Shantazhi dhe akuzat, precedent i rrezikshëm për drejtësinë

688
Akuzat dhe fjalori i përdorur gjatë ditëve të fundit nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri kundër gjykatësve dhe prokurorëve kanë gjetur kundërshtimin jo vetëm të institucioneve të drejtësisë, por edhe të avokatëve. Në rubrikën Forum, avokatët Sajmir Vishaj, Luljeta Petani dhe Ilia Kondi theksojnë se politika nuk mund të shantazhojë gjyqësorin dhe prokurorinë për shkak se nuk i pëlqen një veprim apo vendim i ndërmarrë. Në këtë kuadër, ato shtojnë se akuza të tilla përbëjnë një precedent të rrezikshëm, në lidhje me pavarësinë e sistemit të drejtësisë. 
Sajmir Vishaj, Kryetar i Shoqatës së Avokatëve Penalistë:
Si do t’i vlerësonit akuzat dhe sulmet që po i drejtohen përfaqësuesit të sistemit gjyqësor, por edhe  Prokurorisë nga drejtues të rëndësishëm të instucioneve në vend, kam parasysh deklaratat e Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm?

Shoqata e Avokatëve Penaliste të Shqipërisë shpeshherë ka ngritur zërin kundër çdo lloj presioni, shantazhi që i bëhen gjykatave apo prokurorëve në tërësi, ose ndonjë gjyqtari me emër. Është një precedent i rrezikshëm momenti kur fyhet apo shantazhohet një Gjykatë ose Prokuroria. Por mendoj se nuk është faji i politikanëve, por i këshilltarëve të dobët në fushën juridike që ato kanë. Mendoj se një vendim gjykate sado që të duket i padrejtë nuk mund të zgjidhet me fyerje edhe me sharje, por është e drejta e personit të prekur për t’iu drejtuar një Gjykate më të lartë, në rast se nuk pajtohesh me një vendim të një gjykate më të ulët. Çfarë do të ndodhë nëse ne avokatët sa here që humbasim gjyqet të thërrasim të gjithë familjarët e këtyre personave dhe të rrethojmë gjykatat. Ndërkohë ne jemi jurist dhe flasim me gjuhën e ligjit. Nëse ne nuk pajtohemi me një vendim, i drejtohemi Gjykatës në shkallën më të lartë. Këto janë mjetet e ligjshme për të ankimuar një vendim dhe me këtë gjuhë duhet të flasë edhe politika. Nëse flasim me gjuhën e rrugës, atëherë asnjëherë nuk do të triumfojë ligji. Është e vërtetë që një pjesë e avokatëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve janë pjesë e shëndoshë e sistemit. Politika këtë pjesë të shëndoshë të sistemit duhet ta ruajë. Është e vërtetë që ka edhe gjyqtarë, prokurorë apo avokatë të korruptuar, të cilët kanë ulur imazhin e sistemit të drejtësisë, duke bërë që qytetarët të mos kenë besim tek drejtësia. Pra vihet re se qytetari i varfër apo i dobët nuk fiton, ndërsa më i pasuri dhe më i forti gjithmonë fiton. Në këto 3 vite nuk kemi as një politikan të dënuar, çka tregon se Gjykata edhe pse në teori është e pavarur, është edhe e nënshtruar nga politika. 

