Raporti/ Shqipëria “çerdhe” për pastrimin e parave të drogës dhe korrupsionit, e përfshirë edhe një zyrtare e huaj

180

Në raportin e Drejtorisë së Pastrimit të Parave tregohet rasti i një zyrtareje të huaj që është kapur me shuma të mëdha parash në vendin tonë.

Sigal

Shqipëria duket se është kthyer në çerdhe për pastrimin e parave të drogës dhe të korrupsionit. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka zbuluar 7 raste, ku dyshohet se janë pastruar para korrupsioni. “Pamfleti” ka siguruar raportin vjetor të kësaj drejtorie dhe aty renditen burimet nga kanë ardhur paratë që pastrohen në vendin tonë. Ajo që bie në sy është se shumica e parave që pastrohen janë të vëna nga trafiqet dhe nga korrupsioni. DPPPP ka zbuluar 44 raste ku bëhet fjalë për para droge; 7 raste të shpërdorimit të detyrës; 6 raste për shfrytëzim prostitucioni; 16 raste për mashtrime kompjuterike dhe 4 për vjedhje e grabitje. Pra duket se dominojnë paratë e drogës, mashtrimeve dhe korrupsionit.

Sa i takon metodave, që ndiqen për pastrime parash ato janë: Investime të larta në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh; Transferta të dyshimta (në mbërritje apo në dalje edhe në tentativë) me përfshirje të subjekteve/shtetasve të huaj dhe të pajustifikuara me dokumentacion mbështetës; Sponsorizime/ dhurime/ dhënie huaje nga/ për të tretë pa u konstatuar lidhje të dukshme, që justifikojnë transaksionet mes palëve; Veprime financiare të lidhura me dyshime për evazion fiskal/fshehje të ardhurash; Investime në mallra luksi nga persona, të cilët nuk justifikojnë burimin e fondeve apo persona me precedentë penalë; Transaksione financiare të kryera nga persona me precedentë të mëparshëm penalë apo persona të lidhur me ata me precedentë. Transferta të dyshimta apo të pajustifikuara me vende të konsideruara me risk. Rritje të kapitalit të personave juridik me burim të panjohur të ardhurave apo me element të dyshimtë fiktiviteti. Transferta të mëdha vlerash (brenda dhe jashtë vendit) midis personave juridik të pambështetura me dokumentacion.

Skandali tjetër është se dhe zyrtarë të huaj kanë filluar të përdorin Shqipërinë për pastrim parash. Në dokument tregohet rasti i një zyrtareje që është kapur me shuma të mëdha parash në vendin tonë.“Shtetasja e huaj A nga një vend Europian, në vitin 2020 ka kryer depozitime në vlerën 280 000 USD në llogarinë e saj bankare pranë një banke të nivelit të dytë në vend. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasja A, ishte PEP (Person i Ekspozuar Politikisht) i huaj dhe fondet janë transportuar fizikisht duke deklaruar në hyrje të Pikës Kalimit Kufitar në Shqipëri, si fonde nga kursime familjare. Gati një vit më pas, shtetasja A transferon shumicën e fondeve në favor të një shoqërie ndërtimi në vendin tonë, me qëllim porosinë e një pasurie të paluajtshme të llojit “vilë” në një qytet bregdetar, kundrejt një çmimi blerjeje të njëjtë me shumën e depozituar prej saj.

Skema e ndjekur nga shtetasja e huaj


Nga verifikimet e mëtejshme pranë homologëve tanë, rezultoi se shtetasja A deri në muajt e parë të vitit 2021 ka ushtruar një funksion të lartë shtetëror, në vendin e saj të origjinës dhe është nën hetim për akuzat e pastrimit të parave dhe rryshfetit. Shtetasja A, e ka vizituar disa herë vendin tonë, edhe në pozicionin e funksionarit, përpara se të vendoste të investonte në pasuri të paluajtshme. U vu re se depozitimet në vendin tonë përkojnë në vlerë dhe periudhë me fondet për të cilat shtetasja është nën akuzë nga vendi i huaj”,- thekson raporti. Pra me pak fjalë, Shqipëria është kthyer në çerdhe për pastrimin e parave të drogës dhe të korrupsionit, madje dhe nga shtetas të huaj.