Pushuesit në Velipojë dalin në protestë: Plazhi s’ka roje

224
Sigal

Vdekja e një 44-vjeçari në plazhin e Velipojës si pasojë e infarktit të pësuar në momentin që ka hyrë në ujë dhe vonesa për afro 1 orë e shërbimit mjekësor, ka sjellë një protestë të pazakontë të turistëve që kanë zgjedhur këto brigje të Adriatikut për të pushuar.

Pjesa më e madhe e tyre të ardhur nga Kosova, e quajnë absurd faktin që ndërsa po hyjmë në gjysmën e muajit qershor, plazhi nuk ka akoma roje bregdetare dhe shërbim mjekësor për t’u ardhur në ndihmë në rrezik mbytjeje.

“Tani që jemi dhe të moshuar vërejmë disa gjëra negative. Së pari pastërtia nuk është në rregull. Pushtetin shqiptar e lus që të ketë mbikëqyrësa ose ndihmësa në bregdet. Për çdo vit që vij këtu, të paktën 4-5 persona vdesin”, thotë një pushues.

Në rast të mos marrjes së masave të menjëhershme, pushuesit deklarojnë se do të largohen nga bregdeti shqiptar. Pas protestës, u deklarua se qendra shëndetësore do të hapet që nga kjo e dielë. “Me rastin që ndodhi dje, qendra shëndetësore do të jetë e hapur tani në sezonin turistik”,-tha Vjollca Vocaj, infermiere në qendrën shëndetësore Velipojë.