Qytetin Studenti; 150 studentë mbeten me 7 dushe në përdorim

100
Sigal

Në Tiranë vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura problemet me godinat e studentëve. Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare tha për se në godinën 14, rreth 150 studentë kanë në përdorim vetëm 7 dushe. Shkak është bërë grumbullimi aty i të rinjve nga godinat e degraduara, ndërkohë që sipas Xhemollarit studentët janë lënë pas dore nga qeveria.

“Buxheti dhe gjithë parashikimi juridik për këtë shërbim është i parashikuar deri në këtë muaj. Dyshoj që mund të jetë për efekte elektorale, përsa i përket përgjysmimit të tarifave është një premtim i pambajtur. Kemi komunikuar me studentë dhe vazhdojnë të paguajnë aq sa paguanin në fillim, dhe sigurisht është një premtim bosh, i cili nuk e di pse kryetari është motivuar për ta bërë këtë, ndërkohë që Këshilli Bashkiak nuk i është përmbajtur këtij premtimi,”- tha ai.

Xhemollari thotë se në godinën 14 janë 150 studentë, ndërsa kushtet janë mjerane.

“Aktualisht janë 150 studentë, 75 që ishin, erdhën dhe 75 nga godina 4. Tejmbushja e kësaj godine me studentë sigurisht që do ndikojë më shumë në përkeqësimin e kushteve të tyre higjeno sanitare, të cilat ne shpesh e kemi ngritur shqetësimin apo të shërbimeve brënda godinës. Edhe 75 studentë, që ishin, kushtet nuk u përgjigjeshin atyre. Për 75 studentë ishin 7 dushe, tani janë 150 studentë me 7 dushe,”- tha ai.