Prof. Shefik Osmani: Ne i kemi hapur shkollat kur nuk na lejonte as turku, as greku dhe as serbi

446

Gjuha shqipe është e bukur

Sigal

Nga arkivi i gazetarit Abdurahim Ashiku

Abdurahim Ashiku
Abdurahim Ashiku

* Ne jemi një popull i kulturuar, një popull që e kemi ngrënë me dhëmbë diturinë. Ne i kemi hapur shkollat kur nuk na lejonte as turku, as greku dhe as serbi. Ne i kemi hartuar ato si vepër.

* Do t’u uroja që nxënësit shqiptarë që janë atje… të mos asimilohen siç nuk janë asimiluar të parët e tyre.

* Po të dëgjosh për shembull vargjet e Fishtës, vargjet e Naimit, vargjet e Mjedës asht bukur. Fishta thotë në një vend.

 

“ Dersa të mundem me ligjërue,

 dhe gjallë me frymë un jam:

 Kurrë Shqypni s’kam me t’harrue

edhe n’vorr me t’përmend kam.”

Profesor ! Jemi këtu në një seminar ku pasqyrohet rruga e mundimshme drejt gjuhës shqipe në emigracion. Do të desha një panoramë të jetës suaj në fushën e pedagogjisë! Si i hyre pedagogjisë dhe si arrite të jesh një ndër njerëzit më të nderuar të kësaj fushe?

“Pedagogjia nuk ka qenë ëndrra ime. Unë kam mbaruar lice klasik. Në lice mësonim gjuhën latine dhe gjuhën greke. Shumë kujtime kam prej asaj kohe, në mënyrë të veçantë për pedagogët e mi, të cilët kanë qenë me të vërtetë të nivelit të lartë. Për shembull greqishten me tekstin e shkruar nga Ksenofonti e kemi bë me Pashko Gecin. Kemi bë edhe latinishten me Pashko Gecin fillimisht dhe pastaj me Henrik Lacin dhe me të tjerë. Duke bë këto ne kemi marrë një kulturë të veçantë për zhvillimin e letërsisë dhe mënyrën e vlerësimit të punimeve. Mua më kujtohet se vepra e madhe ose një nga kryeveprat e Homerit, Iliada, është përkthyer në gjuhën shqipe. Ne kemi bë për shembull këngën e njëzetekatër  dhe m’ua më kujtohet vrasja e Hektorit e përkthyer ma bukur në dialektin gegë, veçanërisht në njëmbëdhjetë rrokëshin e parë. Dhe thotë: “ Hektor im bir të lutem kij ti mëshirë për mua…” Është e ama që flet tani, është Hekuba në mos u gabofsha se atje kanë ardhur për me u lutë që të kthehet brenda ledheve të Trojës edhe e ama Hekuba, edhe i ati Priami, edhe e shoqja Andromaka. E ama i zbulon gjirin dhe i thotë “ Hektor, im bir, të lutem kij ti mëshirë për mua. Ndero… ( vazhdon për afro dy minuta të recitojë vargjet e bukura homeriane) Është gjë e bukur, shumë e bukur. Ne e kemi studiuar me një dashuri shumë të madhe dhe na vjen keq që grekët nuk u lejojnë për shembull çamëve dhe shqiptarëve të tjerë të mësojnë gjuhën shqipe, sepse gjuha shqipe është e bukur, jashtëzakonisht e bukur. Po të dëgjosh për shembull vargjet e Fishtës, vargjet e Naimit, vargjet e Mjedës asht bukur. Fishta thotë në një vend. “ Dersa të mundem me ligjërue dhe gjallë me frymë un jam/ kurrë Shqypni s’kam me t’harrue edhe n’vorr me t’përmend kam.” Janë fjalë të bukura këto, Por jo vetëm ato, por edhe të të tjerëve.

Ku jeni mbështetur për të bërë tekstet e mësimit plotësues të gjuhës shqipe? Unë kam bërë tekstet për gjuhën shqipe të mësimit plotësues. Për këtë kam shkuar vend për vend. Kam shkuar në Itali. Kam kenë në Zvicër, kam kenë në Gjermani, në Belgjikë, Holandë. Të gjitha këto i kam shëtitë, bile jo vetëm këto, por kam qenë edhe në Kajro, edhe në Suedi dhe kam pa edhe shkollat ku mësohet gjuha shqipe. Fatkeqësisht ne nuk kemi tekste tamam si duhen për këtë shkollë! Ne flasim me të drejtë për internetin, bota ka përparuar, por ne duhet t’i mësojmë të gjithë, të gjithë nxënësit, të cilët janë me internet e pa internet. Ata duhet të mësojnë të kaluarën e tyre, të mësojnë gjuhën shqipe, të mësojnë kush ka qenë Skënderbeu? Të mësojnë çfarë thonë të huajt për ne, çfarë thotë për shembull  Johan Gustav Majeri, çfarë thotë për shembull Holget Peterseni, çfarë thotë Johan Turmani. Këto duhet me i ditë. Kemi shumë sende për t’u thanë. Do të na thonë neve për shembull se sa shqiptarët e kanë ndihmuar Evropën. Mjafton lufta që ka bërë Skënderbeu, qëndresa e tij, forca e tij që u vu kufirin ushtrive osmane që askush nuk mund t’u delte përpara. Skënderbeu i ndaloi dhe i solli një shërbim të madh Evropës. Ato u zhvilluan normalisht në sajë të luftës që bëri Skënderbeu. Besoj që të gjitha këto duhen reflektuar.

