Shkencëtarët janë aset kombëtar

1171
Prof. Alqi Naqellari
Dikur Akademia e Shkencave ka qenë institucioni më i nderuar dhe më i respektuar në Shqipëri. Të punoje në Akademi ishte privilegj, sepse aty mblidheshin personalitetet më të spikatura të shkencave në Shqipëri. Aty kanë dhënë kontributin e tyre të padiskutueshëm personalitete të shkencës shqiptare si; Akademik Aleks Buda, Eqerem Cabej, Androkli Kostallari, Stefanaq Pollo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Kolë Popa, Luan Omari, Teki Biҫoku, Besim Daja etj. Akademia e Shkencave u themelua në 10 tetor 1972 me 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korenspondentë. Si pjesë të saj ajo kishte edhe 13 Institute që kryenin aktivitete kërkimore shkencore. Ndër Institutet më në zë të asaj kohe mund të përmendim, Institutin e Gjuhësisë, Institutin e Historisë, Institutin e Kërkimeve Biologjike, Institutin Kërkimeve Hidraulike, Institutin e Gjeografisë, Institutin e Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar (INIMA), Institutin e Fizikës Bërthamore, Institutin e Hidrometeorologjisë etj. Akademia dikur ishte një organizëm i gjallë ku Institutet pranë saj kryenin kërkime dhe studime shkencore, të cilat viheshin në jetë. Të gjitha veprat hidroenergjitike të ndërtuara në Shqipëri kanë kaluar nga duart e shkencëtarëve shqiptarë, ku një kontribut të veçantë kanë edhe Institutet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Të gjitha studimet Hartografike të Bujqësisë, studimet gjeologjike e gjeofizike kanë kaluar nga Institutet e Akademisë së Shkencave. Të gjithë fjalorët, punimet për Gjeografinë, Historinë e Shqipërisë, për Florën dhe Faunën, të gjitha punimet për Albanologjinë e Arkeologjinë kanë kaluar nga duart e akademikëve shqiptarë. Po jap këtu vetëm një shembull. Hidrocentrali i Fierzës është llogaritur të përballojë një tërmet 9 ballë të shkallës Rihter dhe të mos pësojë asnjë dëmtim pikërisht nga këta shkencëtarë shqiptarë, që si gjithnjë mbeten të heshtur e fjalëpakë. Sot kjo Akademi, dikur Institucioni hijerëndë dhe më efektivi në Shqipëri, është kthyer në një Institucion honorifik që nuk arrin të përcaktojë dot as Statusin dhe të zgjedhë Kryetarin e saj. Sot Akademia e Shkencave ka si funksion të saj të bashkëpunojë me institucione kërkimore shkencore, që kanë kapacitete për kërkim për kryerjen e studimeve shkencore, të propozojë fusha të reja kërkimi në përputhje me zhvillimin e vendit, të ofrojë ekspertizën e saj, të organizojë konferenca, konkurse, kongrese dhe botojë punime me nivel të lartë shkencor. Këto janë funksionet e Akademisë së sotme të Shqipërisë. Atëherë çfarë pune shkencore kërkohet nga kjo Akademi, çfarë shkence do bëjë ajo, që të mbajë vulën e saj, kur ajo nuk ka gjë në dorë, kur ka vetëm një fond pagash dhe mbeturina për botime shkencore, sepse për kërkime nuk bëhet më fjalë? Akademia e sotme përbëhet nga Profesorë të fushave të ndryshme që përfaqësojnë një trupë të kualifikuar të shkencës shqiptare. Sot nga kjo Akademi askush të mos presë studime shkencore, sepse secili anëtar i saj kontribuon në punën e vet që kryen jashtë Akademisë. Ish-Institutet e