Shkrimtari Ben Blushi rrëfen “Komplotin” në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

3464
Sigal

Shkrimtari i mirënjohur Ben Blushi vizitoi Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Pas takimit me Presidentin e Universitetit Mesdhetar, Akademik. Prof. Dr, Anastas Angjeli, shkrimtari zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë me stafin akademik dhe studentë, ku prezantoi këndvështrimet që sollën në realizimin e veprës së tij më të fundit “Komploti”, i cili është dhe romani i dhjetë i tij. Një roman që në leximin e parë ka arritur të tërheq vëmendjen e padiskutueshme të lexuesve, ku përmes 274 faqeve të përshkruara mjeshtërisht të çon në Shqipërinë e vitit 2043.

Presidenti i UMSH u shprehet se: “Është nder që kemi të pranishëm shkrimtarin e madh Ben Blushi dhe në kuadër të aktiviteteve, që pasojnë 15- vjetorin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Nuk e teproj të them se si një shkrimtar e personalitet poliedrik, Ben Blushi përshfaqet si një ndër zërat më të fuqishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare, si një kronikan  elegant dhe po aq dhe sarkastik i shpirtit dhe karakterit të shqiptarit, nga njëra anë dhe peripecive të fatit të atdheut të vet, nga ana tjetër. E lexova librin e tij  të ri dhe mora po të njëjtën ndjesi e kënaqësi që pata ndjerë me librat e mëparshëm. Por pa dashur të absolutizoj, kam mendimin se ky i fundit më duket vepra më e arrirë e krijimtarisë së tij, më provokuesja dhe më joshësja: një rrëfim sa ironik aq dhe njerëzor” , tha ndër të tjera Akademik Anastas Angjeli.

Autori Ben Blushi , fituesi i çmimeve të ndryshme letrare, si çmimi “Kult”, Çmimi Europian për Letërsinë në vitin 2014 u përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, lidhur me ngjarjet e ndërthurura në libër. Ai rrëfeu indicien që e çoi në idenë për të shkruar “Komplotin”, ngjarjet e të cilit zhvillohen në vitin 2044, kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar .

Blushi rrëfen një pikë kulminante në roman, që sipas tij nis edhe komploti:” Të huajt bëhen shumicë dhe fitojnë bashkinë e Shëngjinit duke zgjedhur Kryetar Bashkie një afgan. Për shkak të rrethanave dhe ndryshimit të shpeshtë të qeverive, ky afgan që martohet me një shqiptare, zgjidhet Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë. Komploti përfundon me një tentativë të afganëve për grusht shteti, pra një përpjekje për të marrë Qeverinë e Shqipërisë dhe për ta kthyer Shqipërinë në një Afganistan të vogël në mes të Europës”, u shpreh ai.

Shpesh në romanet e tij Blushi ja ka dalë që të parashikojë më anën e historive shumë tërheqëse copëza të realitetit. Ndoshta dhe për t’i paraprirë, autori i përgjigjet kështu pyetjes së një prej të pranishmëve lidhur me realizimin e fanatazisë së shkimtarit elaboruar në roman, për Shqipërinë pas 20 vitesh. “Libri im ka një italik në fillim: Atyre që mund t’i pengojnë ngjarjet e këtij romani të ndodhin vërtetë. Unë nuk dua që kjo të ndodhë”,- u shpreh Blushi. I gjithë aktiviteti u zhvillua në një debat pasionant për temat e librit me shkrimtarin Ben Blushi, ku në pëfundim  firmosi me dashamirësi autografe për të pranishmit.