“Shfryhet Dosja 184”, Prokuroria kërkon dënime me kusht për dy nga të pandehurit

131
Sigal

Prokurori Urim Buci lexoi pretencën në procesin ndaj dy të akuzuarve për “shpërdorim detyre” me qëllim ndikimin e rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë e Peshkopisë në vitin 2016 dhe kërkoi shpalljen fajtorë të tyre.

Buci kërkoi dënimin me 3 vjet burg të konvertuar në 4 vjet shërbim prove për ish-shefin e komisariatit të policisë Peshkopi Robert Aga. Ai kërkoi edhe përjashtimin e Agës nga mbajtja e posteve publike për 2 vjet.

Prokurori kërkoi një masë të ngjashme dënimi edhe për Hasan Hotin, ish-drejtues i njësisë administrative Lurë. Kërkesa e prokurorit është që Hoti të dënohet me 2 vjet burg të konvertuar në 3 vjet shërbim prove dhe 2 vjet përjashtim nga mbajtja e detyrave publike.

Seanca gjyqësore për dy të pandehurit e akuzuar për tjetërsimin e votave në zgjedhjet e pjesshme në Dibër në vitin 2016 u zhvillua në Gjykatën e Dibrës. Fillimisht gjyqtarja Nertila Kape konstatoi mungesën e avokatëve Gentian Rumano dhe Ronald Islami, që duhej të përfaqësonin të pandehurin Robert Aga.  Por me kërkesë të Agës, gjykata pranoi që ata të zëvendësoheshin nga avokati Petrit Ismaili, i cili përfaqësonte në gjykim të pandehurin Hasan Hoti.

Avokati mbrojtës Petrit Ismaili, kërkoi kohë për të paraqitur konkluzionet e mbrojtjes. Gjykata i dha kohë mbrojtjes dhe caktoi seancën e radhës më 31 janar. Ismaili tha pas seancës se do të kërkonte pafajësi për të pandehurit.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë disa persona, përfshi të pandehurit e mësipërm, në manipulimin dhe blerjen e votës në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016 në favor të kandidatit të mbështetur nga Partia Socialiste, u zvarrit mes prokurorive të Dibrës, asaj të Krimeve të Rënda dhe SPAK për gati 5 vjet. Ajo  u dërgua në gjykatë në fund të vitit 2020 vetëm për 4 të pandehur dhe në 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim.

Dosja më pas u nda në dy pjesë, të pandehurit Drini Gjeci dhe Nuri Meda, kërkuan gjykim të shkurtuar. Ata u dënuan në dhjetor 2022 pas dy viteve zvarritje të procesit. Gjeci u dënua me 8 muaj burg të konvertuar në 120 orë punë publike, ndërsa Meda u dënua me 8 muaj burg të konvertuar në 16 muaj dënim me kusht.

Në dosjen e dytë, pretenca e të cilës u lexua këtë të martë, u shqyrtuan akuzat ndaj Robert Agës, ish-komisar i Policisë së Dibrës dhe Hasan Hotit ish-administrator i Lurës.