saj u janë atashuar Universiteteve Shtetërore të Tiranës, sot plotësisht të atrofizuar dhe vetëm disa prej tyre funksionojnë si të pavarura. Akademikët e angazhuar deri në ndryshimin e statusit të saj, në shkrirjen e Instituteve kanë bërë një punë të shkëlqyer për rritjen e nivelit shkencor e intelektual të shoqërisë shqiptare. Ishin ata që me iniciativën dhe punën e tyre të pa lodhur qysh në vitet e para të tranzicionit aktivizuan Institutin e parë shkencor që kryente punë për tregun e jashtëm. Duke shfrytëzuar punën dhe arritjet e tyre kanë marrë tituj e grada shkencore me dhjetëra inxhinierë e specialistë të profesioneve të ndryshme. Në vitin 1971 u ngrit Qendra e Matematikës Llogaritëse që hapi rrugën e informatizimit të gjeoshkencave në Shqipëri. Kristian Bukuroshi, Frederik Premti, Gudar Beqiraj, Ylli Vejsiu, Neki Frashëri, Dhimitri Tole të Qëndrës Llogaritëse së bashku me pedagogët e Gjeofizikës të UT-së Ligor Lubonja, Alfred Frashëri, Salvatore Bushati, Kujtim Haxho, Ivoni Cani filluan për herë të parë në vendin tonë të kryenin informatizimin e kërkimeve gjeofizike dhe gjeokimike. Në vitin 1973 u ngrit dhe filloi nga puna Qendra Llogaritëse e Industrisë në Naftës në Fier me iniciator Agim Luari, Jorgji Lëngu, Llazar Loci, Maksim Rrapo, Petrit Sadushi, Petrit Ҫela, Petrit Ahmati, Pirro Shuteriqi, etj. Në vitin 1974 për herë të parë në Shqipëri në Fakultetin e Gjeologji – Minierave në Universitetin e Tiranës u fut lënda “Teknika llogaritëse” e cila më vonë u shndërrua në “Përpunimi i të dhënave gjeofizike me kompjuter” dhe që sot njihet si lënda e “Informatikës”. Ishte Profesor Kristian Bukuroshi, Ylli Vejsiu, Esat Emiri, Ali Nonaj, Gudar Beqiraj, Dhimitri Tole, Frederik Premti, Neki Frashëri etj., etj., që themeluan INIMA-n e famshme ku u punësuan mbi 1200 gra dhe vajza të qytetit të Tiranës në vitet 1994 – 2007. INIMA ishte i pari i këtij lloji në Shqipëri. Ajo jo vetëm që zgjidhi probleme të papunësisë në Tiranë, por bëri një punë të shkëlqyer në ngritjen dhe kualifikimin e brezit të ri në përdorimin e kompjuterëve në punën e tyre. Ishte INIMA që furnizoi me kompjuterët e saj me dhjetëra institucione shtetërore dhe që kreu një punë titanike në shërbim të informatizimit të kadastrës italiane. Ishte INIMA që kualifikoi dhe specializoi me dhjetëra e qindra studentë të informatikës që sot janë bërë personalitete e kanë shkëlqyer, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ishin këta njerëz, akademikë, idealistë që e deshën dhe e duan Shqipërinë, që menduan për të dhe nuk panë xhepat e tyre, që ndikuan në ecurinë e mendimit shkencor shqiptar. Pavarësisht se sot dikush i fyen apo i përbuz, si komunistë apo punistë, puna e tyre ka qenë dhe mbetet e lartësuar që pak kush e ka arritur dhe pak kush do ta arrijë edhe në të ardhmen. Ne sot kemi kompjuter modernë, por harrojmë se para tyre shkencëtarët tanë kanë punuar me makineri disa tonëshe që bënin punën e një kompjuteri, që kërkonin programe të veçanta dhe qindra orë pune. Ne sot shikojmë makina llogaritëse, dhe celularë, ndërsa në atë periudhë kohe ishte fat i madh të punoje me një makinë të thjeshtë llogaritëse, me