Av. Idajet Beqiri/Zoti Ministër, mos i harroni mjeshtrit tuaj!

531
Sigal

PËRKUJTIMORE/ Në orët e para të mëngjesit të datës 24 dhjetor 2012 u nda nga jeta inxhinieri i njohur Kurt Sallaku

Në orët e para të mëngjesit të datës 24 dhjetor 2012, në hyrje të Rrugës “Myslym Shyri” kishte një mbipopullim që, binte menjëherë në sy. Grupe-grupe, në trotuare, në hapësirat e pallateve, para dhe pas Shkollës “Pjetër Budi”, me fytyra të pikëlluara. Që nuk ishin protestues, kjo binte në sy menjëherë. Ndaj cilido kalimtar i rastit, cilido prind që shoqëronte fëmijën për në shkollë, apo cilido hallexhi që i drejtohej Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, e cila është pranë këtij grumbulli masiv njerëzish, në këtë mëngjes të ftohtë dimri, nuk mund të mos pyeste se ç’kishte ndodhur. Njerëzit të pikëlluar përgjigjeshin: “Ka vdekur Kurt Sallaku!”. Kurt Sallaku lindi 57 vjet më parë në fshatin Shkretë të Malësisë së Krujës. I rritur mes një varfërie të patreguar, me sakrifica të pazakonta, pasi përfundoi arsimin 8- vjeçar dhe të mesëm, në vitin 1979 përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua si inxhinier mekanik. Fill pas diplomimit u emërua inxhinier mekanik në gjigantin e industrisë kimiko-metalurgjike të Laçit. I thjeshtë, i përkushtuar ndaj profesionit të tij, i etur për të punuar me ndërgjegje dhe me përgjegjshmëri të lartë, jo vetëm që u bë njeriu më i dashur dhe më i respektuar për të gjithë punonjësit e këtij kombinati dhe i qytetarëve të Laçit, por edhe një mjeshtër i rrallë. Mendimet, profesionalizmin dhe duart e arta  të tij, i shikoje të mëshiruara në gatishmërinë e lartë teknike të të gjitha atyre makinerive moderne të atij kombinati, të cilat mundësonin plotësimin e të gjitha nevojave të vendit me plehra fosfatike, me acid sulfurike, me bakër blister dhe me prodhime të tjera të industrisë kimiko-metalurgjike. Falë aftësive dhe përkushtimit të tij, falë sakrificave të përditshme, fal studimit të vazhdueshëm cilësor në profesionin e tij, në një moshë shumë të re, u emërua kryetar i degës teknike të këtij  kombinati të madh. Dhe pa kaluar pak vjet, në vitin 1984 u bë Kryeinxhinier i Kombinatit Kimiko-Metalurgjik të Laçit. Si njeri me vlera të rralla, si një intelektual i spikatur teknicien, në radhë të parë, por edhe njeri, si ai, duke i sfiduar edhe politizimet e kohës, në vitin 1989 arriti të bëhej drejtor i këtij kombinati, duke pasur në varësinë e tij, dhe duke i drejtuar, jo pak, por plotë 6000 punonjës që punonin në këtë gjigant kimiko-metalurgjik të kohës. Kurt Sallaku i përjetoi me dhimbje të patreguara shpirtërore, me lot në sy, e pse jo, edhe me revoltë të brendshme dhe të jashtme, ditët dhe vitet kur kombinati kimiko-metalurgjik u katandis si mos më keq, duke e mbuluar ndryshku dhe duke u bërë i vlefshëm vetëm për “skrap”. Një sëmundje e rëndë, e cila përparoi me shpejtësi edhe për shkak të pakujdesisë, papërgjegjshmërisë dhe neglizhencës së njohur tashme të sistemit tonë mjekësor, bëri që të ndahet nga jeta, në moshën 57- vjeçare inxhinieri i talentuar, gojëmbli, miku dhe prindi i mrekullueshëm Kurt Sallaku. La kështu në pikëllim të thellë bashkëshorten e tij, djalin dhe vajzën e tij, që tashmë janë të dy studentë, por që për fatin e mirë kanë ecur dhe vazhdojnë të ecin në gjurmët e babait të tyre të mirë, la në pikëllim vëllezërit e motrat e tij, gjithë të afërmit, miqtë dhe shokët e panumërt, të cilët i ka në të gjitha skajet e vendit. Në kortezhin e tij mortor morën pjesë një numër i konsiderueshëm njerëzish, nga Kruja, Laçi dhe rrethinat, por edhe nga e gjithë Shqipëria. Mungonte vetëm ministri i METE, ose një përfaqësues i tij! Për fatin e keq, lajmi i vdekjes së Kurt Sallakut, nuk kishte shkuar vetëm në METE, ku ky kryespecialist i metalurgjisë, kimisë dhe inxhinierisë së vendit, derdhi dijet, djersën, mundin dhe bëri sakrificat e panumërta një jetë të tërë. Për rrjedhojë, dy fjalë miradije dhe përcjellje për në banesën e fundit, për këtë intelektual të mirënjohur, për këtë kryespecialist kontribuitiv në fushën e arritjeve të shkencës dhe industrisë kimiko-metalurgjike të vendit, për këtë prind shembullor dhe njeri me cilësi dhe virtyte të larta, nuk pati kush t’ia thoshte!