Panairi Klik Ekspo Group, Prof. Kaprata: Rajonet policentrike si zgjidhje për të ardhmen

26
Sigal

“25 vite më parë, kur nisa punë në Institutin e Urbanistikës, nisën të ngriheshin shqetësime pse në Tiranë nuk ka parqe e stola. Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, që atëherë propozova modelet policentrike urbane”. Profesor Gentian Kaprata e jep që në krye thelbin e një studimi të gjatë që ndjek udhëtimin e kaosit urban në Shqipëri dhe gjithaq jep zgjidhje për të.

“Modeli demografiko-territorial i tranzicionit shqiptar dhe rajonet policentrike urbane” u morën në shqyrtim nga Kaprata në një forum të mbajtur në kuadër të Panairit Ndërkombëtar Klik Ekspo Group 2023. Forumi solli një shikim të përgjithshëm demografik (migracioni i jashtëm, i brendshëm dhe rritja natyrore e popullsisë) në një dinamikë kohore të ndarë në tre dekada (1990-2001, 2001-2011, 2011-2021) krah dukurive kryesore të tyre.

Nëse në vitin 1991 niveli i urbanizimit në vend ishte 31-36%, 44% në vitin 2001, 53% në vitin 2011 dhe 58% në vitin 2014, të dhënat tregojnë për një nivel të përshpejtuar që kaloi në katër faza.

“Faza e parë karakterizohet nga urbanizimi spontan informal me intensitet, kur u ndërtuan 20 mijë banesa informale deri më 1998; faza e dytë, deri në 2005, pati konsolidim të ndërtimeve informale duke arritur deri në 270 mijë të tilla; faza e tretë deri në 2013, u mor me legalizimet pa arritur t’i kryejë e megjithëse u bë ligj dhe çoi disi në rënie të ndërtimeve informale dhe u konsoliduan ato formale, sërish u numëruan edhe 80 mijë banesa të tjera. Faza e katërt nga 2013 deri sot, karakterizohet nga vijimi i informalitetit, duke numëruar rreth 550 mijë godina/banesa por ku tashmë mbi një grataçelë me leje, ka 7 kate pa leje” tha përmbledhtazi Kaprata, duke vënë në dukje se në 7 vitet e fundit ka pasur 10 mln metër katrorë ndërtime, ose 5 herë më shumë se më 1991.

Por çfarë ka sjellë kjo? Dhe pse ka ardhur kjo? Rënia e regjimit komunist u shoqërua nga ndryshime demografike të mëdha. Ndërsa në një anë pati emigrim të popullsisë, po aq, u shtuan godinat (e reja) e pabanuara. Rreth 1 mln e 300 mijë shqiptarë, lëvizën nga periferia drejt qendrës duke krijuar disbalanca të mëdha në dinamikat e qyteteve, ku 9 nga 36 rrethe patën rritjen më të madhe të popullsisë.

Nga 2001 deri më 2011, rreth 50% e banorëve në Shqipëri ishin në zona urbane, vërejti Kaprata, duke shënuar nisjen e tipareve të forta të disproporcioneve.
Në vitet 2011-2021, 600 deri në 900 mijë banorë ikën nga Shqipëria ndërsa në vend morën formë tri “rajone”: Tiranë-Durrësi i mbipopulluar, Fier-Vlora që sipas Kapratës është tipi ideal për shkak të balancës mes sipërfaqes dhe demografisë dhe “rajonet e braktisura”- Kukësi, Dibra, Lezha, Shkodra, Berati, Elbasani, Korça e Gjirokastra- ku 75% e territorit të vendit ka vetëm 40% të popullsisë.

Impakti që ka pasur kjo shpëndarje demografike është sipas profesorit e shumanshme. Nga një anë tejmbushja urbane e në tjetrën zbrazja urbane, kanë sjellë degradim të tokës dhe kosto të larta të menaxhimit e administrimit të territorit.

“Impakt ka edhe në ndërtesat e infrastrukturës sociale. Në zonat e mbipopulluara ka mangësi në godina arsimore, shëndetësore dhe kulturore. Vetëm Tirana ka nevojë për 60 mln€ për ndërtim infrastrukture arsimore”, shënoi Kaprata.

