Publikohet dokumenti i rrallë i vitit 1967, Dekreti i Dede Ahmetit për emërimin e Reshat Bardhit, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve

485
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga Shelda AGARAI-JANO

Dede Edmond Brahimaj: Kujtoj personalisht mbresat që la rikomunikimi i këtij dekreti në ditën e ringritjes së bektashizmit pas vitit 1990 dhe, emërimi i Reshat Bardhit, Kryegjysh Botëror Bektashian!” 

Në përvjetorin e dhjetë të ikjes nga kjo jetë e Dede Reshat Bardhit (2 prill 2011; ceremonia 4 prill 2011), zbulohet në arkiva një dokument i rrallë, dekreti i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Ahmetit, për emërimin, pas ndarjes nga jeta të tij, të Reshat Bardhit, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Dokumenti, që mban datën 30.06.1967, është firmosur nga Dede Ahmeti, mban vulën e institucionit, aktualisht, ndodhet në Arkivin Qendror të Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë. Duke publikuar këtë dokument, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, evidenton ndërkohë rolin dhe kontributin e rëndësishëm që këta dy klerikë kanë në drejtimin e Selisë së Shenjtë Bektashiane në periudhat ndër më të vështirat e rrugëtimin tetëqind vjetar të këtij besimi të paqtë. “..Ky dokument (testament), ka rëndësi të veçantë për gjurmët e arta të traditës bektashiane dhe rolin e klerikëve në përmbushjen e misionit të shenjtë të klerikëve bektashinj, mesazhet e vazhdimësisë për rrugën e Haxhi Bektash Veliut, besimin tek i Madhi Zot dhe forcimin e vëllazërisë, paqes e mirësisë. Ky dokument, është firmosur nga Dede Ahmeti në vitin 1968, kohë në të cilën në Shqipëri, sapo ishte ndaluar me ligj ushtrimi i fesë dhe mbyllja e institucioneve fetare. Por largpamësia e Dede Ahmetit, me emërimin pas ikjes së tij nga jeta të Reshat Bardhit në krye të Selisë së Shenjtë që në atë kohë të errët, reflektonte para së gjithash, besimin e palëkundur se shpejt do të largohej perdja e ateizmit dhe do të lejohej ushtrimi i besimit fetar. Pikërisht, pas ndryshimeve politike të vitit 1990, rihapjen e institucioneve fetare, gjen zbatim dekreti i tij, në krye të miliona bektashinjve, vihet Dede Reshat Bardhi. Kujtoj personalisht mbresat që la rikomunikimi i këtij dekreti dhe ditën e ringritjes së bektashizmit pas vitit 1990 dhe emërimin e Reshat Bardhit Kryegjysh Botëror…!”– pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Dekreti i shenjtë i Dede Ahmetit

Dekreti i Dede Ahmetit, përveç rëndësisë historike për vazhdimësinë e bektashizmit, pasqyron njëkohësisht dhe elementë të tjerë të praktikës rigoroze të Selisë së Shenjtë në dokumentimin e ngjarjeve e eventeve të ndryshme. Ja dhe pjesë nga ky dekret: “…Me emërin e Zotit ndjesëmadh e mëshirëshumë/ Dekretim i shenjtë./ Dede Ahmeti  (i sëmurë në Vlorë)/ Akt-çedimi në favor të birit tim të Merituar, Dervish Reshat S. Bardhi/ BISMILAHI- RRAHMANI RRAHIM/

