Elbasan, problem shfrytëzimi i lumenjve, në rrezik jeta e fëmijëve që plazhojnë në këto ujëra

1001
Sigal

Rehabilitimi i lumenjve është një nga kërkesat kryesore  që u kanë lënë për detyrë Këshilli i Baseneve, subjekteve që shfrytëzojnë lumenjtë nga Librazhdi, Elbasani, Peqini e Gramshi. Kryetari i Këshillit të Baseneve, vetë Prefekti, Shefqet Deliallisi, e ka lëshuar këtë thirrje në drejtim të gjithë subjekteve që shfrytëzojnë në shtretërit e lumenjve në Lumin Shkumbin, në Devoll dhe në mjaft lumenj e degëzime të ndryshme të këtyre lumenjve. Gjithashtu është dhe një urdhëresë e Ministrisë së Mjedisit dhe Drejtorive të Shërbimit Pyjor që detyron të gjitha subjektet që shfrytëzojnë në këto lumenj, për rehabilitimin e tyre. Janë më dhjetëra firma në të gjithë gjatësinë e lumenjve duke filluar që në Karkavec, Qukës, Bërzeshtë, Librazhd, Rrapun, Labinot, Peqin, Devoll e më gjerë që shfrytëzojnë me leje, por ka edhe nga ata që nuk u janë përmbajtur lejeve të marra nga Këshilli i baseneve ku dhe  u janë përcaktuar zonat e shfrytëzimit, por që një pjesë, nuk i kanë respektuar. Në kontratat e nënshkruara nga këto subjekte është shkruar qartë, që ato përveç shfrytëzimit duhet të rehabilitojnë dhe zonat e shfrytëzimit, pasi nga gërryerja që fadroma bën për marrjen e zhavorrit lenë gropa hapur duke përbërë rrezik për mbytjen e fëmijëve të vegjël, të cilët vrapojnë lumenjve për t’u freskuar në këto ditë të nxehta vere. Drejtoria e Baseneve u tërheq vëmendjen firmave që të jenë të kujdesshme, që të mos dëmtojnë shtretërit e lumenjve, veçanërisht në vendet ku rrezikohen banesa e toka bujqësore si dhe objekte të rëndësisë së veçantë, siç janë urat dhe bonifikimet e ndryshme.

Prandaj, krahas shfrytëzimit të lumenjve kërkohet që të kryhen dhe investime për të mbrojtur lumenjtë, por dhe për të përmirësuar ekologjinë dhe mjedisin. Drejtoria Rajonale e Baseneve paralajmëron të gjitha subjektet se do të jetë e vendosur për të ndëshkuar të gjitha ato subjekte  që nuk respektojnë udhëzimet e përcaktuara me ligj. Do të këtë kontrolle të përbashkëta nga Drejtoria e Baseneve, Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor, për ato subjekte që nuk kanë rehabilituar zonën ku kanë shfrytëzuar për marrjen e inerteve. E njëjta thirrje u është drejtuar dhe subjekteve që kanë guroret, që janë një numër jo i vogël në të gjithë qarkun ku dhe këto pjesa më e madhe janë pa licenca dhe jo të gjitha e zbatojnë ligjin.