Raporti i zhdrejtë i territoreve të zëna nga ndërtimi dhe atyre të hapura, është tjetër shqetësim ndërsa mbipopulli në një zonë e shpopullimi në të tjera sjell mungesa e nervozizëm, duke risjellë rendin “Të gjithë janë në luftë me të gjithë” tha urbanisti.

Të gjitha këto sollën atomizimin e shoqërisë, me bazë interesin e familjes së vogël dhe përforcoi modelin tonë shoqëror prej pesë kategorish: Lider partish që tejshtrijnë pushtetin; sipërmarrës të lidhur me pushtetin që shtojnë pasurinë; dishepuj partiakë apo zyrtarë që kapërcejnë nga një parti në tjetrën për të mbijetuar në administratë; masa shoqërore që shkon nga varfëria drejt mjerimit të skajshëm dhe në fund, një grup individësh larg ndikimit qeveritar dhe partiak që mundohen pa sukses të ndërtojë sipërmarrje. Kjo pasqyrohet në modelin tonë politik të kryetarokracisë sunduese” tha mes të tjerash Kaprata.

Ndërsa Shqipëria ka mbyllur dekadën e tretë të tranzicionit pa një model të qartë ekonomik, pohoi Kaprata, ai ripropozoi modelin policentrik, ose modelin e qyteteve të rrjetit, specializim të qyteteve në atë çka përbëjnë veçantitë e tyre duke synuar dekoncentrimin apo shpërndarjen më të balancuar të qendrave të banuara dhe demografisë nëpër territorin kombëtar, komplementaritatin e qendrave të banuara dhe specializim të ekonomive së tyre, kjo pos si domosdoshmëri për Shqipërinë, edhe si një qasje europiane e bazuar në studime urbanistike.
Epoka digjitale në raport me mbrojtjen e të dhënave personale

Në kuadër të seminareve, pararalelisht me aktivitetet e shumta që po zhvillohen në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, të organizuar nga Klik Ekspo Group, u mbajt takimi mbi “Sigurinë e të dhënave personale në Shqipëri dhe sfidat e digjitalizimit”, organizuar nga zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Fokusi ishte trajtimi i çështjes kritike të së drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave, eksplorimin e kompleksitetit të ruajtjes së të dhënave personale mes transformimit digjital të Shqipërisë. Gjithashtu, seminari trajtoi çështjen e përputhjes dhe përshtatjes së ligjeve për mbrojtjen e të dhënave në vend, duke vlerësuar efektivitetin e tyre dhe përputhshmërinë me standardet evropiane (GDPR).

Përfaqësuesja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Meri Kujxhija foli mbi sfidat e paraqitura nga digjitalizimi, sensitiviteti i të dhënave personale, rritja e kërcënimeve kibernetike, shkeljet e të dhënave dhe çështjet që lidhen me aksesin e paautorizuar të të dhënave që janë në prioritet të zyrës së Komisionerit për Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ekspertët ofruan njohuri mbi zbatimin e strategjive të mbrojtjes së të dhënave, duke theksuar përputhjen me kërkesat rregullatore dhe zbutjen e rreziqeve që lidhen me trajtimin e të dhënave personale në mjedisin digjital.

“Aktiviteti i sotëm u drejtohet profesionistëve të fushës, personit të kontaktit (DPO) për mbrojtjen e të dhënave, ekspertëve ligjorë, duke mundësuar një platformë për diskutim mbi praktikat më të mira, teknologjitë e reja dhe politikat e nevojshme për të rritur sigurinë dhe privatësinë e të dhënave në Shqipëri”, tha Rigers Bodurri, përfaqësues i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Aktiviteti ndërgjegjësues shërbeu dhe si një mundësi për profesionistët e fushës në shkëmbimin e ideve, përditësimeve të fundit për tendencat në zhvillim dhe bashkëpunimeve për krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt.

