Protestuan pas vrasjes së Klodian Rashës, gjykata dënon 4 të rinjtë (EMRAT)

224
Sigal

Të pandehurit Kliton e Klodian Rexha, Serdar Reçi e Mariglen Kuqo u fajësuan për veprat penale të “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, të kryera në protestën e 10 dhjetorit 2020.

Gjykata dënoi me nga një vit burg tre prej tyre dhe 6 muaj për të katërtin, ndërsa pezulloi këtë dënim për të pandehurit Reçi e Kuqo.

Prova kryesore e prokurorisë në procesin gjyqësor kanë qenë raportet e shërbimit e policisë gjatë protestës.

Sipas këtyre raporteve, të pandehurit Rexha e Reçi kishin qëlluar me gurë forcat policore para Kryeministrisë dhe se më pas ishin larguar në Drejtim të rrugës “Ibrahim Rugova” duke thyer semaforë, duke djegur kazanë mbeturinash dhe thyer tabelat e rrugëve.

Ndërsa i pandehuri Kuqo kishte qëlluar me mjete të forta drejt policisë tek “21 dhjetori”.

Sipas gjykatës, gjatë protestës së 10 dhjetorit 2020 u dëmtuan tabela rrugore, semaforë, ndriçues publikë, xhama të godinave shtetërore e bizneseve private, si edhe një automjet privat.

Çfarë ndodhi më 8 dhjetor 2020?
Më 8 dhjetor, rreth orës 01:45 të mëngjesit në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, Klodian Rasha u ekzekutua nga policia vetëm sepse shkeli orën policore gjatë pandemisë.

Gjithçka ndodh për pak sekonda, mbasi dy oficerë i kërkuan Klodianit të ndalojë. Klodiani ikën me vrap dhe njëri prej tyre, Nevaldo Hajdaraj, i vihet nga pas. Polici rrezohet, aty ulet në gjunjë dhe e qëllon mbas shpine Klodianin. Mbas të shtënave Klodiani vrapon dhe tre hapa dhe rrëzohet.

Polici i afrohet dhe mbas tij dhe kolegu, ndërsa shfaqen në radio.

Për pak sekonda Klodiani ndërron jetë. Mbas vrasjes së Klodian Rashës vendi u përfshi në protesta, që kërkonin drejtësi për Klodianin dhe që u mbyllën me dorëheqjen e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj.

Më 14 korrik Gjykata e Tiranës ka dënuar me 15 vite burg Nevaldo Hajdarajn për vrasjen e Klodian Rashës.

Fillimisht Hajdaraj u akuzua për “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” por më pas nga pamjet filmike dhe provat e administruara prokuroria e Tiranës riklasifikojë veprën dhe akuzoi efektivin për “Vrasje me dashje”.

Hajdari do të vuajë vetëm 10 vite të dënimit, për shkak se ka përfituar ulje me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar.