Shpërthimi në automjetin e parkuar, shoqërohen disa persona në Polici. Zbardhet dëshmia e pronarit të mjetit

166
Sigal

Policia dhe Prokuroria e Krujës vijojnë hetimet për zbardhjen ngjarjes së mbrëmjes së të enjtes në zonën e Krujës, ku në një automjet të parkuar në oborrin e një banese shpërtheu një sasi lënde eksplozive.

Automjeti është në pronësi të shtetasit Lirim Tali, person me precedent penal në fushën e trafikimit të narkotikëve, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.

Për ngjarjen në fjalë janë sekuestruar kamera sigurie dhe janë shoqëruar disa persona, të cilët pasi janë marrë në pyetje, janë lënë sërish të lirë.

Vetë Tali nuk është se ka ndihmuar shumë hetuesit, duke pohuar se nuk ka dijeni se kush mund t’ia ketë vendosur lëndën plasëse në makinë dhe se nuk mund ta drejtojë gishtin te askush.

“Nuk di çfarë të them, nuk mund ta drejtoj gishtin askund. Deri në momentin që nuk kam asnjë kërcënim, s’mund të flas duke aluduar”, thuhet në një pjesë të dëshmisë së tij për Policinë.

Ngjarja u regjistruar rreth orës 19:20 të mbrëmjes së të enjtes në fshatin Zallë të Krujës. Në automjetin në pronësi të shtetasit Lirim Tali, që ishte i parkuar pranë banesës së tij, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse, dhe për pasojë, automjeti është dëmtuar pjesërisht.

“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Sqarojmë se pronari i mjetit, shtetasi L. T., është person me precedent të mëparshëm penal në fushën e trafikimit të narkotikëve, aktualisht me masë sigurie ‘Arrest në shtëpi’”, sqaroi Policia.

Zona e Krujës njihet për shpërthime të shumta me eksploziv, ndërsa gjatë muajit nëntor një tjetër shpërthim u regjistrua në të njëjtin fshat.

“Më datë 05.11.2021, rreth orës 00:56, te porta e rrethimit të jashtëm të banesës së shtetasit Edmond Hidri, në fshatin Zallë, Fushë-Krujë, ka plasur një sasi e vogël, dyshohet lëndë plasëse. Për pasojë, është dëmtuar vetëm porta e rrethimit të jashtëm të banesës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit”, bënte me dije Policia.