Edicioni i 29-të i panairit “Klik Ekspo Group”, i cili zhvillohet nga data 6 deri në 9 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ka në boshtin e tij krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës, me zhvillimin e seminare me tematika në sektorë të ndryshëm për të ndërgjegjësuar ekspertë të fushës, të rinj, sipërmarrës pjesëmarrës në panair dhe të interesuar.
Agrikultura në Klik Ekspo Group, AIDA: Ja pse duhet investuar në Shqipëri
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) mbajti një takim informues në panairin Klik Ekspo Group me temën “Roli dhe kontributi i AIDA-s drejt tërheqjes së investimeve në agrikulturë”.

Moti me klimë mesdhetare, shumica e ditëve me diell, mikroklima të përshtatshme për zhvillimin e disa kulturave bujqësore, kostot konkuruese, lokacioni gjeografik optimal, lehtësitë doganore, incentivat dhe taksat konkurruese krah lehtësisë që ofrojnë, dy aeroporte dhe 4 porte, e bëjnë Shqipërinë një vend të përshtatshëm për biznes, sipas Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.

përgjegjëse e sektorit të investimeve, parashtroi arsyet pse duhet investuar në Shqipëri, duke vënë në dukje klimën pozitive për investimet, trajtimin e barabartë, mospasjen e nevojës për autorizim paraprak, moslimitimin e përqindjes për kompanitë e huaja, mbrojtje e veçantë nga shteti, etj.

“Ne si institucion promovojmë sektorë rë ndryshëm të ekonomisë, mes të cilëve është edhe sektori i bujqësisë. Jemi përpjekur të kontaktojmë edhe investitorë të huaj duke iu prezantuar Shqipërinë dhe potencialin që kemi. Te bujqësia kemi avantazhin e klimës, që mundëson të kemi prodhime bujqësore të shumta në sasi të madhe dhe cilësi shumë të mirë të produkteve. Ajo që synojmë edhe me fushatat tona, është që të mos kemi thjesht një sasi bruto të produkteve tona, por t’i bëjmë edhe një lloj përpunimi që të sjellim edhe një vlerë të shtuar në tregun shqiptar”, tha Zotaj.

Ajo vërejti se sasinë e madhe të prodhimit dhe cilësinë e kemi parë sidomos te bimët mjekësore, pjesa më e madhe e të cilave eksportohet, gjë që është tregues edhe për cilësinë.

Sa i takon peshës që ka bujqësia në Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP) të Shqipërisë, Zotaj theksoi se vlerat luhaten.

“Ne jemi shpresëplotë që ndikimi i bujqësisë, jo vetëm në GDP, por edhe në vlerat e punësimit që vazhdojnë të jenë të larta me 34% të popullsisë të angazhuar në bujqësi, tregojnë një avantazh që Shqipëria ofron”, tha Zotaj.

Investimet Strategjike në Panairin e Klikut, Xhembulla: Tërheqja e turistëve elitarë dhe investitorëve ekselentë përparësi

Forumi i organizuar në panairin ndërkombëtar të Tiranës 2023 nga Klik Ekspo Group, me fokus turizmin, përcaktoi disa prej strategjive të qeverisë shqiptare që synojnë promovimin e Shqipërisë dhe tërheqjen e sa më shumë turistëve.

Autenticiteti, rritja e standardeve dhe qëndrueshmëria janë linjat kryesore mbi të cilat po punohet, ishin në fokus të këtij takimi.

Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla, u ndal më kontretisht te vizioni për investimet strategjike.

“Ngritja e qendrës së vizitorëve për Vjosën është një prej tyre, sepse tashmë është shpallur Park Kombëtar dhe është lumi i fundit i egër në Evropë. Ne duam që të krijojmë turizëm të qëndrueshëm gjithëvjetor dule konservuar edhe trashëgimitë natyrore. Ne synojmë të tërheqim në Shqipëri investitorë me ekselencë që do të ofrojnë standarde, duke ofruar subvencione dhe lehtësi fiskale. Për t’iu përgjigjur dinamikave të turizmit po punohet për përmirësimin e kuadrit ligjor për turizmin dhe po ashtu për strategjitë që duhen ndjekur”, tha Xhembulla.

Ndërsa viti 2023 shënoi bum turistësh në vend, me rreth 9 milionë vizitorë, sfidat për vitin e ardhshëm janë disa. Mes turizmit masiv dhe atij elitar, mes ruajtjes së pasurisë e trashëgimisë natyrore dhe përdorimit të imazheve mahnitëse të vendit në funksion të promovimit, ekspertët kërkojnë edhe përmirësimkn e standardeve të akomodimit në struktura hoteliere dhe resorte që u përgjigjen kërkesave të vizitorëve.