Sepse menjëherë sapo drejtësia fillon një procedim penal ndaj ndonjë ministri apo ndonjë drejtori, menjëherë çështja kalon si politike dhe çështja nuk kalon në gjyq, por hetimet mbyllen që në fazën e hetimeve paraprake. Reforma në drejtësi është një aspekt, por këtu kemi të bëjmë me ndryshime Kushtetuese dhe njerëzit nuk po e kuptojnë këtë. Është njësoj si themeli i një shtëpie, ku sistemi i drejtësisë janë muret, por Kushtetuta është themeli. Ajo që na shqetëson më shumë është ndryshimi i themeleve. Jemi i vetmi shtet në Botë që çdo vit apo njëherë në 2 apo 3 vjet vëmë duart në Kushtetutë, duke e ndryshuar atë. Ndërsa në Shqipëri sa here i teket politikës apo kur ndonjë politikan shikon ndonjë ëndërr, ne vëmë dorë në Kushtetutë. Aktualisht ndryshimet që po ndodhin sot në Kushtetutë janë rrënjësore dhe besoj se ato do të ndikojnë në reformën në drejtësi, e cila sipas mendimit tim, deri tani po konceptohet si ndryshim emrash, heqim disa persona dhe vëmë disa të tjerë, ndërkohë që gjithë vëmendja jonë, është që duhet të ndryshojë mentaliteti. Nuk mund të kemi më gjyqtarë dhe prokurorë 25 apo 26 vjeç, që sapo mbarojnë studime të emërohen në sistemin e drejtësisë, dhe hyjnë pa shtëpi dhe pastaj i shikon me shtëpinë zonën e ish-Bllokutapo me vila disakatëshe. Kjo mënyrë duhet të marrë fund, ndaj ne kemi propozuar që gjyqtarë dhe prokurorë të jenë mbi moshën 45 vjeç dhe të kenë eksperiencën profesionale. 
Mendoni se presioni ndaj drejtësisë, qo$ë edhe përmes asaj që konsiderohet si reformë në drejtësi, është rruga e duhur apo mënyra e duhur për të ngritur një sistem të besueshëm?
Avokat Kondi Ilia: “Konsulencë ligjore falas”

Pa hyrë në përmbajtjen e këtyre akuzave të drejta apo të padrejta, si qëndrime institucionale cenojnë rëndë pushtetin gjyqësor. Ekzekutivi nuk mund të dominojë apo të kërcënojë pushtetin e gjyqësorit. Këto sulme siç i konsideroni edhe ju, na kthejnë shumë hapa prapa shtetit ligjor dhe së drejtës. Gjyqësori ka nevojë për reformësim, por kjo nuk është mënyra e duhur. Komunikimi duhet të jetë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore me qëllim forcimin e pavarësisë së gjykatave. Kjo për rrjedhojë vendos gjykatat në presion sistematik gjatë ushtrimit të detyrës. Nga ana tjetër, gjyqësori, nuk mundet “të mbrojë” kurrsesi gjendjen aktuale të rrënuar në të cilën ndodhet mes korrupsionit, duke anatemuar mbrojtjen e parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave etj. 

Si profesionistë në fushën e drejtësisë, hasim shpesh fenomene, ku kuptojmë se cilat kanë shkaqet e dhënies së një vendimi që nuk mbështetet në ligj, lidhjet nepotike midis gjyqtarëve dhe bashkëshortëve të tyre avokatë në të njëjtën gjykatë, problemet e mëdha që ka veçanërisht gjykata administrative në zvarritjen e çështjeve etj. Në lidhje me Prokurorinë, qartazi “ngelet në klasë”, është një nga institucionet më të paafta, jua them me keqardhje. Prokurorët shpesh herë japin vendime të paarsyetuara, të njëanshme, dhe të pambështetura në ligj. Është e thjeshtë, mjafton të marrim një model drejtësie më të mirin, për shembull sistemin Amerikan të Drejtësisë, të angazhojmë të gjitha mekanizmat me qëllim përpunimin dhe implementimin e tij në sistemin Shqiptar. Kjo është një çështje vullneti, përkushtimi për të ardhmen e vendit tënd, përgjegjësi me peshë të madhe nëse kërkon sukses. Nuk ka nevojë për presion e për retorika mediatike. Nëse duam të respektojmë balancimin e pushteteve si një e drejtë kushtetuese. Presioni ndaj drejtësisë tregon realisht që artikuluesit nuk e duan drejtësinë. 

