DURRËS/ Shumë zona janë të pakalueshme. Rrëshqitjet kanë hequr nga strukturat e kodrinës me dhjetëra m3 dhe’
Një rrëshqitje dherash që ka ndodhur këto ditë në zonën e Kalasë së Kepit të Rodonit ka qenë mjaft serioze. Dëmet që po bëhen dalëngadalë, po rrezikojnë deri muret e kalasë. Erozioni dhe gërryerjet e vazhdueshme të terrenit kodrinor të Kepit të Rodonit, po e kthejnë gradualisht Kalanë e Skënderbeut në një “gjah” të ujërave detare. Kur shikon terrenin nga Kepi i Muzhlit, siç njihet ndryshe Kepi i Rodonit, vëren lehtësisht se sa ka avancuar deti, kur është uji i paturbulluar nga erërat dhe moti i vështirë, nën sipërfaqen ujore duken terrenet e gllabëruar ndër vite. Tashmë Kalasë së Skënderbeut nuk janë më Turqit që po i aviten ta pushtojnë, por dallgët e detit. Në se dikur kalaja kishte një forcë mbrojtëse, kishte një investim shpirtëror, tashti ajo nuk ka asgjë, pasi i mungon gjithçka, deri dhe kujdesi i institutit të Monumenteve. I gjithë terreni sapo kalon nga gjiri, ku ndodhet porti i katerave siluruese është një terren përballë rrymave të erërave të forta të veri-perëndimit dhe duken me sy të lirë. Faqet e kodrinës dikur të pjerrëta dhe me rrugë të vogël kalimi anash tashmë nuk ekziston më. Shumë zona janë të pakalueshme. Rrëshqitjet kanë hequr nga strukturat e kodrinës me dhjetëra m3 dhera dhe peshkatarët që kanë kaluar në atë zonë thonë përherë për rrëshqitje të reja dherash. Edhe në këto ditë ka pasur rrëshqitje të tjera dhe prespektiva të rënies së masiveve të tjera mbetet evidente. Në Institutin e Monumenteve të Kulturës, mungojnë projektet dhe fondet për të bërë një barrierë ujore për mbrojtjen e tij. Gjë që është e domosdoshme për ta bërë jetëgjatë kështjellën e kërcënuar të Skënderbeut.
Rëndësia e Kalasë së Skënderbeut si monument historik
Ky objekt me vlerë sipas arkeologut të shquar durrsak, Afrim Hoti është një ndër objektet e pakta të fortifikuara që kanë mbetur që nga koha e Skënderbeut. Ai është një fortifikim i ngritur nga Skënderbeu, për të mbrojtur vendin nga pushtimi turk. Kështjella në Kepin e Rodonit është e njohur me toponimin “Kështjella e Skënderbeut”. Ajo është me planimetri drejtkëndëshe dhe ka qenë e pajisur me 4 kulla mbrojtëse në çdo cep të sajë. Ajo është rrënuar nga turqit në vitin 1467 dhe është rindërtuar nga Venediku 33 vite më vonë. Në ditët tona kanë mbetur fragmente të rëndësishme të saja si kryekulla me lartësi 10 m dhe disa prej mureve mbrojtëse me trashësi 3.5m thekson Hoti. Me hollësisht mbi strukturën e sajë flet studiuesi Gjergj Karaiskaj Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtëra raguzianë të ndërtimit. Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj. Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga Venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim. Kështjella u ngrit nga Skënderbeu për të pasur një dalje në det duke mos qenë në varësinë e Venedikut, që kishte nën kontroll bregdetin. Por Skënderbeut i duhej edhe një pikë portuale për të zhvilluar aktivitet tregtar me perëndimin, pasi lufta shqiptaro-turke “gëlltiste” të ardhura të shumta, për të cilat ai kishte shumë nevojë. Dokumentet Venedikase dëshmojnë se edhe gjatë shekullit të XVI-të në Rodon ka ekzistuar një skelë detare e kompletuar që quhej në shumës “Dyert e Redonit”.
Erozioni në vendin tonë
Erozioni, si një nga format e degradimit të tokës, është mjaft i dukshëm në Shqipëri. Kushtet gjeo-klimaterike kanë influencë të madhe në këtë drejtim. Sipas specialistëve sasia e reshjeve në vend prej 110-130 mm në vit, si dhe pjerrtësia e theksuar me një mesatare prej afro 25 % dhe lartësia mbi 700 m mbi nivelin e detit (ose dy here më e lartë se mesatarja e Evropës) i bëjnë tokat lehtësisht të gërryeshme. Faktor negativ janë ndërhyrjet që janë bërë në natyrën shqiptare gjatë 30-40 vitet e fundit si; tarracimet shpesh pa kriter, vaditjet me rrjedhje të tokave bujqësore, duke bërë që bashkë me ujin të çojnë në det pjesën më pjellore të saj dhe në mënyrë të veçantë, shpyllëzimi i afro 300 000 ha tokë, përbëjnë shkakun më shqetësues të erozionit në vendin tonë. Studimet tregojnë se çdo vit në Shqipëri gërryhet rreth 1,6 mm tokë, e barabartë me 20 ton për ha/vit. Çdo vit hidhen në det, nëpërmjet rrjetit ujor, mbi 60 milionë ton materiale të ngurta. Vetëm nga rrjeti kullues e ujitës në zonën fushore depozitohen çdo vit rreth 4 milionë ton aluvione. Mbushja e afro 600 rezervuarëve ekzistues shkon deri në 3 % të vëllimit të tyre në vit. Faktorët e mësipërm e bëjnë erozionin mjaft kërcënues, sidomos në situatën aktuale, kur ka mungesa fondesh dhe zona e pyllëzuar dikur siç ka qenë edhe Kepi i Rodonit tashmë është thuajse i shpyllëzuar.





















