Shefi i Facebook, Mark Zuckerberg, ofron 100 milion dollarë në ndihmë të mediave dhe gazetarëve

334
Sigal

Covid-19 ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike në hapësirën mediatike në të gjithë botën.

Për këtë arsye, shefi i Facebook, Mark Zuckerberg, do të investojë 100 milion dollarë për të mbështetur gazetarët, në veçanti  ata që janë të fokusuar tek koronavirusi dhe lajmet lokale.

Zuckerberg bën me dije, se 25 milion dollarë do të jenë grante nga Facebook për projektet gazetareske, ndërsa 75 milionëshi i mbetur do të përdoret për marketing, në mbështetje të gazetarëve dhe organizatave që raportojnë rreth COVID-19.

CEO i Facebook shton, se ky program është në vijimësi të 300 milion dollarëve të programuar për mbështetjen e lajmeve, atyre lokale në veçanti, për vitet e ardhshme.

“Shpresojmë të mbështesim sa më shumë gazetarë gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që të vazhdojnë punën e tyre dhe të na mbajnë të informuar”, shkruan ndër të tjera Zuckerberg.

Edhe në Shqipëri mediat janë në krizë për shkak të situatës së shkaktuar nga COVID-19.

Prej ditësh të tëra, Iconstyle.al ka bërë thirrje lidhur me këtë situatë të mediave dhe gazetarëve, për të cilën askush s’e ka vënë ujin në zjarr.

Prej dy javësh gazetat kanë ndërprerë botimet, ndërsa në televizione ka nisur reduktimi i pagave, si pasojë e largimit të sponsorave.

Unioni i Gazetarëve i ka bërë thirrje qeverisë që ta përfshijë median në paketën e ndihmës ekonomike, por deri më tani nuk ka asnjë reagim, duke bërë që mediat të rrezikojnë seriozisht falimentimin.