Po ju jap një shembull, mjeku i mirë e shëron pacientin e vet nëse gjen ilaçin e duhur dhe i jep mbështetjen e duhur për ta shëruar, por kurrsesi duke i thënë nga mëngjesi në darkë publikisht, “ti je i sëmurë, ti kurrë nuk mund të shërohesh!”. Kjo logjikë, për pasojë rezultante ka një sistem jo të besueshëm. Reforma si rregull duhet të ishte bërë kohë më parë, por s’ka patur vullnet për zgjidhje. Bashkëpjesëmarrja, si rregull është çelësi i suksesit në shumë reforma, për ta bërë më efikas, afatgjatë e të suksesshëm një projekt apo një vendim të caktuar. Ligji bashkëpjesëmarrjen e parashikon si një parim shumë të rëndësishëm, kjo pasi në produktin e një procesi, çështjet u përkasin drejtpërsëdrejti personave private dhe interesave publike. Është e vërtetë që në procesin e deritanishëm mbi reformën në drejtësi pjesëmarrja është e fragmentuar sipas orekseve e klaneve politike. Nuk kanë folur e as u është marrë mendimi shumë konstutitucionalistëve të dëgjuar e me përvojë, pedagogë me përvojë të madhe në fushën e drejtësisë, kritikë që mund të bënin akoma më shumë në këtë aspekt. “Eksperti politik”, si rregull mendon për benefitet e veta, me pak fjalë për pushtetin e vet, kurse eksperti teknicien dhe profesionist ka rregulla diametralisht të kundërta me të parin, në mënyrën sesi propozon, punon e merr vendime, në funksion të qytetarëve. 
Avokate Luljeta Petani:

Unë kam mendimin se në këtë drejtim mungon transparenca. Jo vetëm njerëzit e thjeshtë nuk e kuptojnë, por të jesh e sigurtë se edhe ata që janë në Parlament dhe do ta votojnë do jenë të pa përgatitur për të votuar se nuk e njohin draftin dhe ligjin që të çon deri tek drafti. Kam bindjen se shumë nga ata që punojnë sot në këto organe, si gjyqtarë, prokurorë, avokatë etj nuk e kanë idenë se çfarë thuhet në këtë draft ! Në këto diskutime mendoj se më shumë vlerë ka rregullimi i legjislacionit për të siguruar ligjshmërinë e dhënies së drejtësisë dhe rifitimit të asaj të mohuar, e cila nuk vjen vetëm tek ndërrimi karrigeve. 

Duhet patur parasysh se jemi përpara ndryshimeve të rëndësishme kushtetuese. Neni 177 i Kushtetutës përcakton qartë se kush ka të drejtë të marrë nisma për të kërkuar ndryshime në Kushtetutë dhe si me do bëhet miratimi i tyre. Të paktën në këtë këndvështrim të sqarohet populli se kush e pse e mori këtë nismë e si do të miratohet. Nuk mund të përdoren ultimatume. Akuzat e bëra ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve janë mjaft të rënda dhe pa vend ! Kushtetuta i ka ndarë pushtetet, është legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori ! Pushtetet janë të pavarura nga njëri tjetri. Nuk mundet kurrsesi ekzekutivi të gjykojë gjyqësorin! Vendimet e gjyqësorit shqyrtohen dhe mbi to vendosin shkallet më të larta deri në Gjykatën Kushtetuese. Pra janë 4 shkallë gjykimi. Me mënyrën se si u shprehën ata është presion i hapur mbi drejtësinë. Nuk ndodh në asnjë vend të Botës kjo. Veç kësaj është e pafalshme etika e të folurit, fjalori i përdorur. Gjyqësori mund dhe ka probleme ashtu siç problemet janë prezent edhe në sektorë të tjerë në Shqipëri, si administrata, shëndetësia, arsimi etj. Me mënyrën se si ata folën është për të thënë se ata zbatuan formulën se “mbrojtja më e mirë është sulmi”. Ku është parë që kryetari i bashkisë të mbledhë popullin e të bëj proteste para gjykatës. Ku është parë që kryetari i bashkisë të mbledhë popullin e të bëj proteste para gjykatës?! 
Sigal