Rumani, paketë stimuluese me vlerë sa 2% e PBB-së së vendit

557
Sigal

Qeveria minoritare centriste e Rumanisë synon të miratojë një paketë masash me vlerë pothuajse sa 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, për të përballuar ndikimin ekonomik të koronavirusit, tha ministri i Financave Florin Citu.

Shteti anëtar i Bashkimit Europian, i cili ka regjistruar 217 të infektuar por asnjë të vdekur, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të hënën.

Masat që duhet të miratohen variojnë nga ndihma e të papunëve dhe garantimi i kredive, deri në shtyrjen e pagesave të taksave mbi të ardhurat për disa kompani, deri në dy muaj, tha Citu për kanalin televiziv privat të lajmeve Digi24, të martën.

“Ne nuk jemi Gjermania, Spanja apo Franca, por mendoj se një masë me vlerë sa 2% e PBB-së gjatë tre muajve, për Rumaninë është një vlerë e konsiderueshme dhe shpresojmë se do t’i ndihmojë kompanitë të përballen me vështirësitë gjatë kësaj periudhe”, shtoi Citu.

Bankat po punojnë gjithashtu me bankën qendrore mbi një mekanizëm për shtyrjen e pagesave të kredisë për të paktën një deri në dy muaj, tha ai.

Rumania rriti përpjekjet për të luftuar shpërthimin e virusit, duke mbyllur baret dhe restorantet dhe duke ndalur të gjitha aktivitetet e brendshme kulturore, shkencore, fetare ose sportive. Ajo ndërpreu fluturimet me Spanjën për dy javë, duke nisur nga e mërkura dhe zgjati pezullimin e fluturimeve me Italinë.

Fabrika rumune e Ford Motor Co. do t’u jepte leje me pagesë 6000 punëtorëve duke filluar nga e enjtja deri më 5 prill, deklaroi një drejtues sindikal.

Para përhapjes së pandemisë, Rumania po përballej me problemin e buxhetit të fryrë dhe deficitet e llogarisë rrjedhëse, ndërsa asetet ishin nën presion nga masat e mëdha fiskale të miratuara përpara zgjedhjeve të këtij viti.