponje gjysmë kuq e gjysmë i zi, apo shqiponjë e racave të panjohura. E kjo lloj maskarade amatoreske që duke u bërë masive i shërben vetëm antishqiptarisë, ka hyrë në gara pa kufi. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në vizitën që bëri në Malin e Zi u kërkoi autoriteteve malazeze, që të respektojnë simbolet e shqiptarëve. Këtë ka kërkuar edhe kryeministri Rama. Në pamje të parë kjo është një kërkesë shumë domethënëse, por a e di Rama se aktualisht policia e shtetit shqiptar dhe e qarkullimit rrugor që është tërë ditën në kontakt me të huaj e turistë e që prezantohen direkt me ta, mbajnë në kapelën e tyre shqiponjën e kopjuar që Mali i Zi e mban në flamurin kombëtar? 
Lapsus apo veprim qëllimkeq
Është kjo thjesht një lapsus politik apo ka qarqe të caktuara që bëjnë ç´është e mundur për të goditur trashëgiminë tonë shekullore, për të goditur krenarinë kombëtare, për të goditur vlerat e këtij populli që për atë flamur me atë shqiponjë ka derdhur gjak ndër shekuj. E sot…ca çapaçulë të mbërthyer nga ethet e tenderëve, nuk duan t´ia dinë se çfarë fyerje i bëjnë këtij kombi. Kuptohet që njerëz të tillë veç kusureve që mbartin individualisht, demonstrojnë edhe injorancën e tyre, sepse më e pakta që mund të thuhet për ta është se nuk kanë kulturën e duhur për të bërë zgjedhje, prandaj e kanë të lehtë edhe të shiten duke ju servilosur emblematikës së huaj, duke bastarduar emblematikën shekullore shqiptare. Policia e Shtetit Shqiptar avancon me simbolikën e saj dhe arrin deri aty, sa që i ka ngjit flamurit kombëtar një mballomë blu, thuajse kushtetuta lejon që flamurit kombëtar mund ti qepesh edhe streçe, në emër të modernizmit. Simbolet nuk lihen në dorë të policëve dhe ky nuk është faji i tyre, por të gjitha institucionet e shtetit shqiptar kanë rënë në ujdi që të bëjnë rumpallë me këtë problem. 
Shqiponja e Presidencës
E ky problem është shtrirë nga institucioni i presidentit të Republikës, e deri te institucioni më i humbur i këtij shteti. Varianti që na prezantohet presidenca është me shqiponjën e periudhës së Skënderbeut, sepse shqiponja e flamurit kombëtar nuk dihet se për kë është miratuar, thuajse Presidenca është e një shteti tjetër e jo e Shqipërisë. Personalisht si krijues dhe si studiues i emblematikës shqiptare e të huaj, shoh me keqardhje që shqiponja me e vjetër e traditës, e ardhur deri te ne që nga koha kur Skënderbeu ishte gjallë, shpërfillet dhe kjo jo pa qëllim. Albanologia italiane Luçia Nadin ka zbuluar në arkivat italiane simbolin më të vjetër që daton në periudhën kur Skënderbeu ishte figurë shumë e mirëpritur në qarqet veneciane. Kjo shqiponjë është rreth 50 apo 60 vjet më e vjetër se ajo që është gjetur te varri i nipit të Skënderbeut, daton rreth 7 shekuj vjetërsi, por asnjeri nuk i referohet kësaj vlere kombëtare, sepse kjo shqiponjë- emblemë mbart mbi vete historinë e lavdishme të shqiptarëve, që luftuan e sakrifikuan për këtë Europë që sot na bën diferencime, që është po aq e korruptuar sa vet politikanët tanë. 
Shqiponja – emblemë
Kjo emblemë shoqërohet edhe me një shkrim protokollar që i dedikohet heroit tonë legjendar dhe nipit të tij, gjë që tregon për vendin e rëndësishëm që zinte faktori shqiptar në problemet e rënduara të Europës së asaj kohe. Interesohet një albanologe e huaj dhe e ka për nder që i shërben çështjes shqiptare, kurse vetë ne shqiptaret kalojmë ditët duke folur për reforma dhe duke u zgërdhirë në reforma. Ka shumë ballkanas që e kanë zili këtë fakt e po ta kishin ata një fat të tillë, do ta kishin vendos menjëherë në simbolet madhore të tyre, por…ata po, ndërsa ne…jo. Të ndodhur para kësaj vlere të kulturës së trashëguar shqiptare, çdo shqiptar i ndershëm dhe sado pak patriot duhet t’i bëjë pyetje vetes: Kush dhe pse na i përdhosin vlerat tona? Pse jemi bërë kaq indiferentë para botës kur qarqe antishqiptare nuk kursehen të shprehin xhelozinë e tyre për vlerat e larta shpirtërore të popullit tonë, duke i sulmuar ato sistematikisht e në të gjitha drejtimet. Simbolika është pasqyra e shpirtit të një populli, prandaj ai i ruan ato me fanatizëm ndër vite, por kur shohim se çfarë po ndodh aktualisht, pa hezitim mund të themi se të keqen e kemi brenda nesh, e kemi nga ata që nga “Kultura e injorancës” bëjnë punën e atyre që s’na duan, e bëjnë ata që nën hijen e reformave, tregojnë se nga vijnë e kujt i shërbejnë, sepse sa më injorant të jesh, aq më lehtë vihesh në shërbim të të tjerëve. 
Vendim parlamenti për shqiponjën
Simbolika për të gjithë popujt, flet në heshtje, por flet për shumë probleme. Ka ardhur koha që simbolet që qarkullojnë sot për sot në dikasteret shtetërore, të pastrohen nga pisllëqet e stimuluara nga antishqiptarët dhe Akademia e Shkencave nuk ka pse të bëjë sehirxhiun dhe të jetë e interesuar vetëm për të siguruar fonde për projekte që s’i hyjnë në punë askujt. Ka vite që simbolika jonë sulmohet hapur, por politikanët pseudopatriotë nuk e vënë ujin në zjarr. Të ndodhur para këtij fakti ogurzi, ka ardhur koha që simbolika zyrtare duhet të miratohet me shumicë nga parlamenti dhe të hiqet dorë përfundimisht që ato të kthehen në lojë e ministrave që vijnë e ikin e që në jetën e tyre nuk kanë bërë kurrë ndonjë gjë të hajrit për këtë vend, veçse tendera, vjedhje fondesh dhe pasurim të pamerituar.