Drejtoresha e Agjencisë së Turizmit, Zana Çela tha se rritja e numrit të turistëve e ka vënë agjencinë para objektivit të krijimit të një turizmi të qëndrueshëm.

“Pyetja që kemi shtruar ka të bëjë me promovimin. Panairet janë të rëndësishme për turizmin e qëndrueshëm dhe për këtë, trend ka qenë marketimi online. Ndaj ne krijuam aplikacion TEA – Turism Events in Albania që ka pasur 25 mijë shkarkime nga 76 vende të botës. TEA është një kalendar kombëtar eventesh. Përveç lokacioneve natyrore, eventeve kulturore e artistike që njoftohen në aplikacion për gjithë Shqipërinë, vitin e ardhshëm do të ketë krah eventeve edhe sugjerime të strukturave hoteliere që turistët të shtojnë ditët e qëndrimit në vend”, sqaroi Çela.

Ajo përmendi edhe konkursin e fotografisë mbi Shqipërinë turistike, ku kanë marrë pjesë 7800 punime nga 42 vende dhe që promovon vendin, duke shpallur 36 aplikantë ambasadorë të Shqipërisë turistike.

Zak Topuzi, kreu i Shoqatës Shqiptare të Hotelierëve, tha se ka nevojë për më shumë struktura akomoduese, sidomos ato të cilësisë së lartë për turizëm elitar. Duke kërkuar të bëhemi gati për turizmin kinez, ai tha se segmentet që lidhin qendrën me veriun do të jenë të rëndësishme, sepse 60% e turistëve vijnë në zonën Golem-Velipojë dhe mes tyre shumica janë shqiptarë.

Sipërmarrësit nga Serbia, interes për eksploruar më tej bashkëpunimin me tregun shqiptar
Dhoma Serbe e Tregtisë përfaqësohet në edicionin e 29-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, si një partnere e rëndësishme dhe e qëndrueshme, në vijim të një bashkëpunimi të ngushtë prej afro 20 vitesh. Duke përfshirë pjesëmarrjen e 22 kompanive në sektorë të ndryshëm kryesisht në ndërtim, indrustrinë ushqimore, të prodhimit të ushqimit të kafshëve, industrinë e tekstileve dhe të tjera. Dhoma Serbe e Tregtisë ēshtë një nga ekspozuesit më të mëdhenj dhe divers në panair, duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve. ekspozues

“Dhoma jonë e tregtisë vjen në panairin e këtij viti jo vetëm si një përfaqësi më e madhe me biznese që operojnë në fusha të ndryshme, por edhe si një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Klik Ekspo Group, prej vitesh tashmë, për një partneritet të sukseshëm dhe besues. Jemi shumë mirënjohës për organizmin dhe përkushtimin e organizatorëve për krijimin e frymës së bashkëpunimit”, tha Tatjana Beuk Pirusic, Këshilltare e Dhomës Serbe të Tregtisë

Pirusic theksoi se Dhoma Serbe e Tregtisë sheh dy sektorët më të rëndësishëm, për nxitjen e bashkëpunimeve bilaterale në sektorin privat: bujqësinë dhe turizmin. “Shqipëria ka disa avantazhe në bujqësi, në aspektin gjeografik, edhe në diversifikimin e prodhimeve bujqësore. Ne importojmë perime të freskëta, si dhe ato të prodhimit të hershëm nga Shqipëria dhe kētu bashkëpunimi me bizneset private është shumë thelbësor për intensifikimin e marrëdhënieve tregtare. Pika e dytë e fortë, është roli i Shqipërisë në sektorin e turizmit. Në këtë kontekst qëllimet tona konvergojnë për mundësi të shumta të marrëdhënieve tregtare, si në industrinë e ndërtimit ose në sigurimin dhe furnizimin e disa ushqimeve specifike për hotelet dhe restorante”, u shpreh Tatjana Beuk Pirusic, Këshilltare e Dhomës Serbe të Tregtisë.