Shëndetsia falas, shqiptarët paguan 350 mln euro ‘nga xhepi’ në një vit, infermieri zëvendësohet me kuzhinjer

99
Sigal

Vitet 2021 dhe 2022 shënojnë rekordë historik në shpenzimet e qytetarëve për shëndetin, ku në 1 vit kanë harxhuar 410 miliard lekë. Të dhënat zyrtare të bilanceve të 5 spitaleve private, tregojnë se të ardhurat e tyre kanë arritur nivelin më të lartë, që kur spitalet filluan të hyjnë në Shqipëri. Fitimet ishin edhe më të larta me analizat dhe skanerat duke kapërcyer 24% më shumë se në 2019. Ndërkohë që në urgjencë po punësohen miluitatntët, flet infermieri: Ja si më zëvendësuan me një kuzhinjere.

Të dhënat zyrtare të bilanceve të pesë spitaleve private, tregojnë se të ardhurat e kombinuara të tyre ishin rreth 12.3 miliardë lekë (103 milionë euro), duke arritur nivelin më të lartë rekord qëkur spitalet e para filluan të hyjnë në tregun shqiptar më shumë se një dekadë më parë.

 Viti 2021 ka shënuar rekord në shpenzimet e qytetarëve për shëndetin e tyre, i ndikuar në pjesën më të madhe nga efektet e pandemisë së Covid-19. Të dhënat e INSTAT për treguesin e “Shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale” bëjnë të ditur se të ardhurat e kësaj kategorie në vitin 2021 arritën në gati 41 miliardë lekë, ose 350 milionë euro, duke shënuar një rekord historik.Në krahasim me mesataren e 2018-2019, kur vendi ishte në një periudhë normale shëndetësore, të ardhurat pothuajse janë dyfishuar.

Kjo rritje e ndjeshme e të ardhurave ka ardhur pavarësisht se numri i punonjësve të punësuar në këtë sektor ka mbetur pothuajse i pandryshuar në rreth 12 mijë persona dhe investimet gjithsej janë zgjeruar lehte më 6.7%. Numri i ndërmarrjeve ishte 3,438, pothuajse i pandryshuar nga viti i mëparshëm.Edhe fitimet e bizneseve që veprojnë në aktivitetin e shëndetësisë janë zgjeruar ndjeshëm, duke arritur në 10 miliardë lekë, ose 85 milionë euro në vitin 2021, nga 31 milionë euro në 2019-n. Norma e fitimit të këtij sektori kërceu gjithashtu në 24%, nga 11% që ishte mesatarja e 2018-2019, duke u renditur se aktiviteti i dytë në vend me kthimin më të lartë, pas pasurive të paluajtshme. Aktiviteti i shëndetit ka shënuar një rritje të fortë në dekadën e fundit, duke shfrytëzuar nivelin e ulët të shërbimeve të sektorit publik. Në krahasim me vitin 2011, kur ishin vetëm 31 milionë euro, të ardhurat e këtij aktiviteti janë 11- fishuar.

Sipas INSTAT, në “Shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale” përfshihen spitalet, klinikat, qendrat e kujdesit shëndetësor për të moshuarit, klinikat dentare, kujdesi social etj.

Pse lulëzoi biznesi i shëndetit

 Ndryshe nga ekonomia, që u rimëkëmb me shpejtësi në vitin 2021, situata shëndetësore vijoi të ishte e rënduar, sidomos në pjesën e parë të vitit, teksa qeveria hoqi dorë nga masat shtrënguese, pas efekteve që ato dhanë në rënien ekonomike.

Në pjesën e parë të vitit 2021, vala e pandemisë arriti kulmin e saj, e reflektuar kjo dhe me numrin e lartë të vdekjeve. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2021, humbjet e jetës arritën në rekordin e 10.2 mijë personave, me rritje 61% në krahasim me mesataren e së njëjtës periudhë të 2016-2019. Edhe në tremujorin e dytë, vdekjet u rritën me 21% në krahasim me mesataren 2016-2019. Për gjithë vitin 2021, fatalitetet arritën një nivel rekord në historinë e Shqipërisë, me 30.6 mijë persona, me rritje 40% në raport me mesataren e 2016-2019.

Si rrjedhojë e tejmbushjes së spitaleve publike, por edhe besimit të ulët në sistemin publik të shërbimit shëndetësor, shumë individë u kuruan në spitale private, që shënuan një rritje të fortë të të ardhurave në vitin 2021. Të dhënat zyrtare të bilanceve të pesë spitaleve private, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se të ardhurat e kombinuara të tyre ishin rreth 12.3 miliardë lekë (103 milionë euro), duke arritur nivelin më të lartë rekord që kur spitalet e para filluan të hyjnë në tregun shqiptar më shumë se një dekadë më parë.Në vitin 2020, zgjerimi i aktivitetit të laboratorëve mjekësorë ishte i fortë, pas shpenzimeve të larta për kryerjen e tamponëve, apo të analizave të mëpasshme për të parë ecurinë e sëmundjes. Në vitin 2021, rritja ishte edhe më e lartë, e ndikuar jo vetëm nga kryerja e analizave për identifikimin e sëmundjes e më pas kurimin e saj, por dhe kushtit të pothuajse gjithë shteteve që nuk lejonin hyrjen në kufijtë e tyre të personave që nuk kishin kryer tampon, apo test të shpejtë. Kjo i ndihmoi laboratorët që të ishin biznesi më i suksesshëm dhe me rritjen më të fortë në vitin 2021. Sipas INSTAT, në vitin 2021 u regjistruan 4.2 milionë dalje të shtetasve shqiptarë, një pjesë e madhe e të cilëve në vendet e BE-së.

Në total, qarkullimi vjetor i laboratorëve kryesorë u pesëfishua në rreth 4.6 miliardë lekë, ose 3 miliardë lekë (gati 25 milionë euro) më shumë sesa vitin e mëparshëm.