strice “ASCOTA”. Sot me një të shtypur të tastierës kthen renditjen e të dhënave në kompjuter nga horizontale në vertikale. Po në atë periudhë kohe kërkoheshin programe të veçanta për të bërë veprime të tilla. Profesor Gudar Beqiraj mes studentëve specializantë nga dhjetëra shtete, në Institutin e Gjeostatistikës ‘Fauntain Blau’ të Francës, në 1985-1986 arriti ta bënte këtë program aplikativ, pikërisht njëri nga katër autorët e kësaj monografie. Tregues i punës shkencore të akademikëve e profesorëve të shquar shqiptarë është edhe botimi së fundmi i monografisë “matematizimi dhe informatizimi i problemeve të gjeofizikës ndër vite në Shqipëri”. Kjo Monografi, prej mbi 850 faqe, një pjesë e shkruar edhe në gjuhën angleze është fryt i një pune shumëvjeçare të Akademik Gudar Beqiraj, Akademik Neki Frashëri, Profesor Alfred Frashëri, dhe Akademik Salvatore Bushatit. Katër Personalitete të njohur në fushën e matematikës, gjeofizikës dhe informatikës. Sot kompanitë e huaja dhe vendase që veprojnë në Shqipëri, në naftë, bakër, krom, dhe thuajse në të gjitha fushat, kanë gjetur të gatshëm studimet e Akademisë së Shkencave dhe të Instituteve të asaj kohe. Në fushën e naftës dhe mineraleve ku veprojnë kompani të huaja dhe vendase kontributin themelor, bazë e kanë dhënë pikërisht këta shkencëtarë matematikanë, gjeofizicienë e informaticienë shqiptarë, së bashku me inxhinierët e talentuar të asaj kohe. Sot Studimet e asaj periudhe merren të gatshme dhe shfrytëzohen prej këtyre kompanive, duke harruar se ato janë kryer pikërisht nga këta shkencëtarë dhe kolegët e tyre. Sot jo vetëm në fushën e kërkimeve të naftës por edhe në fushat e tjera si në vijat e trazuara të rrugëve Veri –Jug –Lindje –Perëndim është dora e këtyre inxhinierëve, që lanë projektet e gatshme dhe gjysmë të gatshme brezave që do vinin. Në Monografinë e Profesorëve të nderuar përshkruhet puna e palodhur në fushën e studimeve gjeofizike nga viti 1971 deri në vitin 2015. Në këtë shkrim do citoj një pjesë të arritjeve të përshkruara edhe në parathënien e Monografisë. Zhvillimi i ekonomisë shqiptare para viteve ’90 ishte i mbështetur në pasuritë nën e mbitokësore të vendit. Industria minerare u mbështet në kërkimet gjeologjike, gjeofizike e gjeokimike. Këto kërkime u mbështetën fuqishëm nga metodat shkencore – kërkimore më moderne të kohës, ato u shoqëruan me matematizimin, informatizimin, ku si objektiv ka qenë kërkimi dhe zbulimi i vendburimeve të reja. Të gjitha këto kërkime dhe përpunime shkencorë për vitet 1971-2015 janë referuar në 49 kongrese e konferenca shkencore, janë botuar në revistat shkencore të vendit dhe të huaja. Punimet e shkencëtarëve shqiptare në fushën e gjeoshkencave janë vlerësuar në 26 kongrese botërore, kanë marrë vlerësime maksimale nga institucione prestigjioze shkencore botërore. Në këtë periudhë u zgjeruan përdorimet e metodave matematike, informatike që u mbështetën edhe nga arritjet e teknologjive të teknikave llogaritëse “hardẇare”. Procesi i matematizimit dhe informatizimit të studimeve të fushës së gjeofizikës dhe më gjerë nuk u bë menjëherë, por kaloi në disa stade, sepse ishte një punë që nuk