Në emër të Zotit që është drita e qiejve dhe e dheut-zbritësi i urdhrave te urat, Zebur, Inxhil e Kuran – Krijues i pashoq në pikturim dhe vendosje të qenieve në forma  dhe vende të caktuara në emër të Profetit të madh Muhamed (a. s), që është vërtetuesi i të gjithë Profetëve. Në emër të Mbretit të Burrave Alijut-Murtezasë që është Drita e Shenjtërisë në të dy epokat para Profetit Muhamed me sekretet dhe pas kohës së lumnueshme dhe deri në kiamet i hapet. Në emër të12  Imamëve legjitim, Ali e Mehdi. Në emër të vargut të Shenjtë nga Mehdiut e Hynqar Haxhi BektashVeliu, Sejid Hysejn Ballëm Sulltani, të gjithë Dedelerëve deri ke myrshidi im Halim Ruhi Baba që më kadhë në të drejtën e zëvendësisë legjitime simbas dekretit Nr.1 datë  8 qeshor 1948 në Tiranë, në bazë të konditave që u krijuan në tokën shqiptare në vitin 1967 dhe njëkohësit duke parë që jam i sëmurë fizikisht, por mjaft në rregull mendërisht dhe shpirtërisht, me dëshirën time gradoj me gradën Baba dhe Kalif – zëvendës timin me të gjitha të drejtat që zotëroj vetë, në bazë të Dekreteve, Shenjtërinë e Tij Dervish Reshat S. Bardhin, duke e mbiemëruar“ HALIFE RESHAT LUAN BABA”. Sa të jem unë gjallë, ky është zëvendësi im i parë dhe me kalimin tim, fiton të gjitha të drejtat e përfaqësisë me të gjitha kompetencat e përcaktuara në Dekretet e Shenjtëruara të miat që i ka në dorë Halife Luan Babaj. Jo dashuria në personin tim, por dashuria që ka për EHLIBEJTIN e Dritën e tyre, më detyroi që  e mora këtë vendim, ngaqë i ka të gjitha aftësitë dhe materialet e duhura për drejtim. – Urdhëroj të gjithë klerin dhe besimtarët bektashinj – jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë, globit tonë, ta njohin në vendin tim sepse ky është pasqyra më e ndritur që do të prijë denjësisht. – Të diturit ta nderojnë me diturinë e tyre, trimat ta mbrojnë  me trimërinë e tyre, bujarët ta ndihmojnë me bujarinë e tyre. Të gjithë besimtarët  pa përjashtim  ti përulen dhe të marrin Dritë prej Tij, ashtu si yjet marrin dritë nga Dielli. Hynqari i madh që është Porta Madhështore për të parë qeniet e gjalla me detaje, Hysejn Hysni Ballëm Sulltani, Dedelerët  e shenjtëruar dhe të gjithë të mirët që ka toka dhe qielli, kurorë mbi krye të qofshin o i ngarkuar me këtë mision Halife Reshat Luan Baba! Dhe juve fëmijë të dashur Kler dhe besimtare, muhibë e ashikë që jeni dhe do të vini, qofshi një dritë e vetme shkëlqyese në shekuj!  Ç’ka thotë Zoti, bëni, atë të bëni. Ç’ka thotë Zoti mos e bëni, ndalohuni!/ Lavdi paste Zoti i gjithësisë!/ Respekt për të mirët e rrugës sonë!/ Jeta le të më kushtojë, por e Drejta nga unë Fakiri nuk do tëshkelet./ Shërbëtor i shërbëtorë vetë Zotit,/ AHMED M. DEDE (d.v.)/ Vlorë më 30.6.1967/ Vërtetohet striktërisht njësia me origjinalin e shkruar nga Kryeshenjtëria e Tij Ahmed M.

Dede, Kryegjyshi Botnor i Bektashijeve dhe që i bashkëngjitet këtij dekretimi të shenjtë. / Transkiptuesi: Ibrahim Hasnaj (Hima)”

Përkujtimi

Dede Reshat Bardhi, ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011, ndërsa ceremonia e përcjelljes, pas homazheve në Pallatin e Kongreseve, u bë më 4 prill të po këtij viti. Sot, në përkujtim të 10 vjetorit të kësaj ngjarje, në Selinë e Shenjtë, nisin një sërë aktivitetesh fetare e përkujtimore . Ndërsa ditën e diel, datë 4 prill 2021, në orën 11:00, është mevludi. Po gjatë kësaj dite, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pret vizita.

Pohim i Haxhi Dede Edmond Brahimajt

“..Ky dokument (testament), ka rëndësi të veçantë për gjurmët e arta të traditës bektashiane dhe rolin e klerikëve në përmbushjen e misionit të shenjtë të klerikëve bektashinj, mesazhet e vazhdimësisë për rrugën e Haxhi Bektash Veliut, besimin tek i Madhi Zot dhe forcimin e vëllazërisë, paqes e mirësisë. Ky dokument, është firmosur nga Dede Ahmeti në vitin 1968, kohë në të cilën në Shqipëri, sapo ishte ndaluar me ligj ushtrimi i fesë dhe mbyllja e institucioneve fetare. Por largpamësia e Dede Ahmetit, me emërimin pas ikjes së tij nga jeta të Reshat Bardhit në krye të Selisë së Shenjtë që në atë kohë të errët, reflektonte para së gjithash, besimin e palëkundur se shpejt do të largohej perdja e ateizmit dhe do të lejohej ushtrimi i besimit fetar. Pikërisht, pas ndryshimeve politike të vitit 1990, rihapjen e institucioneve fetare, gjen zbatim dekreti i tij, në krye të miliona bektashinjve, vihet Dede Reshat Bardhi. Kujtoj personalisht mbresat që la rikomunikimi i këtij dekreti dhe ditën e ringritjes së bektashizmit pas vitit 1990 dhe emërimin e Reshat Bardhit Kryegjysh Botëror…!”