Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit, Ervin Resuli e ka cilësuar skandal të Ministrisë së Bujqësisë fshehjen e pranisë e aflatoksinës në qumështin e konsumuar nga qytetarët shqiptarë. Resuli shkruan se shqiptarët kanë konsumuar qumësht dhe nënprodukte të tij të ndotura me aflatoksinë M1, një toksinë kancerogjene, e cila është shumë e rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Ai shprehet se nga 26 mostra të marra nga Janari 2024 deri në Prill 2025, 10 prej tyre kanë rezultuar pozitive, pra gati 40% të qumështit të kontrolluar ishte i kontaminuar mbi normat e sigurisë ushqimore.
Resuli pyet se përse nuk është ngritur asnjë kallëzim penal për shpërndarjen e ushqimeve të rrezikshme? Më tej shprehet se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e ka detyrim ligjor informimin e publikut, ku shton se siguria ushqimore është e drejtë themelore e çdo qytetari.
Ervin Resuli:
MINISTRIA E BUJQËSIS FSHEHË SKANDALIN E AFLATOKSINËS – QUMËSHT I KONTAMINUAR NË TREGUN SHQIPTAR!
Në fshehje të plotë nga institucionet shtetërore, shqiptarët kanë konsumuar qumësht dhe nënprodukte të tij të ndotura me aflatoksinë M1, një toksinë kancerogjene dhe shumë e rrezikshme për shëndetin e njeriut. Nga 26 mostra të marra nga Janari 2024 deri në Prill 2025, 10 prej tyre kanë rezultuar pozitive, pra gati 40% të qumështit të kontrolluar ishte i kontaminuar mbi normat e sigurisë ushqimore.
Në vitin 2024 ishin vetëm 2 mostra jokonforme. Por vetëm për katër muajt e parë të vitit 2025, janë zbuluar 8 mostra jokonforme – disa me vlera tronditëse si 0.882 µg/kg, shumë mbi kufirin e lejuar maksimal prej 0.05 µg/kg.
Po autoritetet çfarë kanë bërë?
Nuk kanë informuar publikun.
Kanë marrë disa “masa administrative” dhe bllokuar produktin vetëm pas konsumit.
Kanë kërkuar “gjurmueshmërinë”, ndërkohë që qumështi helmues ka përfunduar në tavolinat tona, në goten e fëmijëve tanë, në çerdhet, kopshtet, shkollat, spitalet, shtëpitë tona.
Ku janë rezultatet e inspektimeve për qumështin që qarkullon në fabrika , baxho, supermarkete, qumështore, restorante dhe markete lagjesh?
Pse nuk është ngritur asnjë kallëzim penal për shpërndarjen e ushqimeve të rrezikshme?
Kush janë fabrikat burimi i këtij produkti të ndotur?
AKU e ka detyrim ligjor informimin e publikut !
Mjaft me fshehje! Mjaft me rrezikim të jetës!
Siguria ushqimore nuk është statistikë laboratorike, por e drejtë themelore e çdo shqiptari.