Shqipëria po boshatiset, Qeveria mendon të mbush vendin me të huaj. Ja kriteret që përcakton

152
Sigal

 

Pasi truri i vendit iku,fusha që Rama synon të thithë talente nga vende të tjera, janë më të prekurat nga largimi i shqiptarëve vitet e fundit si mjekët e inxhinierët etj.,

 Në një kohë kur nga Shqipëria janë larguar me mijëra shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve të rinj dhe të reja, me mijëra mjekë e infermierë, inxhinierë apo arkitektë, njerëz të profesioneve të ndryshme, Edi Rama ka miratuar një vendim për thithjen e talenteve nga jashtë vendit, duke i afruar shtetësinë shqiptare.Vendimi i miratuar sot nga Qeveria përcakton kriteret, procedurat e aplikimit, rregullat e kryerjes së verifikimit dhe kontrolleve, për fitimin e shtetësisë shqiptare për kontribut të veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit.Dhe po të analizosh me kujdes të tre fushat që Rama synon të thithë talente nga vende të tjera, ndoshta janë më të prekurat nga largimi i shqiptarëve vitet e fundit, pasi e njëjta qeveri i vrau shpresat dhe nuk i dha asnjë rrugëzgjidhje tjetër.Mjafton të kthehen në vëmendje deklaratat e shumë sportistëve shqiptarë, të cilët nuk kishin as fusha dhe as palestra për tu stërvitur, pa përfshirë këtu mbështetjen financiare, që ishte në kufijtë e qesharakes, për të kuptuar sepse janë larguar talentet nga fusha e sportit.Dhe po kështu edhe nga shkenca apo arsimi, ku me dhjetra të diplomuar sot i gjen në vendet më të zhvilluara të Botës duke dhënë kontributet e tyre, pasi nuk gjenin hapësira në vendin ku ishin rritur, ishin arsimuar apo kishin kaluar pjesën më të madhe të jetës.


KRITERET PËR APLIKIM

Ka të drejtë të kërkojë për t’u përfshirë në programin e veçantë të shtetësisë, shtetasi i huaj (në vijim, kërkuesi), që plotëson kriteret e mëposhtme:

  1. a) Ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;
    b) Ka zotësi për të vepruar;
    c) Nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në shtetin e origjinës, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike;
    ç) Nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rendin publik të Republikës së Shqipërisë;
    d) Nuk figuron i regjistruar si person me rekorde kriminale në listat e organizatave ndërkombëtare partnere të sigurisë;
    dh) Deklaron se do të banojë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë prej të paktën 3 (tre) muajsh gjatë 5 (pesë) vjetëve nga aprovimi i kërkesës;
    e) Disponon të ardhura dhe burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë;
    ë) Provon kontributin e veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, si dhe arritjet e veçanta të tij pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, shkencën dhe sportin;
    f) Dëshmon arritjen e rezultateve të larta ndërkombëtare në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit, sipas disiplinës përkatëse që përfaqëson pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, sportin dhe shkencën;
    g) Nuk është subjekt i masave shtrënguese ndërkombëtare, të pranuara nga Republika e Shqipërisë.