ishte bërë asnjë herë dhe nuk kishte asnjë lloj përvojë shkencore. Ishte hera e parë që shkencëtarët shqiptarë aplikonin metodat shkencore në kushtet e ekonomisë reale. Pikërisht këtu në ekonominë reale u provua vërtetësia e tyre. Pikërisht edhe nga shkencëtarët e sotëm kjo kërkohet, që “studimet” e tyre të provohen në ekonominë reale. U punua bashkërisht, matematikanë, inxhinierë, informaticienë në ndërtimin e algoritmeve, hartimin e programeve për kompjuterët si dhe për kolaudimin dhe eksperimentimin e tyre duke i shndërruar programet e tyre në programe standarde. U realizuan një sërë arritjesh shkencore si “hartimi i organigramave me vlera aplikative e studimore për përpunimin e të dhënave fushore, interpretimin gjeologo-gjeofizik duke hedhur bazat e matematikës llogaritëse në studimet gravimetrike në Shqipëri. U hartuan 36 Programe Standarde që u publikuan në vitin 1987. Botimet e tyre u realizuan pikërisht nga INIMA dhe Katedrat përkatëse të UT-së. Kjo punë shkencore teorike, në hartimin e programeve u përdor nga ekspeditat gjeofizike që operonin në prodhim. Përdorimi metodave matematikore u fut gjerësisht në përdorim në shkencën e tokës, në gjeofizikë ku përfshiu të gjitha fazat e studimeve që nga projektimi, përpunimi i të dhënave, korrigjimet për ndikimin e reliefit, ndërtimin e hartave dhe të profileve gjeofizike etj. Krahas tyre është bërë modelimi matematikor i objekteve gjeologjike dhe interpretimi i të dhënave të vrojtimeve në terren duke kryer inversionin gjeofizik. Nëpërmjet metodave matematikore u zgjidhen probleme të ndërlikuara të zbatimit të detyrave inxhinierike dhe mjedisore që në këto vitet e fundit janë shoqëruar edhe me përpunimin e të dhënave satelitore. Qëllimi i Monografisë së paraqitur nga profesorët e nderuar është që rezultatet e arritura prej studimeve të tyre në praktikë të vihen gjithnjë e më shumë në dispozicion të specialistëve të fushës, sidomos brezit të matematikanëve e informaticienëve të rinj. Për këto probleme profesorët Alfred Frashëri, Gudar Beqiraj, Tomi Kristo dhe Muhamet Doracaj kanë shkruar disa artikuj në shtypin e përditshëm që nga viti 1974 e në vijim. Në Monografi përmendet dhe falënderohet edhe kontributi i inxhinierëve dhe i specialistëve të fushave të ndryshme si Ylli Vejsiu, Dhimitër Tole, Ligor Lubonja, Radium Avxhiu, Përparim Alikaj, Ludvig Kapllani, Niko Pano, Evis Pano, Luljeta Bozo, Foto Dhima, Burhan Ҫanga, Ylber Muҫeku, Bejo Duka e Rushan Liço. Po përmendim këtu disa nga punimet më të spikatura në Buletinet Shkencore shqiptare. “Gjeofizika shqiptare dhe përballja me sfidat gjatë periudhës së tranzicionit drejtë ekonomisë së tregut”, “Mbi përpunimin e rezultateve dhe të vrojtimeve gjeofizike me ndihmën e makinave llogaritëse elektronike”, Studimi statistikor i të dhënave të vrojtimeve gjeofizike”, “Analiza e prirjeve si një rrugë efektive për veçimin e anomalive gjeofizike të rendeve të ndryshme”, “Përllogaritja e lakoreve të sondimeve elektrike vertikale dhe interpretimi i tyre”, “Algoritëm për studimin e përhapjes se fushës elektrike me metodën e elementeve të fundme në mjedise të ndara me sipërfaqe të