Si sot 6 vite më parë pikërisht më 22 korrik 2016, parlamenti shqiptar votoi nën presion me 140 vota Reformën në Drejtësi, e cila për mënyrën se si ishte përgatitur, personat që “punuan” për këtë paketë, qëllimet e mbrapshta të politikës dhe disa ndërkombëtarëve, paralajmëronte dështimin e sigurtë. Kjo për faktin se kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të KPK dhe KPA, që do të përzgjidhnin gjyqtarët dhe prokurorët, ishin të tilla, sa vetëm emrat konkret mungonin. Dhe këto emra në 90% të tyre janë pikërisht ata që kemi sot në krye të këtyre dy organeve (KPA&KPK), së bashku me pjesën tjetër, që janë shkarkuar apo janë nën hetim.
01
EurActiv: Shqiptarët nuk besojnë te drejtësia. Vettingu proces jo frytdhënës dhe i ngadaltë.
Kaq e vërtetë është kjo telenovelë e “Drejtësisë së Re Shqiptare” si në pritshmëri ashtu edhe në realizimin konkret, sa më 23 korrik 2018, pra: fiks pas 2 viteve nga miratimi i Reformës, që mori 140 vota, deputetët e ardhur në Parlament pas zgjedhjeve të kontestuara ndërkombëtarisht të 2017, filluan arnimet duke i bërë “riparim kapital” produktit fillestar. Kjo Reformë do të mbahet mend veç të tjerave edhe si çudia shqiptare, pasi për të rikthyer drejtësinë, kanë votuar edhe deputetë që ishin me masë arrest shtëpie apo nën hetim. Dhe që në atë periudhë “Reforma” u konsiderua edhe si produkt i votës së krimit parlamentar. Ndërkohë që dy ditë më parë vendi ynë nisi zyrtarisht bisedimet që do i paraprijnë fillimit të negociatave me Bashkimin Europian. Agjencia e njohur e Brukselit, EurActiv shkruan se pengesa më e madhe e Shqipërisë në rrugën e integrimit është sundimi i ligjit. Sipas ekspertëve, Sistemi Shqiptar i Drejtësisë ende vuan nga korrupsioni i përhapur, mungesat profesionale dhe joefikasiteti strukturor, mbi besimin e publikut tek gjykatat dhe se zbatimi i ligjit mbetet jashtëzakonisht i ulët. Reforma në drejtësi e mbështetur nga BE, filloi në Shqipëri në vitin 2016 dhe parashikon verifikimin e çdo prokurori dhe gjyqtari në vend. Por procesi, ka ecur me ritme të ulëta dhe ka qenë i mbushur me vështirësi dhe shkak ka qënë niveli i dobët, i pjesës dërmuese të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Kjo do të thotë se Shqipëria është kthyer në një vend pa ligjshmëri— një vend ku nuk funksionon sistemi i drejtësisë. Përkundër këtij kolapsi të plotë të sistemit shqiptar të drejtësisë, na kujtohet deklarata e ish-ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, e cila pretendoi pak përpara largimit të saj nga Shqipëria se “brenda vitit 2018, do të mund të fillojnë të veprojnë të gjitha institucionet e reja”. Kjo është kënga e mjellmës më mjerane e kënduar ndonjëherë nga një ish-diplomate, nga e cila, me shpresë, nuk do të dëgjojmë më. “I falimentuar moralisht” do të ishte ndoshta përshkrimi më i mirë i Delegacionit të BE-së në Tiranë në momentin e largimit të Vlahutinit. Nën këtë breshëri lajmesh të këqija, institucionesh të paformuara dhe shkeljesh të Kushtetutës, ndoshta është e vështirë të kuptohen synimet fillestare mbrapa reformës së drejtësisë, e cila u propagandua si rimodelimi më i thellë dhe inovativ i një sistemi gjyqësor në një shtet në periferi të BE-së.
02
KPA dhe KPK, nga misionar të Drejtësisë janë kthyer në militantë të partisë në pushtet dhe mbrojtës të trafiqeve dhe korrupsionit.
