Sokol Kongoli: Rrogozhina , pranë “ Via Egnatia “ dhe shinave të trenit

497
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Prezenca e këtij qyteti të vogël më vinte ndër mend sidomos  gjatë udhëtimeve me tren në kohën e fëmijërisë apo edhe rinisë time në linjën Tiranë – Fier. Në këtë të fundit banonte gjyshja së bashku me dajat dhe tezen dhe për rrjedhojë atë udhëtim e bëja jo pak herë.  Ndoshta Rrogozhina ishte stacioni më i ndërmjetëm hekurudhor midis dy qyteteve, që unë përmenda. Përpara se treni të kalonte urën hekurudhore mbi lumin Shkumbin, një transe e madhe, e lartë dhe goxha e lakuar i vinte rrotull qytetit të vogël. Ky detaj të mbetej në kujtesë gjatë atij rrugëtimi mbi shinat e hekurta. Mbase hekurudha ka vërtet shumë lidhje me egzistencën e kësaj qyteze të vogël, e cila para së gjithash është një nyje e rëndësishme e transportit dhe kryqëzimit të rrugëve në vendin tonë. Kjo për arsyen se Rrogozhina është lidhur me të që në vitin 1947 si pjesë e linjës Durrës – Peqin , ku dhe vepra më e rëndësishme e saj është tuneli hekurudhor i Rrogozhinës.  Roli i saj në këtë qytet ka patur ndikim të rëndësishëm ,  aq sa ndoshta edhe koha matej me lëvizjet e trenave.

Megjithatë pozicioni ku ngrihet ky qytet i vogël bën që të kthehesh pas në histori . Në radhë të parë ai është i lidhur me “Via Egnatian“. Dikur quhej “Aspargiaum“, i cili ishte një vendbanim në kryqëzimin e dy segmenteve të “Via Egnatias”: Njërës që vinte nga Durrësi dhe tjetrës nga Apollonia. Në vitin 2003-2004 në kuadër të një projekti dy palësh Shqipëri– Greqi, për “Via Egnatian” janë kryer kërkime. Në zonën e qytetit janë gjetur rrënoja. Këto edhe në rastet e çeljes së themeleve për ndërtime pranë shkollës së mesme. Gjetjet fillonin që pranë stacionit hekurudhor e vazhdonin deri tek “Dy çezmat” në drejtimin verior. Po kështu në Rrogozhinë janë zbuluar edhe varre monumentale të shek IV – V të erës tonë, ku materiali qeramik i gjetur daton nga periudha romake e deri në antikitetin e vonë. Origjina e emrit të sotëm mendohet se vjen nga lulja e quajtur  “Rrogoze“. Në Rrogozhinë ka kaluar edhe Ismail Qemali gjatë udhëtimit të tij nga Durrësi drejt Vlorës me misionin historik të shpalljes së pavarësisë kombëtare. Interesant është edhe fakti se gjatë xhirimit të filmit artistik “Nëntori i dytë” në vitin 1982, me regji të Viktor Gjikës, pranë qytetit, pikërisht në brigjet e lumit Shkumbin, pranë urës është xhiruar edhe skena kur Ismail Qemali, (interpretuar nga aktori Sandër Prosi) kreu kalimin me lundër nga Shqipëria e Mesme për në jug të vendit, drejt Vlorës. Me këtë rast, për realizimin e kësaj skene nga Rrogozhina u morën shumë qytetarë si figurantë. Kjo ishte një lloj ngjarje për qytetin, ku banorët patën rast të shikonin nga afër aktorë të njohur të kinostudios. Një ngjarje e vjetër që pati tronditur opinionin në gjithë Shqiperinë ka qënë rrugëtimi i pambaruar i  bandës së Xhevdet Mustafës në shtator te vitit 1982. Gjatë tentativës së tyre për të mbërritur në kryeqytet, pikërisht në stacionin e trenit të Rrogozhinës prej nga ku ata donin të udhëtonin , grupi i tyre u dekonspirua . Ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, pranë saj dhe pikërisht në Gosë, në 6 korrik 1943 u egzekutuan heronjtë e popullit Kristaq dhe Margarita Tutulani.  Për të përkujtuar këtë ngjarje aty ngrihet lapidari i tyre.Pjesë e rëndësishme e çdo qyteti janë banorët e tij. E në këtë kuptim  Rrogozhina ka profilin e saj. Ky qytet ka një popullsi heterogjene me banorë prej shumë zonave të Shqipërisë. Pjesa më e vjetër e banorëve, të cilët mund t’i quajmë autoktonë kanë banuar në krahun lart hekurudhës. Ndër familjet më të vjetra do përmendja ato me mbiemrat Deda, ndoshta më e vjetra dhe të njohur si agallarë të Rrogozhinës dhe me qëndrim patriotik ndër vite. Të tjerë janë mbiemrat Shima, Ballabani, Tafgjata, Gjuzi , Dedej etj.  Rrogozhina është e njohur për prezencën e konsiderueshme të popullsisë çame, të shpërngulur me forcë nga trojet e veta dhe të vendosur këtu pas vitit 1945. Ky grup i rëndësishëm që i transmetoi edhe karakterin dhe frymën e tij qytetit, krijoi lagjen e vet që quhej me emrin “Miqësia”. Familjet çame vinin sidomos nga rajone e qendra te tilla si: nga Filati, Salica, Gurrëza, Gumenica, Spatari, Sallopia, Luarati , fshatarat e Margëllicit etj. Është e vështirë për të përmendur të gjithë mbiemrat e tyre, por duke sjellë si shembull vetëm disa mund të përmendim familjet Alushi, Azbiu, Iljazi, Kushi, Nuredini , Sulejmani. Krahas vetive morale e shoqërore këta të fundit u bënë të njohur edhe përmes artit muzikor. Kjo sidomos përmes grupit të çamëve të Rrogozhinës, të cilët me solistin Refat Sulejmani u bënë shumë të njohur dhe të vlerësuar gjatë intepretimit të këngës së Çelo Mezanit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1978. Kjo këngë është një ndër perlat e fondit të muzikës tonë folklorike dhe veçanërisht të Çamërisë.Një grup tjetër i popullsisë që banojnë aty janë vllehët. Ndër ta mund të përmendim familjet Kanaçi dhe Zgurro. Interesant është fakti se në qytetin e Rrogozhinës kanë banuar edhe partizanët greke të EAM, së bashku me familjet e tyre. Këta u vendosën në Rrogozhinë gjatë periudhës së luftës civile greke. Në vitin 1959 me amnistinë që shpalli qeveria greke ata u riatdhesuan në vendin e tyre . Në qytet mbeti vetëm një familje prej tyre . Kjo ishte famija Stugari .

Në Rrogozhinë ka lindur dhe ka punuar së pari si arsimtar, shkrimtari dhe skenaristi Enver Kushi. Autor i një sërë veprash letrare dhe shkrimesh në shtyp. Ndër të tjera autor i romanit “ Hëna e vitit zero “, novelës “Gruaja nga Parga” dhe veçanërisht me vëllimet me tregime e prozë të titulluara “ Endërra të ngrira“ dhe “ Apokalips 6 “ , ndoshta të rralla në letërsinë tonë për llojin e tematikës dhe trajtimit të ndjenjës së “ankthit” . Prej këndej janë poetët Ylli Xhaferri dhe Xhelal Tosku, ndërsa pas pleniumit të K.Q.  të 1973 i cili goditi frymën moderniste e liberale në letërsi e arte, për dy vjet aty ka punuar dhe jetuar shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo .  Rrogozhina pati zhvillimin e saj industrial. Fillimisht me fabrikën e sapunit, e cila u ndërtua në vitin 1943. Pas çlirimit të vendit, në vitin 1950 ajo iu nënshtrua një zgjerimi të saj duke përfshirë edhe linja të reja si prodhimin e vajit të lulediellit dhe sherebelës. Prodhimi i sapunit të Rrogozhinës kujtohet ende nga qytetarët e mbarë Shqipërisë, të cilët e mbajnë mend mirë periudhën deri në 1990. Ky si një produkt pothuajse “brand“ i këtij qyteti të vogël, aq sa po të përmendje Rrogozhinën të vinte ndër mend  ky artikull i domosdoshëm konsumi që prodhohej aty. Krahas kësaj fabrike, Rrogozhina kishte edhe atë të zhveshjes së pambukut, e cila u ngrit me ndihmën financiare dhe teknike sovjetike. Ishin këta të fundit që në atë kohë ndërtuan aty edhe një klub me sallë kinemaje si dhe një sallë biblioteke. Në Rrogozhinë funksionuan edhe fabrika e prodhimit të rakisë së dëllinjës, (e cila eksportohej, sidomos në ish Çekosllovaki), fabrika e makaronave, ajo e tharjes së frutave dhe perimeve si dhe nje punishte për përpunimin e bimëve mjekësore dhe ato etero– vajore. Sot kjo industri nuk fuksionon më dhe ka vite të tëra që këto fabrika janë të mbyllura. Madje ndërtesa e ish fabrikës së zhveshjes së pambukut, që prej vitit 2002 është shndërruar në godinën e burgut të Rrogozhinës. Një simbolikë kjo e keqe dhe e rëndë për qytetin dhe qytetarët e tij, të cilët dikur mund të krenoheshin sadopak me prodhimet e tyre. Eshtë thuajse e pamundur për çdo qytet në rruzull që ai të krenohet me prezencën në teritorin e tij të një burgu që është në funksion, siç është edhe ky i Rrogozhinës. Pranë qytetit, pikërisht pranë urës se trenit mbi lumin Shkumbin, që prej vitit 1993 organizohet pazari i gjësë së gjallë .

Fare pranë qytetit mbi lumin Shkumbin ngrihet ura që lidh dy brigjet e tij. Fillimisht kjo vepër inxhinierike është ndërtuar në vitin 1937 nga ana e Italianëve. Atëherë ura kishte gjashtë harqe të ngrituara. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, nazistët gjatë largimit të tyre e hodhën në erë urën dhe ajo u rindërtua më pas . Nga ana tjetër tuneli  hekurudhor karhas funksionit për të cilin është ndërtuar, na është sjelle edhe nëpërmjet një punimi në pikturë prej artistit tonë të mirënjohur Vangjush Mio në tabllonë me titull “ Tuneli i Rrogozhinës “.

Territori, i cili është nën juridiksionin e bashkisë Rrogozhinë ofron edhe atraksionet e veta turistike. Ato lidhen në radhë të parë me plazhet ranore të Spillesë (3 km i gjatë )  dhe të Vilë Bashtovës në detin Adriatik. Këto të fundit shquhen për rërën cilësore me përmbajtje të lartë jodi. Plazhi i Spillesë rrethohet nga një pyll i dendur pishash i cili i shton bukurinë dhe cilësinë e ajrit . Ndërkaq 4 km në veri të grykëderdhjes së Shkumbinit pranë fshatit Vilë – Bashtovë ngrihet kalaja fushore e Bashtovësë e cila është ndërtuar në shek XV. Ajo u ka shërbyer edhe venecianëve për qëllime tregëtie. Zona e Bashtovës  është përmendur si një port lumor në Shkumbin dhe si një qendër e eksportit te drithërave. Kalaja ka trajtë katër -këndore. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin e XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash. Aktualisht zona e Bashtovës ka një prej fermave më të rëndësishme në vend për prodhimin e kërminjve i cili eksportohet në Francë.

Ndër burimet e tjera ekonomike krahas turizmit dhe bujqësisë mund të përmendim faktin se në Ballaj që bën pjesë në këtë bashki në vitin 1983 janë shfrytëzuar rezervat e gazit natyror që kjo zonë kishte. Rrogozhina mbetet aty, në kryqëzimin e rrugëve të atdheut, duke pritur ndoshta që trenat e mbushura plot me njerëz dhe me mallra të fërshëllejnë më fort dhe t’i japin gjallëri jetës dhe së ardhmes .