lakuara” etj., etj. Në mbyllje të këtij përshkrimi nuk mund të rri pa përmendur këtu edhe kontributin e Profesor Gudar Beqiraj në fushën e sportit të Peshëngritjes. Nëse sot ky sport ekziston dhe është në krye të sporteve shqiptare është pikërisht edhe puna e përkushtuar 53- vjeçare e Profesor Gudarit. Rast i vetëm në botë që një Akademik është prej 36 vitesh Arbitër Ndërkombëtar i Peshëngritjes. Nga të rrallët personalitete ndërkombëtare që është Dekoruar me Medalje të Artë nga Federata Botërore e Peshëngritjes. Profesor Gudari, jo vetëm që është shkencëtar, përkrahës dhe mbështetës i sportit, si rrallë kush, por është edhe mirëfilli një patriot shqiptar. Në vitin 1992 qëndroi vetëm një vit si pedagog i Matematikës dhe Punonjës Shkencor në Universitetin e “La Sapienza” të Romës dhe u kthye për t’i shërbyer dhe kontribuar vendit të tij. Dëgjojmë sot se X apo Y u bë profesor dhe kujtojmë punën titanike të këtyre personaliteteve. Po t’i vendosim në balancë punën e profesorëve të sotëm me punën e profesorëve të djeshëm do shikojmë një hendek shumë të thellë. Sot mund të bëhesh profesor me 15 artikuj mjafton të kesh botuar në revista me faktor impakti, brenda apo jashtë Shqipërisë. (Ka sot Revista me Faktor Impakti që botohen për tregti, për të fituar para dhe jo për të nxjerrë në pah arritjet shkencore të X apo të Y). Askush nuk pyet, se cila është arritja shkencore në shkallë kombëtare apo ndërkombëtare e këtyre “studiuesve”, askush nuk pyet, se cili do jetë impakti i aplikimit të këtyre studimeve në ekonomi. Sot kanë marrë tituj e grada shkencore një pjesë e mirë e miqve dhe tarafit të lobeve të drejtuesve të këshillave të profesorëve, kanë marrë tituj ish-deputetë, ministra, doganierë e taksidarë, njerëz pa kurrfarë kontributi në mendimin shkencor. Një person si A. Fuga që i thonë edhe akademik thuajse çdo ditë prononcohet në fejsbuk dhe në gazetë. Mediat mezi presin të botojnë thëniet e këtij profesori të madh që për mua është një pedagog i zakonshëm. ‘Sot do bjerë shi’-e tha Akademik Fuga, ‘nesër do bëjë ngrohtë’- e tha Akademik Fuga këtë, ‘është rritur çmimi domateve në treg’- e tha Akademik Fuga këtë. Edhe një kollë të bëjë Akademiku menjëherë mediat e pasqyrojnë si ndonjë thënie të madhe filozofike. Përse i përmenda këto? I përmenda sepse unë nuk di ndonjë kontribut të tij në mendimin filozofik ndërkombëtar ose në mendimin filozofik kombëtar. Nëse ka, le të thotë e zeza mbi të bardhë se ku dhe për çfarë ka kontribuar. Kush i zbaton mësimet e tij ose arritjet e tij? Unë lexoj prej tij vetëm kritika nga mëngjesi e deri në darkë, lexoj kritika nga një njeri i pa kënaqur deri sa e ka bërë ves, që nuk di të lavdërojë kurrë, që nuk ka dhënë, për mendimin tim, asnjëherë rrugë zgjidhje apo mendime për zgjidhjen e një problemi. Këtë e them edhe për qëndrimin negativ që ka mbajtur ndaj Akademisë së Shkencave, pa dhënë kurrfarë mendimi për perspektivën e saj. Së fundi, u morr edhe me Festivalin Evropian të Këngës. Le ta lëmë akademikun në punën e tij dhe duke e përfunduar theksoj se: Nëse do bëhej një VETING për titujt dhe gradat shkencore, një pjesë e mirë e tyre do dilnin zbuluar. 


Sigal