Në vend që të forconte “pavarësinë, efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien” e gjyqësorit, Reforma e Drejtësisë, sipas ekspertëve të së drejtës, vendas, por edhe të institucioneve të BE-së, i ka dobësuar ato. Në vitin 2021, mandati për vazhdimin e reformës u zgjat, me 36 muaj, pavarësisht se besimi i qytetarëve për këtë proces po binte çdo vit, sipas disa sondazheve të pavarura. Kaq do të mjaftonte, që shumica e anëtarëve dhe relatorëve të KPA dhe KPK, duhet të mbanin përgjegjësi për paaftësinë, neglizhencën, papërgjegjshmërinë, nepotizmin, klientelizmin, joshjen apo kapjen nga e kaluara e djeshme dhe “flirtimi” me oligarkët e sotëm. Dy raportet u hartuan në kuadër të “Misionit të Vlerësimit të Pavarur të Reformës në Drejtësi në Shqipëri” të vitit 2014 nga BE ishte menduar që “Reforma ishte e nevojshme për të ruajtur “pavarësinë” dhe “efikasitetin” e gjyqësorit”. Të dy këto terma tashmë janë fshirë nga çdo lloj diskutimi publik rreth reformës në drejtësi, e cila në komunikimin publik tashmë është spërdredhur, si nga diplomatët e huaj dhe qeveria, në një luftë kundër “korrupsionit”. Po si mundet t’i besojmë luftën ndaj korrupsionit, disa prej anëtarëve të KPK dhe KPA, që kanë drejtuar dikur institucionet më të rëndësishme të vendit dhe kanë qenë objekt i raporteve më të zeza nga DASH, antimafjes, DEA-s, organizmave që monitorojnë trafikun e lëndëve narkotike në Europë e Azi? Po a ishte Ina Rama e emëruar si Prokurore e Përgjithshme (22 nëntor 2007-21 nëntor 2012), që lejoi të lulëzonte droga, trafiqet, të shpërthente Gërdeci, të vriteshin 4 jetë të pafajshme më 21 janar? Kush e ka kasetën e përgjimeve me organizatorët e kësaj tragjedie dhe ku është?! Sigurisht këto janë pjesë e analizës në vijimësi, dhe se Gazeta Telegraf do të demaskojë cilindo apo cilëndo anëtare të KPA dhe KPK që ka abuzuar me formularët e vetëdeklarimit, pastërtinë e figurës, aftësive profesionale dhe të pasurisë, pjesë e kritereve të rivlerësimit, sipas nenit 5 të ligjit. Zonja Ina Rama, apo cilido anëtar i KPA dhe KPK, mund të kërkojë të fshehë gjurmët e aktivitetit të së kaluarës së largët dhe të afërt, qoftë edhe duke i paraprirë me ‘meme’ në adresë të institucioneve të monitorimit ndërkombëtar, apo të organeve të vetingut, apo diplomatëve të caktuar, duke harruar se misioni i medias së lirë dhe të pavarur është të zbardhë të vërtetat, sado të hidhura të jenë, duke filluar nga ato të ish-Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, anëtarëve, që kanë bërë masakra me tenderat, ata që kanë përdorur dokumenta fallco, apo militantëve të partisë të emëruar në këto organe për të bërë reformën selektive, që në drejtësi të jenë pikërisht ata gjyqtarë dhe prokurorë: të përdorshëm nga politika dhe administrata aktuale. Fyerjet, ‘orgjitë’, lidhjet nepotike me politikën, apo të studiove që kanë emëruar zyrtarët e të gjitha niveleve të organeve të vetingut, ata që kanë liruar nga burgjet familjarët e deputetëve, apo kanë mbyllur çështjet e ministrave, deputetëve, zyrtarëve të qeverisë, shitjes së materialeve ushtarake dhe dosjet e pluhurosura të kompanive telefonike, na bënë të themi: Keqardhje nga vijmë, fatkeq ku po shkojmë.
03
Denoncimi i ish-ministrave të Drejtësisë, Halimi, Xhafa dhe barometri i Euroneës Albania
Eduard Halimi që në vitin 2015, kur filloi ngjizja e kësaj reforme, pati paralajmëruar se: “Reforma në Drejtësi, nuk po udhëhiqet nga ekspertiza ndërkombëtare. Është e vërtetë që disa misione janë ftuar të jenë pjesë e procesit dhe ata kanë dhënë mendime shumë të vlefshme për reformimin e sistemit. Por grupi i ekspertëve përbëhet në të shumtën e tyre nga njerëz afër PS-së. Nga 24 ekspertë, vetëm 6 janë ekspertë të huaj dhe procesi udhëhiqet ekskluzivisht nga PS-ja dhe përfaqësuesit e saj në komision dhe grupe pune”.
Deputeti Fatmir Xhafaj, ish-kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe ish-ministër i Drejtësisë

Ideatori i reformës në drejtësi, ripërsëriti rezervat e tij për mënyrën si është kryer vettingu deri më tani dhe për integritetin e emrave të zgjedhur në këto organe. “Duke i njohur këto merita shumicës prej tyre në KPK dhe veçanërisht në KPA nuk kemi pse të mos pranojmë se disa ndër ta nuk e kanë merituar këtë përgjegjësi dhe me mungesën e integritetit e ndershmërisë publike kanë cënuar vlerat e këtij procesi. Ky është fakt që më së pari ne duhet të na bëjë të skuqemi për zgjedhjet e gabuara, që kemi bërë kur kemi shtypur butonin për ta. Gabim që e kemi bërë edhe me disa zgjedhje në KLP e KLGJ dhe që mesa po shoh edhe sot vështirë të ndahemi nga kjo praktikë me qasjen që kemi”. Xhafaj tha se ka raporte që tregojnë “probleme me ritmin, me shpejtësinë për çështjet prioritare, me vonesat e pajustifikuara në afatet e gjykimit deri edhe zvarritjen e qëllimshme për disa prej tyre”: si dhe për perceptime e akuza për cënim të paanshmërisë e objektivitetit. “ONM mund e duhet të luajë një rol shumë më proaktiv në gjykimin dhe ndëshkimin e praktikave të tilla”.
Barometri i dështimit të plotë të pseudo Reformës të Drejtësisë!
