Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili i dorëzoi Raportin Vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë, pjesë e Paketës së Zgjerimit 2025.
Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe theksoi përkushtimin e institucioneve shqiptare për të vijuar me vendosmëri në përmbushjen e prioriteteve të integrimit evropian.
Kreu i Shtetit shprehu bindjen se bashkëpunimi i ngushtë me institucionet evropiane është kyç për të përshpejtuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Presidenti Begaj e cilësoi procesin e integrimit një aspiratë kombëtare dhe strategjike për të ardhmen e vendit, që kërkon angazhim dhe unitet nga të gjitha institucionet dhe faktorët politikë e shoqërorë.






















