Shkëlqim Murati:”Zgjidhja, dialogu shtet- biznes”

609
Sigal

Bllokimi i ARMO-s nga segmente të caktuara të strukturës shtetërore, reagon prefekti i Fierit

Prefekti  i Qarkut të Fierit, Shkëlqim Murati premton se do te thërrasë në një takim të përbashkët drejtuesit e institucioneve kryesore vendore, ku nuk do mungojnë drejtuesit e Bashkisë, dhe Qarkut, për të diskutuar mbi situatën më të fundit të krijuar në rafineritë e naftës së kompanisë ARMO. “Duke qenë se problem është madhor atëherë unë mund të inicioj një takim të tillë. E kam pritur që të ndodhte një takim i këtyre niveleve. Do të jetë e detyrueshme. Unë do jem iniciator i kësaj e do të realizojmë një takim të tillë”- thotë Murati. Prefekti Murati  shpjegoi se nuk ka informacion të detajuar mbi atë që po ndodh në rafinerinë e Fierit.  Por pas protestave të punëtorëve të ARMO-s dhe shqetësimit të madh social që ngrihet prej tyre, për të gjithë qarkun, Murati tha se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut shtet-biznes. “Nga ana zyrtare nuk kam asnjë shqetësim të ngritur qoftë nga kompania private ARMO sha. po kështu edhe nga institucioni tatimor, ky i fierit apo edhe Drejtoria Qendrore e Tatimeve. Është një problem që unë e kam njohur si qytetar. Është një problem që në pozicionin ku unë ndodhem më shqetëson. Nga ana shoqërore e civile e nga ana sociale përbën një problem sepse janë një numër i konsiderueshëm punonjësish që vërtet punojnë në këtë rafineri, si në Fier dhe në Ballsh. Jemi në dijeni për një urdhër të lëshuar, por se nga nuk di ta them”- thotë Murati. Në kompaninë ARMO janë të angazhuar mbi 3 mijë banorë të qarkut të Fierit, duke e bërë këtë sipërmarrjen numër një, që garanton punësim afatgjatë për këta qytetarë. Dy rafineritë e përpunimit të thellë të naftës në Fier dhe Ballsh konsiderohen si burimi kryesor i të ardhurave që mbajnë këto mijëra familje.

 Dita e katërt e protestës, punonjësit e ARMO-s: Zhbllokoni rafineritë, ndryshe grevë urie

Protesta e punonjësve te kompanisë ARMO shënon ditën e katërt. Mijëra punëtorë të rafinerisë së Fierit dhe Ballshit janë të vendosur të mos tërhiqen nga kërkesat e tyre legjitime, për t’i dhënë fund bllokimit të punës në uzinë dhe pohojnë se do të shkojnë deri në grevën e urisë.

 Zëri i Amerikës: Bllokohet aktiviteti i ARMO-s

 Bllokimi i aktivitetit të ARMO ka bërë jehonë edhe në shtypin botëror. Kështu, Zëri i Amerikës, në një reportazh të djeshëm, pasqyroi realitetin e këtyre ditëve, protestat e mijëra punëtorëve, por edhe analizoi shkaqet përse ndodh ky bllokim, duke vënë theksin te urdhëri i organeve tatimore. Sipas Zërit të Amerikës, “ Aktiviteti i kompanisë së vetme në fushën e rafinimit të naftës, ARMO, është bllokuar me një urdhër të organeve tatimore, sipas të cilave shoqëria nuk ka shlyer në kohë detyrimet. Disa qindra punonjës të rafinerisë së Ballshit edhe Fierit kanë nisur protestat në mbrojtje të kompanisë e cila është në pronësi të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi. Punonjësit kërkojnë zhbllokimin e aktivitetit, ndërsa drejtuesit e rafinerisë akuzojnë organet tatimore se nuk ka treguar asnjë urdhër me shkrim për bllokimin e aktivitetit dhe së ndaj tyre po kulmon një fushatë e padrejtë trysnie përmes gjobave mjaft të rënda që kanë shkuar në disa dhjetëra milion dollarë. Sipas drejtuesve të ARMO-s, bllokimi i aktivitetit mund të jetë me pasoja të rënda për vazhdimin më tej të punës së rafinerive, “- bëri fjalë reportazhi i Zëri të Amerikës.