Ndërtimi i landfillit në Elbasan, banorët i rikujtojnë qeverisë së re, premtimin

558
Sigal

Fusha e grumbullimit të plehrave afër qendrave të banuara ka shtuar sëmundjet kancerogjene

Ndotja e qytetit të Elbasanit nga mbetjet urbane vazhdon të mbetet një gangrenë dhe problem shqetësues për qytetarët e Elbasanit edhe pse mediat e kanë ngritur me mijëra herë këtë problem. Fusha e grumbullimit të mbetjeve ndodhet afër zonave të banuara dhe në kundërshtim me ligjin që parashikon që vendet e grumbullimit të mbetjeve urbane duhet të jenë me një rreze prej 5 km larg zonave të banuara. Përpos kësaj, persona të papërgjegjshëm i vënë flakën mbeturinave në mes të ditës, duke shkaktuar një ndotje më të madhe ekologjike. Banorët që jetojnë pranë pikës së grumbullimit pohojnë se, ndjehen mjaft të rrezikuar pasi çdo ditë thithin ajër të ndotur dhe ndjehen të shqetësuar për shëndetin e tyre gjithashtu, edhe të fëmijëve. Ata kërkojnë që të gjendet zgjidhje e menjëhershme për mbetjet urbane, pasi çdo ditë që kalon rreziku bëhet edhe më i madh dhe jeta e tyre është në rrezik çdo ditë e më shumë.

Landfilli

Vazhdimisht kreu i bashkisë, Qazim Sejdini e ka ngritur shqetësimin e mbetjeve urbane dhe nevojën e ndërtimit të një landfilli për përpunimin e tyre. Por ky landfill nuk është ndërtuar për mungesë fondesh nga qeveria që iku. Kryeministri i ri Edi Rama e ka premtuar ndërtimin e këtij landfilli për Elbasanin, ku pritet që dhe shumë shpejt të përfundojë, por deri në ndërtimin e tij mbetet që banorët e qytetit të Elbasanit të thithin çdo ditë ajrin e ndotur duke ju shtuar kështu rreziku nga sëmundjet kancerogjoze. Ndërkohë, mbetjet urbane nuk janë i vetmi faktor ndotës, infrastruktura rrugore, makinat dhe metalurgjia e ndotin edhe me shumë mjedisin, ku secili nga ne jeton çdo ditë.

Zgjidhja

Lidhur me djegien e mbetjeve urbane në vend-depozitim e tyre ka reaguar dhe kryetari i klubit Ekologjik, Ahmet Mehmeti, i cili e cilësoi një problem mjaft madhor për shëndetin e qytetarëve që kërkon një zgjidhje të menjëhershme dhe urgjente pa humbur as dhe një minutë kohë. Ai theksoi se, djegia nuk është e dëmshme jo vetëm për banorët që jetojnë aty pranë, por për të gjithë qytetin. Mehmeti pohoi se fillimisht duhet bërë një selektim i mbetjeve urbane dhe duhet të ndërgjegjësohet komuniteti në lidhje më këtë fenomen. Kreu i Klubit Ekologjik tha se, të gjitha institucionet duhet të tregohen më të përgjegjshme ndaj ndotjes nga mbetjet urbane dhe duhet të ndërhyjnë për të stabilizuar situatën. Mehmeti tha se, Elbasanit i shtohet edhe ndotja industriale, duke çuar ndotjen tej normave të lejuar. Ndërkohë, Mehmeti pohoi se, nuk është i mjaftueshëm vetëm ndërtimi i një landfilli, por duhet që edhe biznesi të bëhet pjesë e tij, pasi riciklimi  nuk i shërben vetëm ambientit, por gjeneron vende pune.