Barometri i Euronews Albania rrëzon propagandën që serviret nga qeveria dhe ata që shpërdoruan paratë e taksapaguesve të BE-së dhe SHBA-së, për sukses-dështimin e reformës në drejtësi! Studimi i Barometrit provon se vetëm 31% e shqiptarëve besojnë në pavarësinë e gjyqësorit nga politika, kurse 60,9% e tyre e konsiderojne të varur nga politika.
04
SHBA, BE dhe pse Liria e Shtypit është një ‘ferrë në sytë” e zyrtarëve?
Detyra e medias është që të mundësojë qytetarët të jenë të informuar më mirë, me qëllim që ata të jenë më në gjendje për të influencuar pozitivisht veprimtaritë qeveritare në përgjithësi dhe zyrtarëve të lartë individual në veçanti. Është e vërtetë se media ka përgjegjësi gjithashtu, që ndër të tjera, të mbikqyrë veprimtaritë e qeverisë dhe të zyrtarëve të saj, duke raportuar faktet përgjithësisht dhe objektivisht, përfshirë edhe perspektiva të ndryshme, por pa munguar edhe pikëpamjet, që mund të mos jenë në përputhje me politikën zyrtare qeveritare. Gazeta Telegraf i qëndron besnik parimit të ish-Presidentit të SHBA Xhorxh Washington, i cili kur diskutohej çështja e lirisë së shtypit dhe medias ka thënë, “Në qoftë se na mohohet liria e fjalës, atëherë si memecë në heshtje, do na çojnë si delet në kasaphane.” Ndërkaq, sipas “Zërit të Amerikës”, dokumenti i Komisionit Europian, që iu dorëzua Kryeministrit Rama që në mandatin e parë që erdhi në pushtet, vërente se “një numër rastesh të profilit të lartë, përfshirë disa, ku faktet për dyshime për veprime të paligjshme nga ana e zyrtarëve të lartë, gjykatësve, drejtësisë, kryebashkiakëve dhe ish ministrave, ishin publikuar nga mediat, nuk u hetuan asnjëherë seriozisht”. Ndaj mbroni lirinë e medias, të nderuar ambasadorë! “Liria e shtypit është një prej mbrojtjeve më të mëdha të lirisë dhe nuk mund të kufizohet kurrë veç se nga qeveritë despotike”, -ka thënë Xhorxh Mejson. Por ndryshe nga politikanët shqiptarë, që lirinë e shtypit e shikojnë si një ‘ferrë në sytë’ e tyre, në Amerikë ish- Presidenti amerikan Barak Obama kur foli me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit theksoi se; ‘Liria e shtypit është baza e vlerave universale të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe e rëndësishme për të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Duke lavdëruar profesionin e gazetarit, ai tha se gazetarët, “ekspozojnë padrejtësitë dhe mbajnë përgjegjës udhëheqësit si unë”, duke shtuar se:“Ajo që është gjithashtu me rëndësi është fakti se duhet folur haptazi dhe shpesh në mbështetje të këtyre vlerave, të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta jonë dhe nga të drejtat themelore që ajo përmban, por që ne besojmë se këto vlera nuk janë thjesht vlera amerikane. Ne besojmë se disa vlera themelore, siç është liria e fjalës dhe e ndërgjegjes, është një e drejtë njerëzore, por njëkohësisht është edhe e drejtë universale — një liri –zbatimi i së cilës më në fund e bën këtë botë më të mirë dhe më të fortë” për të gjithë ne”. Ndaj Gazeta Telegraf do të vazhdojë të publikojë fakte tronditëse mbi mënyrën se si janë emëruar anëtarët e KPA dhe KPK në këto funksione, duke u bërë shkak për dështimin e Reformës në Drejtësi, për të cilën taksapaguesit e SHBA-ve dhe BE-së kanë shpenzuar gati 200 mln USD. Jo vetëm kaq, por Telegraf, ashtu sikurse ka theksuar edhe në analizat e tjera mirëpret çdo lloj sugjerimi dhe denoncimi për systemin e drejtësisë, organeve të vettingut, lidhjet familjare dhe klienteliste për shokët e shoqeve dhe shoqet e shokëve, që kanë marrë përsipër të ndikojnë mbi pavarësinë e drejtësisë së re duke e denigruar procesin.
Po e mbyllim analizën e sotme me deklaratën e njërit prej ekspertëve të së drejtës europiane për Reformën në Drejtësi në Shqipëri i cili shprehej se :“Komentet e përgjithshme dhe retorika konstruktive mbi gjyqësorin janë pjesë normale e debatit demokratik, por ato nuk mund të thyejnë “rregullin e artë” të pavarësisë, dhe as perceptimin e opinionit publik, në mënyrë të tillë që të minojë besimin e tij në funksionimin e rregullt të sistemit gjyqësor. Si përfundim, duhet të mbisundojë maturia e procesit të ndërtimit demokratik të gjyqësorit, mishëruar në parimet e besimit reciprok, ndarjes dhe ndërvarësisë së pushteteve, komunikimit pozitiv dhe retorikës konstruktive.”



















