Rruga e Kombit, një koncesion për të cilin taksapaguesit nuk dinë asgjë

966
Sigal

Riza Hoxha


Së fundi Ministria e Transporteve u detyrua të hapë gojën e të tregojë se autostrada e Kombit i është dhënë një kompanie turke me koncesion për një periudhë 30 vjeçare. Asnjë e dhënë tjetër për koston apo çfarë do të mirëmbajë realisht kompania. Kush do të vazhdojë mbylljen e punimeve të nisura e të pambaruara, po punimet ende të panisura. Sepse kjo autostradë është ende një gropë thithëse e të ardhurave. Edhe për disa vjet ajo kërkon më shumë shpenzime se nxjerr fitime. Gjithsesi, tashmë dihet se mes 3 ofertave, kompania turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” është shpallur fituese në koncesionin për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”. 

Këtë ka patur mirësinë të na e tregojë Ministria e Transporteve. Investimi fillestar i propozuar kap shumën 50,622,174 euro, ndërsa investimi në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës arrin në shumën 320,604,079 euro. Nga Ministria e Transporteve për koncesionarin është vënë si objektiv, që të ndërtojë, përmirësojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të standardeve të paracaktuara. Po çfarë konkretisht? A do të jetë kjo kompani që të nisë punimet për ndërtimin e një ure të madhe në hyrje të qytetit të Kukësit apo për ndërtimin e një tuneli aty në hyrje të këtij qyteti? Gjithsesi, tashmë duhet të përgatiten si kuksianët, ashtu edhe kosovarët për të paguar sa herë hyjnë në autostradë. Nuk ka më udhëtime badihava nëpër autostradë që realisht e kaq afruar ndjeshëm Kosovën me Tiranën. Jo më kot një banesë në qytetin e Prizrenit për t’u shitur kishte edhe shënimin: “2 orë larg detit”. Vetëm ende nuk dihet sa do të jetë pagesa. Deri tani sa herë që ka patur tendera për t’u dhënë me koncesion kjo autostradë, çmimi ka qenë 5 euro për automjetet e vogla dhe deri 10 euro për automjetet e mëdha.

Dështimet e mëparshme të koncesionit

Dhënia me koncesion e autostradës ka dështuar 3 herë që nga viti 2011 kur dështoi për herë të parë. Dështimi ndodhte sepse firmat që paraqitnin interes tërhiqeshin. Tërhiqeshin sapo mësonin se jo vetëm duhej të mirëmbanin autostradën, por edhe të ndërtonin segmente të saj, ende të papërfunduara, apo që ende nuk kishin nisur. 3 herë që ishin këto kushte, tenderat dështuan. Këtë radhë Ministria e Transporteve, në njoftimin e saj hesht në lidhje me këtë fakt. Dhe janë punime me kosto disa qindra milionë euro. Është kjo arsyeja që taksapaguesi shqiptar duhet ta dijë të vërtetën. Çfarë ka mbetur në autostradë pa u ndërtuar, apo ende nuk kanë nisur punimet? Ende nuk kanë nisur punimet në ndërtimin e një ure të madhe në hyrje të qytetit të Kukësit. Po ashtu edhe ndërtimi i një tuneli në hyrje të qytetit të Kukësit, për të eliminuar kthesën 90 gradëshe për të hyrë në urë. Që të dyja këto vepra janë të planifikuara që nga fillimi i punimeve të ndërtimit të autostradës. Duhen mbyllur punimet në ndërtimin e 7 urave në segmentin e autostradës Morinë – Kukës, ndërtimi i të cilave po zvarritet edhe pse punimet kanë nisur që në vitin 2010. Po ashtu kërkohet instalimi i sinjalistikës që mungon thuajse në gjithë gjatësinë e autostradës, vendosja e ndriçimit që mungon krejtësisht në gjithë gjatësinë e autostradës si dhe ndërtimi i nën e mbikalimeve në fshatrat nga kalon autostrada.

 Vetëm në segmentin Kukës – Morinë kërkohet ndërtimi i të paktën 6 mbikalimeve mbi autostradë. Të gjitha këto punime janë në segmentin Morinë – Kukës, vetëm 18 kilometra i gjatë. Po në gjithë autostradën? Sepse në segmentin tjetër Rrëshen – Rubik – Milot, rruga është vetëm dykalimëshe dhe kërkohen investime të tjera për ta kthyer rrugën dykalimëshe në katër kalimëshe. Autostrada e kombit u përurua me 25 qershor 2009. Që nga ajo kohë e deri më sot Qeveria shqiptare gjithnjë ka heshtur për koston e deritanishme të ndërtimit të kësaj autostrade. Fjalë të shumta janë thënë nën zë për vjedhje qindramilionëshe (në euro dhe jo në lekë), si bie fjala nga ish Ministri Lulzim Basha. Por deri tani asgjë nuk i është treguar taksapaguesit shqiptar. Vetëm jo zyrtarisht është mësuar se deri tani, për autostradën janë shpenzuar të paktën 1,4 miliard euro. Është e çuditshme, kur taksa paguesi shqiptar ka lënë leshtë e kokës për këtë autostradë duke nisur nga e ashtuquajtura taksa Majko, asgjë nuk i tregohet. Vetëm i thuhet: tani do të vazhdosh të paguash. Taksapaguesi pranon pas bërë zë të paguajë. “Ne paguajmë paq bërë zë. Kështu jemi mësuar. Po të paktën këta plaçkitësit që kemi vënë në krye të punëve të na tregtojnë ndonjë gjë se ku shkojnë paratë tona? Të paktën të na mashtrojnë se, ne kënaqemi edhe duke u mashtruar”, thonë disa taksapagues që lëvizin shpesh nëpër autostradë. Mirë ne, qytetarët e mësuar të mashtrohemi lehtësisht nga lloji i drejtuesve që vëmë mbi krye, po kompania fituese a mashtrohet vallë? 

Deri tani e dimë se nuk janë mashtruar kur u ka shkuar mendja ta fitojnë koncesionin? Sepse janë tërhequr nga gara urtë e butë. Ne nuk e dimë nëse veprat e mbetur përgjysmë, apo që ende nuk kanë nisur do t’i kryejë kompania fituese. Llogaritë bën vetë ajo. Llogaritë e fitimit të saj bëhen mbi bazën e fluksit të lëvizjes së mjeteve në këtë autostradë. Janë ato që do të paguajnë sa herë lëvizin. Të paktën deri tani në autostradën e Kombit fluksi mesatar ditor iI lëvizjes së mjeteve nuk i kalon më shumë se 4000 mjete në 24 orë. Në stinën e verës, në ditë të veçanta, sidomos në fundjavë fluksi i lëvizjes mund të arrijë deri në 12 – 15 mijë automjete në 24 orë, por jo më shumë. Ndërsa në stinën e dimrit fluksi i lëvizjes së mjeteve nuk i kalon më shumë se 2000 mjete në 24 orë. Gjithsesi, është vetë kompania fituese që i bën llogaritë e fitimit të saj. Ne taksapaguesit duam të na përmirësohet lëvizja në autostradë përmes përfundimit të gjithë atyre veprave ende të panisura dhe të pambaruara. Mirë është të na tregohet edhe sa janë shpenzuar për këtë autostradë. Tani që është miratuar Reforma e Drejtësisë, le të shpresojmë se do të dalë diçka në sipërfaqe nga konspiracioni që e mbulon këtë autostradë. Të paktën sadopak të pastrohet nga llumi i madh që e ka mbuluar.