Promemorie e Akademik Alfred Uçi dhe Dritëro Agolli për riorganizimin e Akademisë së Shkencave

713
I nderuar Kryeministër, Edi Rama! I nderuar Kryetar i Kuvendi, Ilir Meta!

Të shqetësuar për të ardhmen e Akademisë së Shkencave duam t’ju paraqitim disa propozime përderisa Qeveria e Berishës, kohët e fundit është interesuar për ta mbajtur nën kontrollin e saj edhe pas humbjes në zgjedhjet e fundit, duke e caktuar Nënkryetar të Akademisë Myzafer Korkutën (i cili duhej të dilte në pension, dhe duke e njohur si Kryetar të ardhshëm të këtij institucioni. Vetë Korkuta ka deklaruar në televizion dhe në gazeta se “është i vetmi kandidat i miratuar për Kryetar të Akademisë” dhe pasi e shpall “ASH të shkatërruar”, premton ta ringjallë. Në fakt ASH është duke dhënë shpirt, sidomos ngaqë ekipi që e drejton, është zgjedhur nga Berisha dhe ky ka realizuar idetë maniake, “reformën” e tij, që e ka çuar Akademinë në shkatërrim të plotë. Ne mendojmë se në situatën e sotme s’është e mundur që ASH të ringjallet, aq më pak me këtë ekip që ka përgjegjësinë që ka miratuar dhe zbatuar reformën e Berishës. Ne propozojnë që me porosinë tuaj të krijohet një komision këshilltarësh prej dhjetë (10) vetash, akademikësh nga fusha të ndryshme (pa pagesë), që të organizojë një studim serioz mbi gjendjen e mundësitë e ringjalljes së ASH, të cilin ta paraqitë në Qeverinë që do ta kryesoni ju. Funksioni i këtij Këshilli të jetë këshillimor e i përkohshëm (gjashtë muaj). Para se të niste Berisha reformën e tij të ASH, Asambleja e atëhershme, në bazë të Statutit të saj, vendosi të zgjidhte Kryesinë e re të Akademisë dhe në mbledhjen e saj zgjodhi me unanimitet Kryetar akademikun Rexhep Mejdani. Kundër votoi vetëm Gudar Beqiraj. Të nesërmen Berisha anuloi arbitrarisht vendimin e Asamblesë të ASH dhe caktoi Gudar Beqirajn Kryetar të këtij institucioni. Ne mendojmë se Rexhep Mejdani ligjërisht mund të caktohej Kryetar i këtij komisioni këshillues, deri sa të realizohet një reformë për ringjalljen e funksionimin normal të ASH. Gudari ka organizuar zgjedhje të falsifikuara me tarafin e tij, duke krijuar një shumicë të bindur me ndihmën e së cilës ka administruar dhe vazhdon ta administrojë Akademinë, duke kryer një varg veprimesh të turpshme financiare dhe shëtitje turistike, pa asnjë efekt shkencor, në gjithë vendet e Evropës, por sidomos në Malin e Zi dhe Maqedoninë. Duke shkelur Kushtetutën e RSH dhe Statutin e Akademisë, Gudari u ka kequr të drejtën e botimit të veprave shkencore Anëtarëve më të vjetër, që i ka nxjerrë në pension, i ka përjashtuar nga pjesëmarrja në mbledhjet e Asamblesë, u ka hequr të drejtën e votës, nuk u jep dieta udhëtimi për pjesëmarrje në aktivitete të përbashkëta me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës ose me arbëreshët e Italisë. Bashkëngjitur ju përcjellim një studim për reformimin e ASH, që është përgatitur në të kaluarën, por nuk është lejuar të lexohet në mbledhjet e Asamblesë e të Seksioneve të saj. S’ka dyshim se ky material meriton të rishikohet me qëllim që Akademia të shndërrohet në një institucion që mund të ndihmojë me studime shkencore shtetin, duke i shkurtuar shpenzimet financiare parazitare. Është e domosdoshme që të Krijohet Këshilli i ri botues, i cili të mos kryesohet nga Kryetari i Akademisë, por nga një person tjetër i ndershëm dhe kompetent, duke ripunuar një rregullore të re të funksionimit të këtij institucioni akademik, që duhet të botojë vetëm studime shkencore akademike dhe të ndalohet shitja e fshehtë e veprave shkencore tek shtëpi botuese private. Jemi të gatshëm t’u japim sqarime të mëtejshme për masat e ngutshme që duhen marrë qysh tani, që Akademia të mos bjerë në dorën e atyre njerëzve, që e çuan në falimentim.
Me nderim e urime për fitoren!
Alfred Uçi dhe Dritëro Agolli 

Tiranë …/7/2013 
SKICË PLATFORMË PËR REFORMIMIN, RIORGANIZIMIN DHE MODERNIZIMIN E ASH
Në kohën e tanishme është bërë nevojë e ngutshme që të reformohet, të riorganizohet dhe të modernizohet Akademia e Shkencave e Shqipërisë me qëllim që t’iu afrohet kërkesave të BE për reformimin e strukturave të institucioneve të vendit tonë, me qëllim që të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, duke organizuar, drejtuar dhe përkrahur veprimtari të shumëllojta shkencore e kulturore krijuese, institucione dhe studiues të shquar në dobi të interesave kombëtare, të prosperitetit dhe të progresit në rrugë demokratike të shoqërisë. Në periudhën e tranzicionit është është ngritur herë pas here ky problem, por “reformimi” i saj ka qenë ose veprimtari hakmarrëse politike dhe klanore ose vetëm fjalë të zbrazëta, që e kanë lënë në përmbajtje, në gjendje rutine gati-gati me ato struktura dhe forma, që janë trashëguar që nga koha e monizmit. Kërkesa për ristrukturimin e ASH është në përputhje të plotë me kërkesat programatike të gjithë qeverive që kanë ekzistuar e ekzistojnë gjatë tranzicionit, por që kanë mbetur të parealizuara, heshtja ka mbuluar kohën e humbur, ngërçin dhe amullinë e klaneve drejtuese. Ngaqë nuk u përfill dhe nuk u lejua diskutimi i një projekti alternativ, Statuti që u miratua më 1998, jo vetëm nuk nxiti reformimin e ASH, por e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen e saj; tani janë bërë evidente pasojat negative të zbatimit të këtij Statuti, mënjanimi i të cilave kërkon realizimin e ngutshëm të një reforme, aspak kozmetike, por të thellë’- edhe në plan strukturor, edhe funksional për të çelur perspektivën e një rilindjeje të ASH. Në gjendjen e sotme të prapambetur para Akademisë qëndrojnë shumë probleme komplekse e të ndërlikuar, zgjidhja e të cilëve do të kërkojë shumë kohë, por duhet gjithsesi një herë të nisë reforma, për të fituar kohën e humbur e për të përcaktuar rrugët e mjetet për një zhvillim perspektiv afatshkurtër e afatgjatë. Prandaj, ne po parashtrojmë një skicë platforme për reformë, e cila do të duhej të diskutohej gjerësisht brenda e jashtë sistemit të Akademisë para se të bëhen zgjedhjet e reja të anëtareve të Akademisë dhe të organeve drejtuese të sistemit saj. Akademia e Shkencave përfaqëson një Qendër Shkencore e Kulturore Kombëtare, e themeluar si kurorëzim i traditave dhe i aspiratave më të ndritura të shkencës dhe të kulturës kombëtare* Ajo u krijua dhe ekziston për të organizuar, drejtuar dhe përkrahur veprimtari të shumëllojta shkencore e kulturore, institucione dhe studiues të shquar në fushat e ndryshme të shkencave shoqërore, albanologjike, teknike e natyrore, të letërsisë dhe arteve dhe të kulturës, që kanë një rëndësi të veçantë shtetërore e kombëtare.

2) Kjo skicë-platformë synon të mënjanojë shfaqjet kryesore negative, që pengojnë gjallërimin dhe përmirësimin e gjithë veprimtarisë shkencore dhe funksionimin e sistemit të saj. Platforma synon t’i japë impulse të reja zhvillimit e përsosjes së ASH që ajo të jetë një tempull madhor i shkencës dhe kulturës së kombit tonë, për t’iu përshtatur kushteve të reja ekonomike, sociale, politike e kulturore të shoqërisë bashkëkohore shqiptare, sidomos ekonomisë së tregut dhe për të përballuar mirë nevojat, kërkesat dhe situatat, me të cilat po ndeshet e do të ndeshet vendi në fillim të shek.XXI, në prag të integrimit në BE.

3) Akademia e Shkencave është institucion i depolitizuar me karakter mbipartiak. Në sistemin e institucioneve dhe organizmave të ASH ndalohet veprimtaria e organizatave politike partiake. Në veprimtarinë e ASH zbatohet rigorozisht principi i tolerancës ideologjike, i debatit të lirë demokratik, i pluralizmit teorik e metodologjik dhe i frymës së pajtimit kombëtar. Akademia është e papajtueshme me aktet, qëndrimet dhe veprimtari, që dëmtojnë interesat kombëtare. Ajo është e papajtueshme me çdo shfaqje diskreditimi arbitrar antidemokratik. Demokratizimi liberal është princip themelor që siguron brenda ASH shprehjen e lirë të opinioneve e të kritikave shkencore krijuese, marrjen e vendimeve dhe zbatimin e tyre. ASH është institucion i hapur dhe veprimtaria e saj përshkohet nga transparenca.
4) Veprimtaria e ASH financohet kryesisht nga buxheti i shtetit por edhe me të ardhurat që sigurohen nga realizimi i detyrave dhe zgjidhja e problemeve të ndryshme shkencore, teknike e kulturore. Në burimet financiare të ASH përfshihen edhe donacionet, sponsorizimet, ndihmat dhe dhuratat dhe fondacione e organizata publike private, të brendshme e të jashtme, që mbështetin financiarisht qëllimet e veprimtaritë e saj. Të ardhurat e përgjithshme të ASH, pavarësisht nga burimet e tyre rishpërndahen në dobi të realizimit të detyrave kryesore, të përparësive të tyre dhe të masës së kontributit të instituteve, grupeve të kërkimeve shkencore dhe studiuesve të veçantë, si dhe të të ardhurave nga realizimi i kontratave me palë të dyta, të treta etj. Ndalohen veprimtari fitimprurëse në dobi të personave të veçantë që janë në punë në sistemin e ASH dhe Institucioneve të saj, që janë në kundërshtim me synimet shkencore e kulturore të saj, por stimulohet angazhimi në projekte ekstraakademike që janë në interes të shtetit e të shoqërisë dhe që nuk i shndërrojnë institucionet e saj në ndërmarrje afariste me qëllime thjesht fitimprurëse. ASH duhet të stimulojë në radhë të parë veprimtaritë krijuese shkencore.
II. Akademia e Shkencave është institucion qendror, struktura e të cilit përbëhet nga:
l) Institute, qendra dhe organizma të tjera, që merren me studime të mirëfillta shkencore dhe kulturore dhe që janë nën vartësinë e drejtpërdrejtë të saj. 
Krijimi i këtyre institucioneve shkencore ka si qëllim që shteti të mbështetë zhvillimin e disa drejtimeve tepër të rëndësishme të shkencave në dobi të gjithë shoqërisë, që t’u përgjigjen me përparësi nevojave të ngutshme të programeve qeveritare, të prosperitetit ekonomik, kulturor a social të vendit, që të shërbejnë si vatra model të modernizimit të hulumtimeve shkencore bashkëkohore dhe të bashkëpunimit me qendrat shkencore të vendeve të tjera. Në gjirin e tyre aktivizohen studiuesit më të aftë e më të specializuar për punë shkencore, sipas një rregulloreje të veçantë, që përfshin konkurrimin, testimin dhe stimulimin material e moral. Në këto institucione e qendra studimore mund të pranohen të punojnë edhe studiues të huaj, duke i angazhuar në drejtime që janë të pamundura të mbulohen nga specialistët vendas. Specialistët ë huaj miratohen të punojnë përkohësisht në institucionet e ASH ose në përpjekje të përbashkëta me qëllimet e ASH. Në sistemin e ASH përfshihen institute e qendra shkencore që kryejnë veprimtari shkencore që nuk mund të kryhen nga institucione të tjera shkencore shtetërore e private, si ato universitare, dikasteriale e publike jo shtetërore. Miratimi i instituteve dhe i qendrave studimore shkencore të ASH kryhet me propozim nga organizmat përkatëse të saj nga Qeveria. Po kështu edhe riorganizimet e mundshme të këtyre instituteve e qendrave studimore miratohen nga Qeveria me propozim të organizmave përkatëse të ASH.
2) “Akademikët”
Anëtarë të përhershëm të ASH, përfaqësues nga më të shquarit të shkencës, kulturës, letërsisë dhe arteve. Akademikët zgjidhen nga shtetas të Republikës së Shqipërisë. Akademikë të zgjidhen nga gjithë fushat e shkencës, arsimit, kulturës së vendit nga radhët e punonjësve të institucioneve shkencore brenda sistemit të ASH ose jashtë këtij sistemi, të Universiteteve, instituteve e qendrave shkencore dikasteriale, të institucioneve të tjera krijuese letrare-artistike shtetërore, publike dhe civile joshtetërore, që kanë realizuar studime e krijimtari shkencore e kulturore të nivelit të lartë dhe për një kohë të gjatë, që kanë zgjidhur probleme të një rëndësie të veçantë të shkencës, ekonomisë, kulturës së vendit. ASH mund të ketë edhe “Akademikë” të jashtëm dhe “Akademikë Nderi”, nga shkencëtarë të shquar e të mirënjohur në vendet e tjera, që kanë kombësi shqiptare ose kombësi tjetër, që kanë dhënë një kontribut shumë të shquar si në dobi të shkencës dhe kulturës së popullit shqiptar, ashtu edhe të shkencës botërore.
3) Anëtarë korrespondentë të ASH 
Janë përfaqësues të dalluar në fushat më të ndryshme të studimeve shkencore dhe të krijimtarisë artistike-kulturore. Anëtarë korrespondentë nuk duhet të kenë moshën mbi 60. Numri i anëtarëve korrespodentë nuk duhet të jetë më shumë se dyfishi i numrit të përgjithshëm të Akademikëve. Anëtarë korrespodentë, si në rastin e akademikëve, mund të zgjidhen si brenda institucioneve të sistemit të ASH, ashtu edhe nga institucionet përkatës jashtë këtij sistemi, por vetëm një e pesta e tyre, jo më shumë, mund të jenë nga sistemi 1 brendshëm i ASH, kurse katër të pestat (4/5) duhet të jenë jashtë sistemit të ASH. Vetëm gjysma e të zgjedhurve Anëtarë korrespondentë mund të jenë nga Kryeqyteti, kurse pjesa tjetër nga gjithë rrethet e mundshme të vendit. Anëtarët korrespondentë marrin pjesë në gjithë veprimtaritë shkencore e kulturore të ASH. Ata ndahen sipas specialiteteve dhe profileve të tyre në seksionet përkatëse të ASH. Shpërblimi i anëtarëve korrespondentë bëhet sipas kontributit të tyre personal në projektet e studimeve dhe hulumtimeve të ASH. Duhet të përcaktohet dhe të përsoset dhe rregullorja e përzgjedhjes së Anëtarëve korrespondentë, ashtu si edhe e Akademikëve.
4) Asambleja e Akademikëve
Përbëhet nga Akademikët dhe është organi më i lartë i ASH. Në Asamblenë kanë të drejtë të marrin pjesë edhe Anëtarët Korrespodentë dhe drejtorët e instituteve dhe qendrave shkencore por vetëm akademikët duhet të kenë të drejtën e votës vendimtare deliberative, kurse të tjerët vetëm të drejtën e votës këshillimore. Numri i Akademikëve, që bëjnë pjesë në Asamble, është fiks 45. Asambleja cakton numrin e Akademikëve të rinj, të pranohen deri sa plotësohet numri 45 i Akademikëve. Pas plotësimit të këtij numri, pranimi i Akademikëve të rinj bëhet për vendet vakante, por jo detyrimisht nga fushat ku mund të jenë krijuar vende vakante. Asambleja e Akademikëve cakton edhe numrin e kandidatëve të rinj të Anëtarëve Korrespodentë. Me rivendosjen e titullit të Anëtarit Koorrespondent të ASH nuk duhet zgjidhen më shumë se 45 të tillë, kurse pjesët e tjera më vonë, kur do të bëhen zgjedhje të reja edhe të Akademikëve. Gjatë dhjetë viteve të ardhshme, vetëm në raste të veçanta mund të pranohen Akademikë mbi moshën 70 vjeçare (nga persona që i kanë dhënë shkencës e kulturës një kontribut të jashtëzakonshëm), përndryshe pranimi i Akademikëve të rinj gjatë kësaj periudhe nuk duhet të jetë mbi moshën 70 vjeçare: kjo procedurë mund të ndiqet deri sa të normalizohet raporti i Akademikëve të brezit të vjetër e të brezit më të ri. Asambleja e ASH mblidhet të paktën 4 herë në vit. Asambleja e ASH drejtohet nga Kryetari dhe nga Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i Asamblesë zgjidhet nga radhët e Akademikëve, që kanë një stazh jo më të vogël se pesë vjet. Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e Akademikëve, që kanë një stazh jo më të vogël se katër vjet. Zgjedhja e Kryetarit të Asamblesë bëhet vetëm nga akademikët me shumicën 2/3 e numrit të përgjithshëm të Akademikëve. Për zgjedhjen e Kryetarit paraqiten dy kandidatura alternative, të cilët paraqiten një muaj para zgjedhjeve, Curriculum vitae me veprimtarinë shkencore e krijuese kulturore dhe një skicë-platformë mbi programin e zhvillimit perspektiv afatgjatë e afatshkurtër të ASH. Propozimi i të dy kandidaturave bëhet nga një përfaqësi e zgjedhur prej Asamblesë, të përbërë nga 5 Akademikë, të zgjedhur me vota të hapura. Kryetari e mban postin e vet 3 vjet dhe ka të drejtë të rizgjidhet edhe një herë. Asambleja e ASH zgjedh edhe Sekretarin e përgjithshëm të saj, i cili zëvendëson Kryetarin në mungesë të tij dhe drejton administratën qendrore të ASH. Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet nga dy kandidatura alternative me propozim të përfaqësisë së Akademikëve (5 veta). Edhe Kandidatët për Sekretar të Përgjithshëm paraqitin një muaj para zgjedhjeve curriculum vitae dhe skicë-platformën e drejtimit perspektiv të ASH. Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet një herë për katër vjet dhe mund të kandidohet edhe një herë tjetër. Kryetari dhe Sekretari i Përgjithshëm i ASH kanë pagë të diferencuar, që caktohet nga Qeveria. Sekretari i Përgjithshëm drejton edhe Këshillin e Drejtorëve, në të cilin bëjnë pjesë gjithë drejtorët e instituteve dhe qendrave shkencore brenda sistemit të ASH. Ky Këshill nuk do të ketë pagë të veçantë e suplementare për anëtarët e tij dhe do të përgjigjet për gjithë problemet korente të këtyre institucioneve. Këshilli i drejtorëve mblidhet të paktën çdo dy muaj.
vijon në numrin e ardhshëm
Sigal