Jeni takuar këtu me shumë mësues, që kanë ardhur nga Greqia. Çfarë morët nga prania e këtyre në këtë seminar?

Ky është një seminar vazhdim i seminareve të tjerë. Por nga seminari i Bernës që është bërë në vitin 2003, nga seminari i Prishtinës që është bërë në 2005-n, në mos u gabofsha dhe ai i Prizrenit ky ka një rëndësi të madhe për arsye, sepse kemi një tubim mbarëshqiptar, por duhet të kemi parasysh edhe që duhen tekstet, duhen plan-programet.

Mendoni që duhet të kalojmë nga seminaret teorike në veprimtari praktike të të mësuarit të gjuhës shqipe?

Për shembull po marrim plotësorin e Abetares. Gjuha shqipe ka 36 tinguj fonema. Dhe duke pas 36 tinguj ai duhet që të 36 tingujt, pavarësisht se mëson në Itali ose në Gjermani, Zvicër, Danimarkë, Greqi  vende që kanë nga 24 fonema, tinguj. Këto tinguj nuk mjaftojnë me e shqiptuar tamam si duhet gjuhën shqipe. Kështu që duhet me punuar me plotësorin e abetares. Ne mendojmë dhe kam bë para gjashtë vjetësh në Gjermani plotësorin e abetares. Por për të qenë i saktë, për të qenë nëse kam të drejtë me e bë këtë apo jo unë kam marrë edhe katër mësues të tjerë, që dy janë këtu e dy nuk janë këtu, të cilët i kam pyetur dhe kemi bërë një proces verbal  dhe ata i kanë mësue edhe tinguj, të cilët nuk i ka gjuha gjermane. Në të njëjtën kohë kam parë se nuk mjafton një orë mësimi i gjuhës shqipe me klasa të bashkuara. Por ne duhet t’u bindemi atyre ligjeve që ka shteti mikpritës.

Çfarë mendoni se duhet të bëjë shteti shqiptar?

Ka plot sende që duhet të bëjë. Duke njohur gjendjen ai nxjerr edhe detyrat. Këto detyra duheshin zbatuar që më përpara. Ne shkolla shqipe të mësimit plotësues kemi pas edhe tridhjetë vjet ma përpara, por ato shkolla ishin në luftë për me u shkëput nga Jugosllavia. Dhe këtë punë e bënin vetëm shqiptarët e Kosovës. Këtë duhet ta bëjnë edhe shqiptarët e Shqipërisë.

Cila është vepra juaj në fushën e gjuhësisë dhe të pedagogjisë?

Unë në fakt jam didakt. Unë kam shkruar edhe monografi, kam shkruar edhe tekste mësimi, kam bë edhe fjalorin e pedagogjisë, i cili është i pari fjalor i pedagogjisë në gjuhën shqipe. Fjalori, në atë kohë që u botua ishte një guxim i madh por latinët thonë…guximtarët i ndihmon fati.

Si guxove ta bësh këtë?

Nga nevoja, ajo më shtyni.

A mendoni për një botim të dytë të tij ?

Botimi i dytë do punë për arsye se për atë fjalor unë kam punuar 15 vjet. Dhe së bashku me mua ka punuar edhe gruaja ime. Ajo i shtypte dhe i redaktonte.

Cila është vepra juaj më e dashur?

Janë shumë. Për shembull “Reflekse etnopedagogjike” është botuar vëllimi i parë dhe tashti do të botohet edhe vëllimi i dytë. Aty janë 42 autorë, të cilët dëshmojnë se shqiptarët kanë punuar edhe për pedagogjinë. Ne nuk jemi popull i pakulturë. Ne jemi një popull i kulturuar, një popull që kemi ngrënë me dhëmbë diturinë. Ne i kemi hapur shkollat kur nuk na lejonte as turku, as greku dhe as serbi. Ne i kemi hartuar ato si vepër. I kemi hapur shkollat, i kemi botuar tekstet. Ka plot sende.

Çfarë do t’u uronit mësuesve, që punojnë në Greqi në vitin e ri shkollor?

Do t’u uroja që nxënësit shqiptarë që janë atje, se atje janë nja 650 mijë emigrantë normalisht, që njihen, çka do të thotë se ne kemi mbi njëqind mijë nxënës, ato të mos asimilohen siç nuk janë asimiluar të parët e tyre.

Çfarë duhet konkretisht të bëjnë ?

E para e punës me zbatimin e ligjeve ndërkombëtare çka do të thotë të hapen shkollat, të botohen tekstet, të dërgohen abetaret, të bahet fjalori plotësor i abetares, të botohen tekste historie, të njihet historia e Shqipërisë dhe ndihmat, që i ka dhënë Shqipëria Greqisë.