Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar reagon pas vrasjes në Elbasan

53
Sigal

Deklaratë!

Ne Krerët fetarë të Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan se bashku me disa përfaqësues të shoqërisë civile mësuam me dhimbje ngjarjen e rëndë, që ndodhi sot në qytetin tonë, ku u shua një jetë dhe u plagosën disa të tjerë në emër të një gare të shfrenuar politike, ku egoizmi dhe etja për pushtet errëson sytë dhe mendjet e militantëve dhe drejtuesve të tyre partiakë, duke shkaktuar një gjendje kaq të rëndë dhe të padurueshme e aq më tepër të padenjë për një qytet që historikisht ka qenë vatër e paqes dhe e dijes.

Me këtë rast, u bëjmë thirrje tërë drejtuesve të partive politike, që të kujtohen se janë angazhuar në politikë për të kontribuar në mirëadministrimin e shtetit, për të garantuar dhe rritur mirëqenien e bashkëqytetarëve dhe jo të bëhen nxitës të gjuhës së urrejtjes midis banorëve tanë.

Ndaj duke u lutur për shpirtin e viktimës së ndjerë që te prehet ne paqe dhe shërim të shpejtë të të lënduarve,kerkojme nga organet ligjzbatuese vendosjen e shkaktareve perpara përgjegjësise ligjore. U bëjmë edhe njëherë thirrje drejtuesve politikë dhe militantëve të tyre, të ruajnë qetësinë në këto pak ditë që kanë mbetur deri tek votimet për të cilat duhet patjetër t’u kthehet qetësia qytetarëve tanë.

Ndërkohë ftojmë  bashkëqytetarët tanë që ta ushtrojnë pa u trembur, të drejtën e tyre themelore të demokracisë duke shkuar në votime.

Këtë ua kërkojmë me përulësi në emër të komuniteteve tona fetare.

Zoti i dhente miresi qytetit tone dhe Shqipërisë.